Cikël me poezi nga Bedri Tahiri

Illyrian
2 Min Read

HISTORIA

Reklama

Luigji XIV paskësh thënë:
“Shteti jam unë” dhe pikë!
Oborrtarët i bënin temena
Populli heshtte, kishte frikë
Dhe, kjo Mësuesja e jetës
Nga të tilla huqe nuk u lirua
Ca kokëgdhe seç krekosen:
“Historia ka nisur me MUA”!

Reklama

Reklama

VALLJA E OSMAN TAKËS

Osman Taka djalë i Konispolit
Trimi i papërkulur i Çamërisë
Besnik në rrugën e babait Sulçe
Luftëtar i zoti kundër Perandorisë

Programin e Lidhjes së Prizrenit
E zbatoi në Lidhjen e Prevezës
Besëlidhja për bashkim kombëtar
Kudo në beteja, u burgos në Janinë

I pathyeshëm në qelitë e egërsisë
E dënuan rëndë, me varje në litar
Dëshira e fundit e trimit duarlidhur
Ta luante vallen e bukur çame

Dhe, mu në “Sheshin e Kërcimit”
Biri i Çamërisë n’kostum kombëtar
Hidhej aq bukur mbi të voglën sofër
Valiu turk ngel pa mend, ia fali jetën

Vallja më e vjetër e Çamërisë
Nisi jetë të re me një emër tjetër
Shëmbëlltyrë e atdhedashurisë
Lapidar: Vallja e Osman Takës!

KAMELEONËT

Sa më tepër që vete koha
Ujërat vijnë dhe qetësohen
Rëra e mbetur shul shakull
Fytyrëmaskat qartësohen

Përkuljet deri në gjunjëzim
Para atyre që gati i kryqëzuan
Një sakrilegj i paparë, unikat
Medet se si u kameleonizuan!

Ah, sa paskësh pasur të drejtë
Mujë Loshi që prore thoshte:
Mos provo të jesh ai që nuk je
Se më nuk mbetesh as ai që je!

Të tillët po i shohim çdo ditë
Dhe, turpi fare si nuk po i vret
Ne e themi përrallën e mbretit
Ata po e marrin për të vërtetë!

Lini një koment

Please Login to Comment.