Një 22-vjeçar shqiptar, Ervis Doksani, është dënuar në Brighton të Anglisë për trafik droge të klasit A, pas një hetimi të zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA).
Ai u arrestua mbrëmjen e 2 tetorit, pasi oficerët e kishin vëzhguar gjatë ditës duke zhvilluar takime të shkurtra me persona të ndryshëm, çka ngriti dyshime për përfshirjen e tij në aktivitet të paligjshëm me lëndë narkotike.
Gjatë kontrollit, policia i gjeti Doksanit 12 qese me kokainë të fshehura brenda një kutie menteje dhe një kartoni cigaresh. Hetimet çuan më tej në apartamentin ku ai qëndronte, në Dyke Road të Brighton-it, ku u zbuluan edhe 200 gramë të tjerë kokainë, një pjesë e së cilës ishte vendosur në një tigan, si dhe rreth 1,000 paund para kesh.Komandantja e Degës së NCA-së, Sara-Jayne Moore, tha se ky dënim është një goditje e rëndësishme ndaj trafikut të drogave të rënda, raporton JOQ, transmeton Klankosova.tv.
“Trafiku i drogës nuk ka vend në rrugët tona. Drogat e klasit A shkatërrojnë jetë dhe komunitete, dhe NCA do të vazhdojë të bëjë gjithçka për të mbrojtur publikun nga ky kërcënim,” deklaroi ajo.