Begaj: Partneriteti me SHBA thelbësor për Kosovën, vonesat në ngritjen e institucioneve dëmtojnë interesin kombëtar

8 Views
3 Min Read
Advertisements

Në një intervistë për ABC News, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, theksoi rëndësinë jetike të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sidomos në kontekstin e zhvillimeve politike në Kosovë.

Ai u shpreh se proceset integruese dhe demokratizimi i shoqërisë kosovare janë të lidhura ngushtësisht me këtë partneritet.

“Proceset integruese, demokratizimi i shoqërisë, sidomos të Kosovës, janë të lidhura ngushtësisht me partneritetin e SHBA,” tha Presidenti Begaj.

Duke komentuar situatën aktuale politike në Kosovë, ku Departamenti Amerikan i Shtetit ka ndërprerë komunikimin zyrtar me Qeverinë e Albin Kurtit, Presidenti Begaj u tregua i matur, duke e lënë analizën në dorë të autoriteteve kosovare, por duke theksuar se marrëdhënia me SHBA-në është historike dhe duhet ruajtur.

“Partneriteti strategjik me SHBA për ne shqiptarët është mjaft i rëndësishëm. Ka qenë një marrëdhënie historike që duhet të vijojë të jetë e tillë edhe në të ardhmen,” u shpreh ai.

Në lidhje me kritikat e DASH për bllokimin e ngritjes së institucioneve të reja në Kosovë, Presidenti Begaj theksoi se kjo çështje prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe jo vetëm klasën politike.

“Ngritja e institucioneve është mjaft e rëndësishme, jo vetëm për politikanët e Kosovës, por më së shumti për qytetarët e Kosovës. E drejta e popullit është për të votuar, e politikanëve është për të drejtuar,” theksoi Presidenti i Shqipërisë.

Ai nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve me aleatët historikë, duke përfshirë edhe misionet ndërkombëtare të sigurisë si KFOR në Kosovë dhe ALTEA në Bosnje.

Sa i përket marrëdhënieve me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, të cilat janë komentuar në kontekst të kritikave të DASH ndaj institucioneve kosovare, Begaj siguroi se raportet mes dy presidencave janë në nivelin e duhur dhe në funksion të interesave kombëtare.

“Kemi marrëdhënie shumë të mira, komunikojmë, bisedojmë, ndajmë mendime dhe koordinohemi për aktivitetet tona, sidomos për lobimin që Kosova të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare,” tha ai.

Presidenti Begaj shtoi se vonesat në ngritjen e institucioneve dëmtojnë jo vetëm Kosovën, por edhe interesin kombëtar në tërësi.

“Faktori kohë është mjaft i rëndësishëm për Kosovën dhe sa më shpejt të ngrihen institucionet, aq më mirë do të jetë për shtetin e Kosovës. Jo vetëm për shtetin e Kosovës, por për gjithë shqiptarët,” deklaroi ai.

Në fund të intervistës, duke komentuar ndikimin rajonal të zhvillimeve në Kosovë, Begaj theksoi rëndësinë e unitetit kombëtar dhe fuqinë e bashkëpunimit mes shqiptarëve kudo që ndodhen.

“Ne si shqiptarë duhet të jemi të gjithë bashkë. Kemi shprehjen tonë: bashkë jemi më të fortë,” përfundoi Presidenti Begaj.


Discover more from Illyran Info

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Advertisements