Shopping Cart
Total:

 0,00

Items:

0

Your cart is empty
Keep Shopping

Dështon tentativa e 12-të për konstituimin e Kuvendit (VIDEO)

Ka dështuar edhe seanca e 12-të konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Ajo e radhës pritet të mbahet pas 48 orësh, pra më 9 maj duke filluar nga ora 10:00.

Haxhiu për letrën e LDK-së: E papranueshme, ka tendencë që vullneti i popullit të injorohet

Deputetja e betuar e VV-së, Albulena Haxhiu, njëkohësisht kandidate e kësaj partie për Kryetare të Kuvendit, e ka komentuar letrën e dërguar nga LDK-ja drejt Albin Kurtit.

Ajo tha se propozimi është i papranueshëm.

“E papranueshme që të injorohet vullneti i qytetarëve, ne nuk kemi pasur zgjedhje para 2-3 vjetësh por para 3 muajve. Ka tendencë të hapur që vullneti i popullit të injorohet”, tha ajo.

Tutje, Haxhiu tha se ende mungon vullneti i opozitës për të dhënë kontributin që të konstituohet kuvendi.

“Për mua është i paqartë pozicioni i tyre që fare nuk marrin pjesë në votimin për komisionin. Është votim demokratik për shumë pozicione. Urojmë që të reflektojnë”, tha Haxhiu, njofton Klankosova.tv.


Bajrami: Qeveria e tranzicionit – e vetmja zgjidhje për të zhbllokuar institucionet

Deputetja e betuar e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se qeveria e tranzicionit e propozuar nga kjo parti, është e vetmja zgjidhje për të zhbllokuar institucionet e Kosovës.

Para mediave pas dështimit të seancës, ajo tha se LDK-ja është në pritje të përgjigjeve zyrtare nga liderët e partive rreth propozimit të Abdixhikut për qeveri nacionale të tranzicionit.

“Na vie keq mirëpo po shihet qartë se kush është bllokuesi dhe kujt i mungon vullneti politik për zhbllokim të institucioneve”, tha ajo, njofton Klankosova.tv.

“Kur nuk i ke numrat si rasti i VV-së nuk mund t’ua diktosh të tjerëve mënyrën për zhbllokimin e institucioneve. LDK ka shprehur vullnetin politik dhe tanimë e ka në tavolinë një propozim të qartë për qeveri të tranzicionit e cila do ta zhbllokonte situatën komplet dhe do të rezultonte në konstituimin e institucioneve”.

“Ne jemi në pritje të përgjigjeve zyrtare nga liderët e partive, besojmë si parti se kjo është për momentin e vetmja zgjidhje për zhbllokim”, u shpreh Bajrami.


“Po pres informacione shtesë”, thotë Limaj për propozimin e LDK-së

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj është deklaruar pasi seanca konstituive ka dështuar për herë të 12-të sot.

Ai para mediave tha se gjatë ditëve në vijim pret të marrë informacione shtesë lidhur me propozimin e LDK-së për qeveri të tranzicionit, njofton Klankosova.tv.

“Ka shum pyetje që duhet të bëhen rreth këtij propozomi. Pres ditët në vijim që të marrim informacione shtesë”, u shpreh Limaj.


Dështimi i seancës, Krasniqi i acaruar: Dhunim i vullnetit të qytetarëve, VV po e mban peng shtetin

”Ky është një degradim. Ky është edhe dhunim i vullnetit të qytetarëve të Kosovës”.

”Zgjedhjet kanë prodhuar këtë përbërje të Kuvendit që e ka për obligim”.

”Tendenca imponuese, mospajtimi i tyre me faktin që s’kanë shumicë dhe s’do ketë shumicë parlamentare e kanë lënë peng shtetin”.

”Vendi duhet t’i ketë institucionet e konsoliduara. Qeveria e re duhet të votohet, por secili duhet ta luaj rolin e vet. Zgjidhja tashmë është evidente, e cila ka dështu dhe do të dështojë sa herë që vjen në Kuvend”.

”Ftoj edhe një herë Albin Kurtin të na tregojë a e ka më të rëndësishme Albulena Haxhun a 1 milionë qytetarë?”.


Dështon tentativa e 12-të për konstituimin e Kuvendit (VIDEO) 
Ka dështuar edhe tentativa e 12-të e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, transmeton Klankosova.tv.

Komisioni për votim të fshehtë për kryeparlamentarin nuk kaloi as sot, pasi 56 deputetë votuan për, një kundër dhe nuk pati asnjë abstenim, përcjell Klankosova.tv.

