Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar shkelje të rënda në dhënien e subvencioneve për bujqësi në Komunën e Suharekës, ku pesë përfitues kanë marrë subvencione për ndërtimin e serrave pa plotësuar kriteret bazë të thirrjes publike.
Sipas raportit të auditimit për vitin 2024, nga Drejtoria e Bujqësisë është bërë thirrje për aplikim më 26 shkurt 2024, ku një nga kushtet kryesore ishte që aplikuesit të posedonin të paktën 0.5 hektarë tokë bujqësore. Megjithatë, auditori ka zbuluar se pesë përfitues nuk kanë ofruar asnjë dëshmi për pronësinë apo posedimin e kësaj sipërfaqeje, duke e bërë përzgjedhjen e tyre të papajtueshme me kriteret e shpallura.

Raporti e cilëson këtë si rezultat të mospërgjegjësisë së komisionit të vlerësimit dhe vendimmarrjes përfundimtare e cila, sipas auditorit, nuk ishte në përputhje me kriteret e thirrjes publike. Përgjegjësia për këtë skandal bie mbi udhëheqjen komunale, konkretisht mbi kryetarin Bali Muharremaj, i cili ka për obligim ligjor të garantojë që subvencionet të ndahen vetëm për ata që i plotësojnë kushtet.
Auditorët paralajmërojnë se shkelje të tilla dëmtojnë rëndë transparencën dhe besueshmërinë e procesit të subvencionimit, duke diskriminuar fermerët që me të drejtë i përmbushin kushtet, por mbesin pa përkrahje.
“Kryetari duhet të përmirësojë procesin e vlerësimit dhe dhënies së subvencioneve, duke siguruar që vetëm aplikantët që i përmbushin kriteret të përfitojnë,” thuhet në rekomandimin e Auditorit të Përgjithshëm./Gazeta Insajderi/
Discover more from Illyran Info
Subscribe to get the latest posts sent to your email.
You must be logged in to post a comment.