Begaj në OKB kërkon njohjen dhe anëtarësimin e Kosovës në Asamble

22 Views
3 Min Read
Advertisements

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në fjalimin e tij në debatin e përgjithshëm të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, vuri theksin te roli i Kosovës si kontribuuese e paqes dhe dialogut në Ballkanin Perëndimor. Ai tha se 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka dëshmuar me vepra se është një anëtare e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar, e përkushtuar ndaj stabilitetit dhe vlerave demokratike.

“Megjithatë, vendi i Kosovës në këtë Asamble mbetet padrejtësisht bosh. Njohja e pavarësisë së Kosovës, mbështetja për anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare është një akt drejtësie ndaj popullit të Kosovës, është një hap që forcon edhe më shumë paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe një kontribut në stabilitetin e Evropës”, u shpreh Begaj.

Ai kërkoi gjithashtu respektimin e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Shqipëria kërkon qe te drejtat e liritë e shqiptarëve të luginës së Preshevës të respektohen, që shqiptarët atje të mos diskriminohen, por të integrohen, që gjuha shqipe të përdoret, kultura, vlerat, identiteti dhe traditat e tyre të mbrohen dhe promovohen”, potencoi Begaj.

Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria promovon aktivisht dialogun, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe integrimin rajonal si rruga e vetme drejt stabilitetit dhe prosperitetit të qëndrueshëm. “Vizioni ynë është integrimi, zhvillimi i qëndrueshëm dhe ruajtja e vlerave demokratike. E ardhmja e rajonit tonë qëndron te bashkëpunimi, jo konflikti,” tha ai.

Në vijim, kreu i shtetit shqiptar kujtoi udhëtimin e Shqipërisë nga izolimi tek integrimi euroatlantik dhe theksoi përkushtimin për përfundimin e negociatave të anëtarësimit në BE në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë deri në vitin 2030.

Begaj nënvizoi gjithashtu përparimet e Shqipërisë në energjinë e pastër, mbrojtjen nga ndryshimet klimatike, transformimin digjital, arsimin, shëndetësinë dhe barazinë gjinore, duke e konsideruar gjithëpërfshirjen si rrugën e vetme drejt zhvillimit të qëndrueshëm.

Ai kujtoi angazhimin e Shqipërisë në “Paktin për të Ardhmen” dhe theksoi se është koha që fjalët të kthehen në vepra për paqen, sigurinë, klimën, bashkëpunimin digjital dhe të drejtat e njeriut. “Shqipëria do të japë shembullin duke e përfshirë Paktin në Rishikimin tonë Vullnetar Kombëtar,” theksoi presidenti Begaj.


Discover more from Illyran Info

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Advertisements