Në një tubim zgjedhor të mbajtur në Vushtrri, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, prezantoi zyrtarisht kandidatin e kësaj partie për kryetar komune, Xhafer Tahirin, raporton Ekonomia Online.
Abdixhiku vlerësoi kontributin e Vushtrrisë ndër vite dhe theksoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për të ardhmen e qytetit dhe të gjithë Kosovës.
“Vushtrria është qyteti i urës së famshme, i tregut të lashtë, i punës, i dijes dhe i qytetarisë. Është qyteti që gjithmonë ka ditur të japë shembull, që gjithmonë ka ditur të udhëheqë, që gjithmonë ka ditur të qëndrojë krenar përballë çdo sfide. Dhe prandaj, të jem këtu sonte, mes jush, është një emocion i madh, është një nder i madh, është një përgjegjësi e madhe. Ky qytet ka dhënë gjithmonë shumë për Kosovën. Ka dhënë njerëz të shkolluar, ka dhënë punëtorë të ndershëm, ka bërë sakrifica të mëdha për lirinë dhe pavarësinë e Republikës. Ky qytet është gjithmonë një nga shtyllat e forta të vendit tonë. Dhe sot, Vushtrria është përsëri në qendër të një beteje të madhe. Një beteje që nuk është vetëm për kryetarin e komunës, por është për dinjitetin e qytetit, është për zhvillimin e tij, është për të ardhmen e Republikës sonë”, tha Abdixhiku.
Ai tha se Tahiri ka dëshmuar përkushtim dhe përgjegjësi gjatë mandatit të tij 2017-2021, duke sjellë zhvillime të dukshme për komunën.
“Në këtë betejë, ne kemi një emër që nuk ka nevojë për shumë prezantim. Një emër që ju tashmë e njihni. Një emër që tashmë e keni votuar, e keni parë në punë, e keni provuar si kryetar. Një emër që nga viti 2017 deri më 2021 udhëhoqi këtë qytet me përgjegjësi, me përkushtim, me ndershmëri. Ky është kandidati ynë, ky është kryetari i punës, ky është Xhafer Tahiri. Xhafer Tahiri ka qenë kryetar i Vushtrrisë në një periudhë të rëndësishme. Në ato katër vite ai solli projekte konkrete, nisi punë që ndryshuan fytyrën e qytetit, ngriti standarde të reja qeverisjeje. Ai tregoi se si udhëhiqet me përgjegjësi, se si respektohet qytetari, se si punohet për të ardhmen. Për katër vitet e fundit, punët e nisura, zhvillimet e bëra, idetë e mëdha ranë. Vushtrria juaj, vushtrriua jonë, humbasë kohë e mundësi. Dhe kjo e ka prekur secilin qytetar të Vushtrrisë”, tha ai.
Sipas Abdixhikut, Vushtrria meriton më shumë dhe Xhafer Tahiri është kandidati i punës e i fitores.
“E ka prekur fermerin që ka mbetur pa përkrahje. E ka prekur biznesin e tregtarin që janë lënë të vetëm. E ka prekur dhe rininë tuaj që nuk gjenë shans për të ardhmen këtu. E ka prekur secilën familje që që teksa sheh fëmijët të marrin rrugën e mërgimit. Vushtrria humbi katër vite. Sepse ata që morën drejtimin nuk patën vizion, nuk patën përgjegjësi, nuk patën dashuri për qytetin. Dhe sot, qyteti juaj është më i lënduar, më i lodhur, më i zhgënjyer se kurrë. Xhafer Tahiri është kandidati i fitores, jo vetëm sepse ka emrin e LDK-së, por sepse ka provuar me vepra se si punohet. Sepse ka treguar se pushteti nuk është për vete, por për qytetarët. Sepse ka dëshmuar se kryetari i vërtetë nuk është ai që flet më shumë, por ai që punon më shumë. Vushtrria meriton më shumë.
Meritoni infrastrukturë të denjë. Meritoni bujqësi të përkrahur. Meritoni shkolla moderne, mësim cilësor e tërëditor, kujdes për fëmijët. Meritoni qendra shëndetësore funksionale, shërbime cilësore, kujdes të vazhdueshëm. Meritoni një qytet të gjallë, të zhvilluar, të denjë. Dhe këto nuk janë fjalë të kota. Janë punë që bëhen. Janë punë që LDK-ja i ka bërë kudo që ka qeverisur. Janë punë që Xhafer Tahiri i ka bërë dhe do t’i bëjë përsëri. Këto zgjedhje nuk janë vetëm për Vushtrrinë. Janë për gjithë Kosovën. Janë për Republikën. Sepse kur fiton Vushtrria, fiton Kosova. Sepse kur ngrihet Vushtrria, ngrihet Republika. Sepse kur qyteti juaj jep mesazh të qartë, e gjithë Kosova e dëgjon”, shtoi kryetari i LDK-së.



Discover more from Illyran Info
Subscribe to get the latest posts sent to your email.
You must be logged in to post a comment.