NUK HESHT DOT
Nuk hesht dot,
se brenda meje gjëmon zëri i tokës,
zëri i nënave që s’kanë varre,
i fëmijëve që s’panë diellin.
Nuk hesht dot,
kur mbi dheun e plagosur
ende kërkojnë paqe eshtrat e paemër,
kur kujtimet më thërrasin
nga çdo rrugicë e djegur.
Nuk hesht dot,
se fjala është fryma ime,
është gjaku i gjallë i kujtesës.
Nuk hesht dot,
derisa drejtësia të mos jetë vetëm fjalë,
por dritë që ngroh shpirtin e kombit tim.