Cilët janë lumenjtë e Kosovës dhe si mund t`i vizitojmë ata?

Illyrian Info
36 Views
4 Min Read
Reklama

Kosova nuk gëzon namin e një vendi të pasur me ujëra. Megjithatë, vendin e përshkojnë një numër lumenjsh, të cilët me bukurinë e tyre ia vlen të vizitohen dhe të shijohen

Drini i Bardhë – burimi, kanioni, rrjedha
Burimi i Drinit të Bardhë është ujëvara më e madhe në Kosovë dhe gjithsesi se ja vlen të shkohet e të shihet. Nuk është si ujëvara e Rajnës (Rheinfall) por megjithatë është një gjë me të cilën ia vlen të mburremi që e kemi dhe në veçanti që tashmë trajtohet si atraksion dhe rrugët për të arritur aty janë të mira.


Burimi i Drinit të Bardhë është një vend që mund të vizitohet nga e tërë familja. Deri afër tij shkohet me veturë dhe për të arritur te burimi duhet edhe një ecje prej 10 minutash. Komuna është kujdesur që aty të jetë një urë dhe disa shkallë që ujëvara të shihet më mirë dhe të jetë e sigurt për vizitorin.


Gjithsesi se për ata që janë më ambiciozë, kjo vizitë në ujëvarën e Drinit të Bardhë mund të kombinohet me ecje të tjera në këtë pjesë të Kosovës, të pasur me pyje, reliev shkëmbor dhe shumë lloje të zogjve dhe shtazëve të imta dhe të mëdha. Në të vërtetë takimi me kafshë të mëdha mbetet shumë i rrallë sidomos gjatë sezonit kur ka shumë zhurmë në këtë rajon.


Një gjë tjetër që mund të shihet në këtë pjesë është edhe shpella e Radavcit. Ajo nuk është sikur burimi, që është rregulluar për një vizitë të lehtë. Një pjesë e Shpellës së Radavcit është e mbyllur ndërsa një pjesë tjetër është e hapur për të gjithë. Për tu futur, duhet të përkuleni por gjithsesi se ia vlen. Kjo shpellë konsiderohet se ka qenë e banuar shumë herët dhe aty janë bërë shumë gërmime, mirëpo ende nuk është arritur që të bëhet një atraksion turistik. Sidoqoftë, ata që dëshirojnë, mund të tentojnë të futen brenda.
I gjithë territori i Radavcit është një zonë shumë e bukur dhe mjaft e ruajtur. Banorët kanë kthyer livadhet në restorante të cilat shërbejnë troftën e Kalifornisë të kultivuar në bazenet e veta, si dhe ushqime të tjera edhe tradicionale edhe internacionale. Disa nga restorantet janë kujdesur më shumë për ambientin e disa të tjera e kanë mbushur beton, mirëpo asnjëherë nuk është bërë ndonjë dëm tepër i madh.


Një objekt tjetër që mund të vizitohet në vendlindjen e lumit më të madh të Kosovës është edhe hidrocentrali. Brenda nuk mund të hyhet mirëpo kur kalon pranë dëgjohet zhurma e motorit që gjeneron energji elektrike.
Drini i Bardhë si lumi më i madh në Kosovë lind këtu, në Radavc, vazhdon në drejtim të Klinës ku bashkohet me Lumbardhin e Pejës, lumenjtë: Klina, Mirusha, Ereniku, Lumbardhi i Prizrenit që të shkojë në Shqipëri ku në liqenin e Komanit bashkohet me Drinin e Zi për tu derdhur në Detin Adriatik, afër Lagunës së Patokut, në Shqipëri.


Drini i Bardhë përbën 40 për qind të ujërave të Kosovës.
Vendi: Fshati Radavc, nga Peja në drejtim të Rozhajës

Koha e aktivitetit: 2-orë – një ditë e plotë nëse përfshihet edhe restoranti
Tema: Trashëgimi natyrore, ushqim
Çmimi dreka 5-10 euro, vizitat falas


Zbuloni më tepër nga Illyran Info

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Reklama
TAGGED: