Gjatë ditës së sotme është raportuar se disa nxënës të Shkollës “7 Shtatori” në Vitomiricë të Pejës dyshohet se janë helmuar me ushqim. Rasti dyshohet të ketë ndodhur të hënën, por simptomat u shfaqën tek nxënësit të martën.
Sipas njoftimit të shkollës, tetë nxënës janë trajtuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vitomiricë. Shkolla ka bërë të ditur se pas orës së katërt mësimore më 21.10.2025, disa nxënës paraqitën simptoma si vjellje, marramendje dhe ndjesi lodhjeje. Menjëherë pas vërejtjes së rasteve, kujdestarët njoftuan prindërit, ndërsa drejtori i shkollës informoi Drejtorin e Arsimit Komunal (DKA) për dyshimin e helmimit.
“Nxënësit janë trajtuar nga personeli mjekësor dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. Mësimi gjatë ditës së sotme, më 22.10.2025, është zhvilluar pa pengesa dhe të gjithë nxënësit janë në procesin e rregullt mësimor,” thuhet në njoftimin e shkollës.
Sipas njoftimit në objekt nuk ka vende shitjeje të ushqimeve apo pijes, dhe nxënësit furnizohen me ushqim nga lokalet jashtë shkollës.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka deklaruar për Insajderin:
“Pasi kemi pranuar informacionin, prokurori kujdestar e ka autorizuar policinë për mbledhjen e informacioneve të nevojshme lidhur me rastin. Ka dyshime se disa nxënës në Vitomiricë janë helmuar. Shtatë nxënës kanë kërkuar trajtim mjekësor. Aktualisht është intervistuar drejtori i shkollës dhe pritet të intervistohen edhe persona të tjerë. Jemi duke pritur rezultatet nga Inspektorati Sanitar i Punës dhe do të shohim nëse kemi të bëjmë me helmim. Për detaje do t’ju njoftojmë me kohë.”
Policia njoftoi se nxënësit dyshohet se u helmuan në një lokal pranë shkollës. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, tha:
“Drejtoria e Shkollës u njoftua rreth orës 10 të mëngjesit se nxënësit kishin shqetësime shëndetësore. Disa prej tyre janë dërguar me autoambulancë në QMF aty afër, kanë marrë tretman mjekësor dhe më pas janë liruar në shtëpi. Me urdhër të prokurorit është ftuar për intervistim drejtori i shkollës, i cili ka dhënë deklaratën e tij. Rasti është duke u hetuar nga njësitet përkatëse.”