Kur Kim Chan-hoe shkon në punë, ai e mbyll derën me çelës dhe kontrollon kamerat e sigurisë, për t’u siguruar që nuk ka ndonjë polic përreth. Ai nuk e përmend profesionin e tij të përhershëm kur aplikon për kredi bankare, duke e ditur se do ta refuzonin menjëherë. Ai thotë se është raportuar në polici kaq shumë herë dhe është detyruar të paguajë gjoba të rënda, saqë tashmë policët e njohin.
Kjo sepse Kim është një artist tatuazhesh — një profesion që ka qenë i paligjshëm për dekada në Korenë e Jugut, edhe pse është bërë gjithnjë e më i popullarizuar.
“Kur hyj në një stacion policie apo një zyrë qeveritare, ata nuk më shohin si një artist i aftë tatuazhesh — më shohin vetëm si një kriminel me tatuazh”, thotë Kim, i cili ka 17 vjet që merret me tatuazhe dhe është pronar i studios Red Waikiki në Seul.
Kjo më në fund ndryshoi të enjten, kur parlamenti i vendit votoi unanimisht në favor të një projektligji historik për legalizimin e tatuazheve — të cilat më parë mund të bëheshin vetëm nga profesionistë mjekësorë.
Ka qenë një betejë e gjatë për të arritur deri këtu, me projektligje të ngjashme që kishin dështuar në të kaluarën. Por kësaj here, artistët ishin më shpresëplotë — presidenti i sapozgjedhur Lee Jae Myung, i cili është autoriteti përfundimtar për nënshkrimin e një ligji, kishte premtuar gjatë një kandidimi të mëparshëm për presidencë që do ta legalizonte këtë industri.

Për shumë vëzhgues të jashtëm, ndalimi mund të duket konfuz dhe kontradiktor. Megjithëse, është një profesion i paligjshëm, tregu i tatuazheve në Korenë e Jugut ka lulëzuar në hije. Artistët më të mirë fitojnë çmime në konkurse ndërkombëtare dhe fansat e apasionuar udhëtojnë nga jashtë për të bërë tatuazh.
Ndërkohë që kufizimet zbatohen ndaj ‘artistëve të tatuazheve’, të kesh tatuazhe nuk është e paligjshme. Nëse ecën nëpër rrugët e kryeqytetit plot gjallëri, me shumë gjasa do të shohësh tatuazhe të ekspozuara hapur – veçanërisht tek të rinjtë koreano-jugorë, të cilët po e përqafojnë gjithnjë e më shumë këtë formë arti. Rritja e industrisë e ka bërë ndalimin edhe më zhgënjyes, për ata që merren me të.
“Shumë artistë tatuazhesh po largohen nga Koreja, po aplikojnë për viza dhe po zhvendosen jashtë vendit. Kjo ndodh sepse nuk po njihen ligjërisht këtu”, tha Kim, i cili punon me emrin Sulhong – pseudonimet janë një masë paraprake e zakonshme për artistët që shmangin përdorimin e emrave të tyre të vërtetë.
“Ka qenë një situatë e vështirë, por… shumë prej nesh ndiejmë se fundi për ndalimin e pazakontë po afrohet”, shtoi ai, duke folur për CNN përpara votimit të së enjtes. “Është një përvojë shumë emocionale”.
Një industri në rritje
Ndalimi daton që nga viti 1992, kur Gjykata e Lartë e Koresë së Jugut vendosi se injektimi i tatuazheve është një procedurë mjekësore — e cila, sipas Ligjit për Shërbimet Mjekësore të vendit, mund të kryhet vetëm nga profesionistë të licencuar në fushën e mjekësisë. Kjo vendimmarrje pasqyronte opinionin publik të asaj kohe, i cili i konsideronte tatuazhet si tabu. Një pjesë e kësaj lidhjeje negative vinte nga praktika mesjetare e përdorimit të tatuazheve për të ndëshkuar kriminelët, gjatë Dinastisë Goryeo në Kore.
Perceptimet nisën të ndryshonin në Korenë e Jugut gjatë viteve 2010, teksa tatuazhet u bënë më të përhapura në Azi dhe në mbarë botën, të përqafuara edhe nga yje të mëdhenj koreanë si këngëtarët G-Dragon dhe Lee Hyori, si dhe reperi koreano-amerikan Jay Park.

