AUV për skandalin e peshkut me krimba: Sasia e infektuar prej 35,170 kilogram është e bllokuar, po përgatitet për asgjësim

13 Views
3 Min Read
Advertisements

Pas denoncimeve të shumta dhe raportimeve të mediave për praninë e krimbave dhe parazitëve në peshkun e ngrirë që shitet në Kosovë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka dalë me një përgjigje zyrtare për këtë çështje.

Në përgjigjen dërguar lajmi.net, AUV konfirmon se në përputhje me vendimin e Gjykatës Komerciale në Prishtinë (Aktvendimi Nr. 2025:134825), po ndërmerren të gjitha masat për asgjësimin e 35,170 kilogramëve peshk të infektuar me parazitë.

“Në lidhje me këtë çështje, kemi edhe vendimin e Gjykatës Komerciale në Prishtinë – Dhoma e shkallës së dytë, sipas Aktvendimit Nr. të lëndës 2025:134825 me nr. dokumenti 07679680. Në përputhje me këtë vendim, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në bashkëpunim me kompaninë përkatëse, janë duke ndërmarrë përgatitjet për asgjësimin e 35,170 kilogramëve peshk, me qëllim garantimin e sigurisë shëndetësore të konsumatorëve dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare. Ky proces është i domosdoshëm për mbrojtjen e shëndetit publik dhe ruajtjen e integritetit të tregut ushqimor në Kosovë. Gjithashtu, ju njoftojmë se sasia e lartëpërmendur e peshkut për asgjësim është aktualisht e bllokuar në depon e kompanisë dhe nuk është vënë në qarkullim në treg. Në momentin e asgjësimit AUV do të ju njoftoj.”, thuhet në përgjigjen e AUV për lajmin.

Çka u tha dje?

Në hulumtimin e Vox Kosova, u tha se prej vitesh qytetarët e Kosovës kanë konsumuar peshk të ngrirë të infektuar me krimba dhe parazitë, ndërsa institucionet shtetërore si Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës dhe Ministria e Bujqësisë, megjithëse e kanë konstatuar këtë problem, nuk kanë marrë masa efektive për ta ndaluar këtë situatë.

Përkundër vendimit për asgjësimin e peshkut të kontaminuar dhe fitores në Gjykatë, Agjencia doli me një njoftim të papritur duke thënë se prania e krimbave nuk paraqet rrezik për shëndetin e konsumatorëve.

Raporti i analizave laboratorike zbuloi parazitë të llojit Anisakis Simplex në shumicën e mostrave të peshkut të importuar nga kompani të ndryshme, duke përfshirë edhe furnitorët më të mëdhenj, të cilët sipas hulumtimit refuzuan t’a asgjësonin peshkun e infektuar pavarësisht urdhrit të Agjencisë. Megjithatë, kompanitë vazhduan të kërkonte lejimin për të shpërndarë produktin në treg, duke u bazuar në pretendimin se nuk kishte rrezik për konsumatorët.

Vendimet e gjykatës mbështetën masën e asgjësimit dhe ndalimin e shpërndarjes së peshkut me parazitë. Më pas, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës publikoi një njoftim që kundërshtonte të gjitha këto masa, duke sugjeruar se peshku me krimba mund të konsumohet nëse përgatitet në mënyrë të caktuar, një qëndrim që u kritikua ashpër dhe që i la qytetarët të ekspozuar ndaj rrezikut shëndetësor.


Discover more from Illyran Info

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Advertisements