Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar sot liderët e partive politike në një takim konsultativ që pritet të mbahet në orën 12:00. Qëllimi zyrtar i takimit është diskutimi i situatës së krijuar pas dështimit të formimit të një shumice të re parlamentare.
Lidhur me pritjet nga ky takim, ka folur eksperti i KDI-së, Eugen Cakolli, në “Edicioni Special” në Klan Kosova. Ai vlerësoi se megjithëse do të ketë përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje, palët politike mbeten të ndara dhe gjasat për krijimin e një qeverie të re janë minimale.
“Takimi pritet të shërbejë vetëm si rikonfirmim formal i qëndrimeve që tashmë janë të njohura. Besoj se do të konstatohet që nuk ka shumicë në Kuvend dhe as vullnet për ta krijuar një të tillë,” tha Cakolli.
Sipas tij, edhe pse është përmendur mundësia e një qeverie të unitetit për të kaluar disa ligje të rëndësishme, situata politike e bën këtë skenar shumë të pamundur.
“Në vend të një marrëveshjeje për një qeveri të re, ka më shumë gjasa që ky të jetë hapi i parë drejt formalizimit të shpërndarjes së Kuvendit dhe caktimit të datës së zgjedhjeve të reja,” theksoi ai.
Cakolli shtoi se partitë janë të barrikaduara në pozicionet e tyre, ndërsa ish-opozita, edhe nëse do ta drejtonte një qeveri të re, do të kishte jetëgjatësi shumë të shkurtër për shkak të numrave dhe dinamikës politike.
“Nuk pres progres në drejtim të formimit të institucioneve, sepse palët nuk po lëvizin nga qëndrimet e tyre,” deklaroi ai.
Takimi i sotëm pritet të jetë vendimtar për hapat e ardhshëm institucionalë. Nëse vërtetohet se nuk ekziston shumicë parlamentare, atëherë skenari më realist mbetet shpërndarja e Kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve të reja parlamentare.
IllyrianInfo.com do të raportojë zhvillimet e fundit nga takimi dhe vendimet që mund të përcaktojnë rrjedhën politike të ditëve në vijim.