Seanca është ndërprerë, për të vazhduar kështu me tentativën e radhës më 9 maj në orën 10.


S’kalon votimi i fshehtë, kryhet edhe kjo seancë

Episodi i 12-të përfundoi. Kuvendi nuk u konstituua sot dhe seanca u shtye për 9 maj.

Komisioni për votim të fshehtë për kryeparlamentarin nuk kaloi dhe për pasojë, kryesuesi Avni Dehari e ndërpre seancën.

Kjo dramë politike po vazhdon dhe akoma s’dihet se çka do të ndodhë më tutje për zhbllokim./Klankosova.tv.


Partitë joshumicë kanë vërejtje për Abdixhikun: Nuk u përfshimë në propozim

Elbert Krasniqi ka dhënë një vërejtje për liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për siç tha përjashtimin përfaqësuesve të subjekteve joshumicë parlamentare në propozimin e tij për qeverinë e tranzicionit.

Kjo ai theksoi se nuk është në frymën multietnike të Republikës së Kosovës, transmeton klankosova.tv.

”Ne përfaqësuesit e subjekteve jemi për formimin e institucioneve sa më parë dhe sa më shpejt që të ketë stabilitet dhe përfaqësim”.

”Po përcjellim me vëmendje zhvillimet e fundit, kemi vërejtje të madhe në deklaratën për media për Lumir Abdixhiku që u bënë thirrje vetëm partitë politike shqiptare dhe përjashton përfaqësuesit e subjekteve joshumicë parlamentare”.

”Kjo qasje përjashtuese nuk është në frymën multietnike të Republikës së Kosovës”.


Limaj i paqartë për propozimin e Abdixhikut, megjithatë s’e refuzon takimin!

Lideri i Nismas Socialdemokrate, Fatmir Limaj nuk foli qartë mbi qëndrimin e tij për propozimin e liderit të LDK-së për qeveri të tranzicionit, megjithatë ai u shpreh se është pro takimit dhe nuk refuzon ato.

Qëndrimin e tij të plotë, ai e la pas seancës së sotme, transmeton klankosova.tv.


Haradinaj: Mirëpres mundësinë konsultative të LDK-së, por angazhohem për qeveri të Opozitës

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është deklaruar para mediave pak para fillimit të seancës së 12-të konstituive.

Ai tha se nuk i pengon ftesa e LDK-së, por angazhohet për qeveri të Opozitës, njofton Klankosova.tv.

“Ajo që mund të them është se unë e mirëpres mundësinë konsultative. Qëndrimet ndryshojnë, unë angazhohem për qeveri të Opozitës dhe vazhdoj me qenë në këtë qëndrim. Jam i hapur për konsulta, në këtë rast me LDK-në dhe PDK-në, me partitë parlamentare të Opozitës”.

“Ftesa për konsulta nuk ka gjë të keqe, mund të konsultohemi bilateral me LDK-në, trelateral me PDK-në. Nuk e shoh të keqe ftesën për konsulta, nuk na pengon”, tha Haradinaj.


Kërçeli: Thirrni mbledhje – njoftoni se keni marrë vendim që mos të futeni në qeveri pa PDK-në

Deputeti i betuar i VV-së, Ilir Kërçeli i është drejtuar LDK-së, duke thënë se kur një letre e cila sipas tij, thërret për bashkëqeverisje i përgjigjesh me arrogancë e me ide që sipas Kërçeli, në fillim janë qesharake e të pa bazuara në realitet, atëhere siç tha ai, nuk e ki gajlën e qytetarëve, “por të atyre qe premtimin si duket e keni zëvëndësuar me aksione brenda LDK-së”.

Kërçeli përmes një postimi në Facebook i tha LDK-së që të thërrasin mbledhje të këshillit përgjithshëm të LDK-së dhe sipas tij, të tregojnë se kanë marrë vendim që mos te futeni në qeveri pa PDK-në, përcjell Klankosova.tv.

“Në zgjedhje deklaronin se vendit të parë i takon pozita e kryeministrit. Kurse tash po thojn se Lëvizja Vetëvendosje me 48 deputetë e me kandidatin më të votuar për kryeministër me 337 mijë e 101 vota apo vetëm 30 mijë vota më pak se të tre kandidatët për kryeministra bashkë (Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku, Ramush Haradinaj) të vjen në një qeveri tranzitore”.

