Kimia e të qenit njeri

Illyrian
7 Min Read

Në nder të Fituesit të Çmimit Nobel, Profesor Omar M. Yaghi
Nga Dr. Detina Zalli

Reklama

Kur lexova se profesorët Susumu Kitagawa, Richard Robson dhe Omar M. Yaghi kishin fituar Çmimin Nobel në Kimi për vitin 2025 për zhvillimin e strukturave metal-organike (MOF), nuk mendova për molekula. Mendova për mbijetesën. Mendova për atë kimi të padukshme që i lejon një njeriu apo një ideje të qëndrojë e bashkuar, edhe pasi është copëtuar. Struktura e Yaghi-t, aq poroze sa një gram mund të ketë më shumë sipërfaqe se një fushë futbolli, nuk është vetëm një mrekulli teknologjike. Ajo është një metaforë për vetë jetën njerëzore: për aftësinë për të ndërtuar struktura që marrin frymë.

Reklama

I nderoj të tre laureatët, por në historinë e Yaghi-t shoh diçka që më flet thellë në shpirt. Ai lindi në Aman nga prindër palestinezë që kishin ikur nga Gaza. Ka treguar për fëmijërinë e tij, për dhomën ku ndante hapësirën me dhitë, për netët kur drita fiket dhe ndizet si një premtim i pasigurt, për mënyrën se si kureshtja mund të jetë një formë rebelimi. Në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare u largua për në Amerikë, me pak anglisht dhe edhe më pak siguri. Nga ajo mungesë ai krijoi një shkencë të lidhjes kiminë retikulare, që ndërthur blloqe molekulare për të ndërtuar rrjete aq të hapura sa të lejojnë dritën, ajrin dhe ujin të kalojnë përmes tyre. Gjenialiteti i tij nuk ishte të mbushte boshllëkun, por ta strukturonte atë.

Reklama

Nuk mund të pretendoj se e di peshën e plotë të historisë së tij, por njoh fizikën e saj. Kam lindur në Shqipëri, dhe edhe unë ika nga një botë që po shembej. Mbaj mend gomonen që na kaloi përtej Adriatikut tridhjetë veta të ngjeshur në një mjet për dhjetë. Ajri vinte erë naftë; deti ishte aq i zi sa fshinte horizontin. Edhe qielli dukej i përkohshëm. Burrat me armë rrinin në heshtje. Mëson të marrësh frymë në heshtje. Mëson se nëse bërtet, vdes.

Strehimi nuk mbaron kur zbret në tokë. Ai hyn në gjak. Ndryshon mënyrën si reagon ndaj heshtjes, si sheh dritën. Por mërgimi të mpreh mendjen. Të mëson të vëresh fijet e padukshme që mbajnë gjërat të bashkuara, forcat që ndalojnë shembjen. Të mëson strukturë.

Në jetën time profesionale kam pasur fatin të jap mësim në disa nga universitetet më të mëdha të botës Harvard, Oxford, Imperial College dhe Cambridge ku kam ligjëruar në një sërë kurseve, përfshirë kiminë themelore për mjekësinë dhe shkencat biomjekësore. U mësoj studentëve për difuzionin, membranat, gazrat në gjak dhe mënyrën si trupi ruan ekuilibrin përmes përshkueshmërisë. Por në thelb, ajo që u mësoj është se jeta varet nga hapja. Oksigjeni kalon nëpër membranë jo sepse ajo është e fortë, por sepse lejon kalimin. Dializa shpëton jetë sepse pengesa e saj është përzgjedhëse, jo e mbyllur.

Çdo mësim në kimi është gjithashtu një mësim në etikë. Poroziteti nuk është dobësi; është urtësi. Është disiplina për të qëndruar i hapur, edhe kur bota të kërkon të mbyllesh. Në molekula, në mjekësi dhe në jetën njerëzore, i njëjti ligj vlen: lidhja është mbijetesë.

Ndoshta këtë e dinë të gjithë mërgimtarët, me vetëdije apo jo se boshllëku nuk është fund, por një ndërmjetësim. Se mungesa mund të riformohet. Bota gjithmonë do të thyhet; puna jonë është të vendosim si t’i mbajmë copat bashkë.

Kur mendoj për strukturat e Yaghi-t, shoh jo vetëm atome që lidhen përtej distancave të pamundura, por njerëz që bëjnë të njëjtën gjë. Familje të mbajtura bashkë nga kujtimet dhe shpresa, klasa të lidhura nga kureshtja, të huaj të bashkuar nga dhembshuria që as nuk dinë ta shpjegojnë. Çdo akt zbulimi është një akt besimi një refuzim për ta pranuar zbrazëtinë si fund.

U them shpesh studentëve të mi se mërgimi nuk është gjithmonë gjeografik. Të gjithë e përjetojmë në ndonjë formë pacienti i mërguar nga trupi i tij i dikurshëm, prindi që zie për një botë të humbur, njeriu i shqetësuar që nuk mund të fle. Kimi dhe dhembshuri ndajnë një të vërtetë: asgjë e izoluar nuk mbijeton. Qoftë në trupin njerëzor apo në shpirtin njerëzor, mbijetesa është gjithmonë bashkëpunim.

Profesori Yaghi ka thënë dikur se bukuria e kimisë qëndron në krijimin e rendit nga boshllëku. Besoj se e njëjta gjë vlen për qenien njerëzore. Struktura e tij, ashtu si jeta jonë, mbahet bashkë nga forca të padukshme të brishta, të kujdesshme, të qëndrueshme. Ato na kujtojnë se hapja nuk është ekspozim; është arkitekturë. Të njëjtat lidhje të holla që mbajnë një molekulë, mund të mbajnë një familje, një komunitet, një qytetërim.

Kur e shoh në skenën e Nobelit, nuk shoh vetëm një shkencëtar të shpërblyer. Shoh vërtetimin e çdo akti durimi çdo prindi që ka kaluar një det, çdo studenti që ka mësuar në një gjuhë tjetër, çdo fëmije që ka pritur te dera për një premtim që kthehet.

E vërteta është kjo: të gjithë jemi struktura prej ajri dhe kujtese. Mbijetojmë përmes lidhjes. Qëndrojmë përmes përshkueshmërisë. Bëhemi njerëz duke lejuar botën të kalojë përmes nesh, pa na thyer.

Dhe ndoshta ky është mrekulli i qetë i ekzistencës që ende marrim frymë, dhe duke marrë frymë, ndërtojmë.

Merr frymë.
Dhe nëse mundesh, lër pak hapësirë në strukturën tënde për ajrin e dikujt tjetër.

Për profesorët Susumu Kitagawa, Richard Robson dhe Omar M. Yaghi — dhe për çdo njeri që ka ndërtuar një shtëpi nga asgjëja.

Lini një koment

Please Login to Comment.