Hapësira ajrore mbi aeroportin e Aalborgut në Danimarkë u rihap të premten herët në mëngjes, pasi u mbyll për të dytën natë radhazi për shkak të dyshimeve për aktivitet dronësh.
“Hapësira ajrore mbi aeroportin e Aalborgut është rihapur të premten në orën 00:35 pasi ishte mbyllur për shkak të dyshimeve për prani dronësh,” thuhej në një postim të policisë në rrjetin social X.
Hapësira ajrore u mbyll thuajse një orë më herët, të enjten në orën 23:40 sipas orës lokale, pasi ishte raportuar një shfaqje e dyshimtë e një droni në zonë, tha policia për agjencinë e lajmeve Ritzau.
Një natë më parë, aeroporti i Aalborgut, i cili përdoret si për fluturime komerciale ashtu edhe për ato ushtarake u mbyll për rreth tre orë për shkak të pranishmërisë së dronëve në hapësirën ajrore të tij. Kjo ndodhi vetëm disa ditë pasi edhe aeroporti kryesor i vendit, ai i Kopenhagenit, u mbyll për arsye të ngjashme, duke ngritur shqetësime për sigurinë në nivel europian.
Ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, deklaroi të enjten se misionet e përnatshme me dronë përbëjnë sulme hibride duke kombinuar taktika ushtarake dhe të fshehta dhe kanë për qëllim përhapjen e frikës.
Zyrtarët danezë thanë se ende nuk dihet kush qëndron pas këtyre incidenteve, dhe Danimarka nuk ka vendosur ende nëse do të aktivizojë Nenin 4 të NATO-s, i cili u jep anëtarëve të drejtën të kërkojnë konsultime mbi çështje të sigurisë.
Discover more from Illyran Info
Subscribe to get the latest posts sent to your email.