Edhe një ditë afat për të vendosur: Mandatar i ri apo zgjedhje

Illyrian
2 Min Read

Lëvizjes Vetëvendosje nga sot e martë i ka mbetur edhe një ditë kohë për të vendosur nëse do të propozojë një kandidat tjetër për kryeministër apo do të lejojë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Reklama

Deri të hënën, kjo parti ende nuk ka marrë një vendim zyrtar.

Reklama

Afati përfundimtar për propozimin e mandatarit të ri është të mërkurën, më 5 nëntor, kur skadon periudha 10-ditore brenda së cilës presidentja Vjosa Osmani duhet të vendosë nëse do të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër apo do të shpallë zgjedhjet e parakohshme.

Reklama

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili në përpjekjen e parë dështoi të sigurojë 61 votat e nevojshme për t’u bërë kryeministër, i kishte kërkuar presidentes disa ditë shtesë për të vendosur nëse do të tentojë sërish formimin e qeverisë apo do t’i bashkohet partive të tjera që kërkojnë zgjedhje.

Në anën tjetër, partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend janë shprehur qartë në favor të zgjedhjeve të reja. Përfaqësuesit e tyre, që të premten u takuan me presidenten Osmani, kanë deklaruar se asnjëra nga partitë që kanë përfaqësim në Kuvendin e Kosovës nuk e ka shumicën për formimin e ekzekutivit të ri.

Nëse presidentja vendos të mandatojë një kandidat tjetër, ai do të ketë në dispozicion 15 ditë për të paraqitur në Kuvend programin qeverisës dhe përbërjen e kabinetit.

Kuvendi i Kosovës u konstituua më 10 tetor, tetë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Kriza aktuale politike dhe institucionale nisi fillimisht për shkak të mosmarrëveshjeve mes partive më të mëdha shqiptare për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e më vonë u thellua pas përplasjes rreth përzgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb.

Lini një koment

Please Login to Comment.