“Kemi marrë shumë kërkesa nga klientë që thonë: ‘Dua një tatuazh si i këtij personi”, tha Kim. Për shembull, ai tha se ka bërë “gati një mijë” tatuazhe të frymëzuara nga dizajnet e G-Dragon.
Me rritjen e kërkesës, artistët koreanojugorë — të cilët kishin punuar në heshtje për vite me radhë — filluan të fitonin më shumë njohje. Një nga artistët më të famshëm të vendit, i njohur profesionalisht me emrin Doy, thuhet se ka bërë tatuazhe për personazhe të famshëm si aktorët Brad Pitt dhe Lily Collins. Industria është bërë plot jetë dhe e shumëllojshme, me artistë që ofrojnë stile nga më të ndryshmet, që nga ai tradicional amerikan e deri tek ai në stil akuareli — megjithatë, Koreja e Jugut është veçanërisht e njohur për tatuazhet e vogla dhe të imëta të tipit “fine line”, të cilat janë shumë të pëlqyera tek brezi i ri, tha Sisi, një artiste tatuazhesh që punon në studion e Kim në Seul.
Kjo shumëllojshmëri është e dukshme edhe brenda studios së tyre të përbashkët. Tatuazhet e Kim janë në stilin neotradicional, i cili karakterizohet nga vija të trasha dhe ngjyra të forta, shpesh me imazhe të kafshëve si gjarpërinj, tigra apo lejlekë; ndërsa tatuazhet e Sisit janë lozonjare, me mace të stilizuara në formë vizatimesh dhe lule me ngjyra neon si rozë apo blu.
CNN e identifikon Sisin me pseudonimin profesional, që ajo përdor në punën e saj.

Tatuazhet kozmetike, siç janë makijazhet gjysmë të përhershme, janë bërë gjithashtu shumë të njohura. Një prodhues bojërash për tatuazhe vlerësoi në vitin 2018 se rreth 10 milionë koreanojugorë kishin tatuazhe kozmetike gjysmë të përhershme, ndërsa tre milionë kishin tatuazhe të përhershme, sipas agjencisë së lajmeve Yonhap të Koresë së Jugut.
Deri në vitin 2019, vlerësohej se kishte rreth 20,000 artistë tatuazhesh në Kore që punonin me tatuazhe të përhershme, duke kontribuar në një industri me vlerë rreth 200 miliardë uon koreanë (afërsisht 144 milionë dollarë) në vit, sipas Shoqatës së Tatuazheve të Koresë. Por ende ka kundërshtarë të vendosur, sidomos brenda komunitetit mjekësor, të cilët protestuan me zë të lartë kundër projektligjit – i cili, sipas Yonhap, synon të licencojë zyrtarisht artistët e tatuazheve dhe të kërkojë trajnime për higjienën dhe sigurinë.
“Ky është një përpjekje jashtëzakonisht e rrezikshme legjislative që trondit themelin e ligjit mjekësor dhe do të çojë në pasoja që rrezikojnë seriozisht shëndetin dhe jetën e publikut”, shkroi Shoqata Mjekësore Koreane, e cila thotë se përfaqëson 130,000 mjekë në të gjithë vendin, në një postim në Facebook në muajin gusht, kur projektligji filloi të fitonte mbështetje.
Shoqata argumentoi se tatuazhet “konsiderohen një procedurë mjekësore”, që mbart rrezikun e efekteve anësore serioze dhe kërkoi që projektligji të tërhiqet.
Punë “në hije”
Për artistët, mungesa e mbrojtjes ligjore sillte rreziqe dhe sfida të përditshme aq rraskapitëse, saqë Kim tha se “ka dashur të heqë dorë nga ky zanat çdo vit”. Sipas ligjit, kjo vepër dënohet me deri në pesë vjet burg dhe një gjobë deri në 50 milionë uon (rreth 35,860 dollarë), dhe policia është e detyruar të hetojë çdo rast të raportuar.
Por në praktikë, ndalimi zbatohet lirshëm, tha Kim, me gjobat që zakonisht variojnë nga një deri në pesë milionë uon (rreth 717 deri në 3,590 dollarë). Artistëve u lejohet kryesisht të vazhdojnë punën më pas.

