Kuvendi i Kosovës ka miratuar deklaratën për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Deklarata u propozua nga Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa teksti i saj u harmonizua nga të gjitha grupet parlamentare shqiptare.
Në deklaratë, Kuvendi shpreh shqetësimin e tij të thellë për aktgjykimin e shkallës së parë. Ai ngre shqetësime edhe për mungesën e transparencës dhe shkeljen e standardeve të gjykimit të drejtë, raporton Klan Kosova.
Kuvendi e konsideron të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët, si dhe përgjegjësinë që, mbi atë përfundim, i është atribuuar secilit prej tyre.
Përmes deklaratës, Kuvendi u kërkon të gjitha institucioneve shtetërore të ndërmarrin veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare. Ai bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, me veprime juridike, institucionale dhe diplomatike.
Deklarata rikujton se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës lindi në rrethanat e represionit dhe krimeve të regjimit të Slobodan Millosheviqit. Ajo thekson rëndësinë vendimtare të ndërhyrjes së NATO-s për ndalimin e dhunës dhe çlirimin e Kosovës, si dhe bashkëpunimin e saj me UÇK-në.
Kuvendi vlerëson gjithashtu se Dhomat e Specializuara kanë dalë jashtë mandatit për të cilin Kuvendi pranoi themelimin e tyre.
Deklarata kundërshton çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës ose për ta vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare.
Në përmbyllje, Kuvendi zotohet të mbrojë pa kompromis të vërtetën e luftës çlirimtare si dhe të drejtën e të dënuarve për një gjykim të drejtë i cili përmbush standardet e kërkuara.