Serbi Dario Ristiq, i njohur me nofkën “Brzi”, u arrestua në fund të javës së kaluar në Aeroportin Ndërkombëtar të Sarajevës, pas kthimit të tij nga Rusia. Ai dyshohet se ka marrë pjesë në një fushë beteje të huaj, konkretisht në luftën në Ukrainë, si pjesëtar i forcave ruse.
Sipas raportimeve të portalit investigativ Istraga.ba, Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës ka urdhëruar ndalimin e tij në paraburgim për një periudhë prej një muaji.
Ristiq, i lindur në vitin 1990 në Modrica, kishte lënë Bosnjën dhe Hercegovinën në vitin 2023 për të udhëtuar drejt Ukrainës, ku iu bashkua njësisë ushtarake ruse të njohur si “Arinjtë e Përhershëm”. Gjatë pjesëmarrjes në luftë, ai humbi një këmbë dhe si rezultat iu dha shtetësia ruse nga autoritetet e Federatës Ruse.
Më 13 mars 2024, Interpoli lëshoi një urdhër arresti ndërkombëtar ndaj tij. Ai u kthye në Bosnjë përmes një fluturimi nga Rusia me ndalesë në Stamboll. Gjatë kontrollit në aeroport, ai u identifikua nga Policia Kufitare dhe më pas iu dorëzua autoriteteve gjyqësore të BeH.
Provat për përfshirjen e tij në konflikt u siguruan përmes fotografive dhe postimeve në rrjetet sociale Telegram dhe Vkontakte, ku shihej i veshur me uniformë ushtarake në llogore, duke përshëndetur vendlindjen e tij, Modriçën. Hetuesit dhe gazetarët arritën të ndjekin itinerarin e tij nga udhëtimi në Sarajevë në nëntor 2023 deri në përfshirjen e tij në frontin e luftës në mars 2024.
Pavarësisht se kishte shtetësi ruse, Ristiq zgjodhi të kthehej në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku tani përballet me akuza për pjesëmarrje në një fushë beteje të huaj – vepër e ndaluar me ligj në këtë shtet.
Discover more from Illyran Info
Subscribe to get the latest posts sent to your email.