Në shumë mënyra, është thjesht një formalitet, thanë Kim dhe Sisi. Por është gjithashtu një kujtesë e vazhdueshme – ndonjëherë e kushtueshme – për statusin e tyre sipas ligjit.
Kim tha se ai raportohet mesatarisht rreth dy herë në vit, me secilin rast që sjell muaj të tërë hetimesh. Ndonjëherë raportohen disa anëtarë të studios njëkohësisht – nga klientë të pakënaqur, konkurrentë ose thjesht kritikë të industrisë së tatuazheve, shtoi ai. “Për shembull, ka pasur një rast kur katër ose pesë prej nesh u raportuam së bashku, dhe përfundimisht paguam gjithsej gati 10 milionë uon koreanë (rreth 7,170 dollarë) në gjoba”, tha artisti.
Gjatë një bastisjeje para disa vitesh, Sisi kujton. “Dyqani po funksiononte normalisht, dhe pastaj papritur dikush që u shtir si klient, doli të ishte polic. Ata erdhën gjatë një seance dhe disa persona që po punonin në atë moment, u kapën”.
Artistët përballen gjithashtu me kufizime të tjera të prekshme, si detyrimi për të punuar në vende të fshehta. Në vend që të kenë dyqane në katin përdhes me tabela publike që reklamojnë studion, shumë artistë punojnë në studio të fshehura në katet e sipërme të ndërtesave. Është e zakonshme që studiot të mos pranojnë pagesa me kartë krediti nga klientët, pasi nuk njihen nga shteti.
Kur plotësojnë dokumente zyrtare apo aplikojnë për kredi, “shumica e njerëzve ndoshta do të shkruanin ‘freelancer’ në vend të profesionit të tyre,” duke ditur që do të refuzoheshin nëse do të pranonin se janë artistë tatuazhesh, tha Sisi.

Këto kufizime i kanë rënduar artistët ndër vite. “Edhe kur menaxhoj ekipin tim, më është dashur të përballem me momente kur pyes veten: pse po e bëj këtë, për një profesion që as nuk njihet?”, tha Kim. Shpresa e tij më e madhe qëndron te projektligji, që është në pritje. Nëse miratohet, përveçse do të heqë pengesat e përditshme, “ndryshimi më i rëndësishëm është se më në fund do të mund të themi, me krenari: ‘Ky është profesioni im’”, tha ai.
Çfarë vjen më pas
Sapo Lee të japë miratimin përfundimtar për projektligjin, qeveria do të ketë dy vjet kohë për të hartuar udhëzime të reja nënligjore — duke e lënë industrinë e tatuazheve në një zonë të përkohshme gri, ku do të jetë teknikisht e ligjshme, por ende pa rregullime të plota. Rregullorja mund të përfshijë rregulla mbi higjienën dhe sigurinë, kualifikimet ose certifikatat e kërkuara, dhe mbrojtje të tjera për klientët dhe artistët.
Por Kim shprehu besim në këtë proces, duke thënë se artistët si ai nuk po përgatiteshin për këtë moment vetëm prej javësh apo muajsh — por se ata kanë pritur për dekada.
“Pas gati 20 vitesh që bëj këtë punë, ndihet sikur më në fund po njihemi për ruajtjen dhe zhvillimin e kësaj kulture”, tha ai. “Një person që vizaton në letër konsiderohet artist, dhe një person që vizaton në lëkurë është gjithashtu artist”, tha ai. “Por pse është kështu që në gjithë botën, tatuazhet konsiderohen art, ndërsa në Korenë e Jugut ato kategorizohen si procedurë mjekësore sipas ligjit mjekësor? Prandaj po punojmë për të mbrojtur këtë kulturë — që tatuazhet të njihen si art”.
Discover more from Illyran Info
Subscribe to get the latest posts sent to your email.
You must be logged in to post a comment.