“Kur një letre e cila të thërret për bashkëqeverisje i përgjigjesh me arrogancë e me ide që në fillim janë qesharake e të pa bazuara në realitet, atëhere nuk e ki gajlën e qytetarëve, por të atyre qe premtimin si duket e keni zevendsuar me aksione brenda LDK-së. Thirrne një mbledhje të këshillit përgjithshëm të LDK-së, njoftoni se keni marrë vendim që mos te futeni në qeveri pa PDK-në”, ka shkruar ai.


Rexhaj pyetet për propozimin e Abdixhikut: Jo – nuk kemi çka ulemi, është devijim i popullit

Arbër Rexhaj i betuar si deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se subjekti që ky përfaqëson, nuk do ulet në tryezë për të diskutuar propozimin e Lumir Abdixhikut për qeveri tranzicioni.

Kjo anise shfaqi ankesa për mënyrën e përgjigjes së LDK-së, qoftë edhe për refuzum, e cila ua tha vetëm përmes një letre, transmeton klankosova.tv.

”Është dashtë të ulemi në tavolinë”.

”Mosulja e Abdixhikut qoftë për t’i thënë jo, qoftë për të gjetë mundësi të tjera në tavolinë, ose kur ke dallime apo për të propozuar gjëra të tjera, mund të ulesh në tavolinë edhe për ta propozuar në tavolinë një datë të zgjedhjeve – kanë frikë nga zgjedhjet në anën tjetër, dhe propozojnë gjëra të tjera”.

VV u pyet a do të uleni në tavolinë për ta diskutuar qeverinë e tranzicionit, dhe Rexhaj pasoi me komentin:

”Jo. Nuk kemi çka ulemi, ky është devijim i popullit”.


Propozimi për qeveri tranzicioni, Kusari-Lila: S’është në rregull – duhet një qeveri që ka pozitë e opozitë

Deputetja e betuar e VV-së, Mimoza Kusari-Lila në deklarimin e saj para fillimit të seancës konstituive, foli në lidhje me propozimin e LDK-së për qeveri tranzicioni.

Ajo u shpreh se një gjë e tillë nuk është në rregull, derisa tha se duhet të kemi një qeveri e cila përmbën pozitën dhe opozitën, përcjell Klankosova.tv.

“Nuk është në rregull, në fakt ne duhet të kemi një qeveri e cila përmbën pozitën dhe opozitën. Në elementin e mirëfillt të funksionimit të demoracisë, llogaridhënia është bazë”.

“Prandaj, të pasurit të gjitha partitë bashkë të qeverisjes, nuk e besoj se është në të mirë as të qytetarëve të Republikës e as që do t’i sjellë ndonjë dobi vendit”, u shpreh tutje Kusari-Lila.


Berisha: Abdixhiku s’ka nevojë të më ftojë për qeveri të përbashkët me Kurtin

Deputeti i betuar i AAK-së, Bekë Berisha tha se Lumir Abdixhiku nuk ka nevojë ta ftojë për të bërë një qeveri të përbashkët me Albin Kurtin.

Siç tha ai para mediave, “me dashtë e bëj vet”.

“Mendoj se Kurti dhe Abdixhiku janë dy anët e të njëjtës medalje. Ky po na fton neve si “unë s’po guxoj me shku vet për me nda fajin për asociacionin me Kurtin, e po na thotë hajde të bëhemi bashkë të gjithë, dhe të marrim përgjegjësi”, tha Berisha, njofton Klankosova.tv.


Peci: Kosova s’ka nevojë për qeveri tranzicioni, por stabile

Deputeti i betuar i VV-së, Faton Peci është deklaruar para mediave lidhur me propozimin e LDK-së për qeveri nacionale të tranzicionit.

Ai tha se Kosova nuk ka nevojë për qeveri të tranzicionit, por për qeveri stabile, njofton Klankosova.tv.

“Nuk po them që shkojmë në takim, apo jo. Sa i përket qeverisë tranzicionale mendoj që Kosova ka nevojë për qeveri stabile. Jam prej të parëve që kam preferuar një koalicion të shumicës shqiptare. Duhet marrëveshje politike për konstituim të Kuvendit dhe caktimin e afateve kohore dhe në koordinim me presidenten pastaj se kur do të mund të mbahen zgjedhjet e reja. Të jeni të sigurt se kushdo që do të ishte kandidati i parë për kryetar Kuvendit nuk do t’i merrte votat, është vetëm alibi për të vazhduar bllokadën”, tha Peci.

11
0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x