“Do t’i çregjistroj fëmijët nga shkolla” – reagimet e serbëve ndaj integrimit

28 Views
8 Min Read
Advertisements

“Pika që mbush kupën” – kështu e përshkruan Markoja nga Graçanica paralajmërimin për integrimin e institucioneve serbe të arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Kosovës.

“Qëndrimi im është i qartë: fëmijët nuk do t’i dërgoj në shkollë të sistemit të Kosovës. Në momentin kur arsimi të integrohet, unë do t’i çregjistroj nga shkolla dhe do t’i çoj në Serbi”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Edhe pse disa politikanë kosovarë premtojnë se komuniteti serb do të konsultohet për këtë proces, Markoja mendon se integrimi i këtyre dy sektorëve, është i pamundur pa dëmtuar fëmijët që shkollohen ose pacientët që trajtohen në instituc

Pas luftës së vitit 1999, Serbia i zhvendosi institucionet e saj arsimore dhe shëndetësore në zonat me shumicë serbe të Kosovës.

Ato vazhdojnë të funksionojnë edhe sot: ambulanca lokale, shtëpi të shëndetit, Qendra Klinike në Graçanicë dhe në Mitrovicë të Veriut, si dhe Qendra Shëndetësore në Pasjan, afër Gjilanit.Në të njëjtën mënyrë funksionojnë edhe kopshte, shkolla fillore e të mesme, si dhe Universiteti në Mitrovicën e Veriut, ku mësimi bëhet sipas programeve të Serbisë.Dejani nga Graçanica mendon se është e papërgjegjshme që disa politikanë përmendin publikisht integrimin, pa sqaruar se si do të bëhej, kush do të merrte pjesë në proces dhe çfarë modeli do të ndiqej.“Qartazi, e gjithë kjo që po ndodh, nuk ka të bëjë fare me demokracinë, sepse askush nuk pyet asgjë. Për ne do të ishte më mirë që së paku arsimi dhe kujdesi shëndetësor të mbeteshin siç janë”, thotë ai.Dejani shfaq shpresën se Beogradi zyrtar dhe bashkësia ndërkombëtare “do ta marrin seriozisht” mundësinë e, siç thotë, “krijimit të një hapësire etnikisht të pastër”.Pensionistët Dobrilla dhe Sllobodani janë gjithashtu të shqetësuar, sepse besojnë se mundësitë e tyre për trajtim do të jenë më të kufizuara.“Si për të gjithë, ashtu edhe për ne”, shprehen ata.Një banore e Mitrovicës së Veriut, që nuk dëshiron të identifikohet fare, beson se marrëveshja për integrim është arritur tashmë mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe se askush nuk do t’i kërkojë mendim popullit.“Do t’i pranojmë ndoshta të gjitha, siç kemi pranuar kartat e identitetit, pasaportat, targat e veturave dhe regjistrimin e popullsisë”, thotë ajo.

Rashiq: Duhen konsultime me përfshirjen edhe të Listës Serbe

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës në detyrë, Nenad Rashiq, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se integrimi i arsimit dhe shëndetësisë serbe në sistemin e Kosovës është një proces që duhet të ndodhë, por vetëm pas konsultimeve dhe harmonizimit të qëndrimeve, në mënyrë që të mos ketë “pasoja të dhimbshme” për komunitetin serb.

Ai tha se do të konsultohet edhe me Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.Kjo parti tashmë është shprehur kundër integrimit të sektorëve të shëndetësisë dhe arsimit në sistemin e Kosovës.

Zyrtarë të saj kanë thënë se këto fusha nuk kanë qenë pjesë e negociatave në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ndaj nuk do të lejojnë integrimin e tyre.

Rregullimi i shëndetësisë dhe arsimit është përmendur në kuadër të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2013.

Ky asociacion, mes tjetash, do të duhej të rregullonte funksionimin e institucioneve serbe në Kosovë dhe marrjen e financave nga buxheti i Serbisë.

Megjithatë, Kosova refuzon ta formojë, me shpjegimin se do të minonte ligjet dhe Kushtetutën e vendit.

Pas përpjekjeve të gjata dhe të dështuara të bashkësisë ndërkombëtare për t’i harmonizuar qëndrimet e Prishtinës dhe Beogradit për këtë çështje, BE-ja, në fund të tetorit të vitit 2023, ka njoftuar se u ka dorëzuar palëve një “draft-statut modern” për formimin e Asociacionit, i cili është mbështetur edhe nga vendet tjera perëndimore: SHBA-ja, Gjermania, Franca dhe Italia.

Sipas këtij draft-statuti, i cili nuk është publikuar, por në të cilin REL-i ka pasur qasje, institucionet arsimore dhe shëndetësore që funksionojnë në Kosovë sipas sistemit të Serbisë, duhet të bëhen private nën ombrellën e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia do të jepte kontribut financiar.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua BE-së dhe vendeve të QUINT-it – SHBA-së, Britanisë së Madhe, Italisë, Gjermanisë dhe Francës – me pyetjen se a e mbështesin ende formimin e Asociacionit dhe cili është qëndrimi i tyre në lidhje me integrimin e arsimit dhe sistemit serb shëndetësor në sistemin e Kosovës.

Përgjigje mori vetëm nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, ku u tha se ambasadori në largim, Jorn Rohde, ka komentuar tashmë mbi këtë çështje.Bëhet fjalë për një reagim ndaj deklaratave të Listës Serbe, se çështjet e shëndetësisë dhe arsimit nuk janë diskutuar brenda dialogut.

Rohde tha se një gjë e tillë, thjesht, nuk është e vërtetë.Sipas tij, Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 përfshin gjashtë pika që lidhen me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe se Marrëveshja e fundit e Ohrit e vitit 2023 përcakton qartë integrimin e institucioneve të lartpërmendura në sistemin institucional të Kosovës, nën ombrellën e Asociacionit.

Edhe e ngarkuara me punë e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, tha në fillim të shtatorit se të gjitha institucionet serbe duhet të integrohen në sistemin e Kosovës – përfshirë edhe shëndetësinë dhe arsimin – por se kjo duhet të ndodhë në konsultim me komunitetin serb.

Ministri në detyrë, Rashiq, i cili është gjithashtu anëtar i Kuvendit të Kosovës, tha se është e rëndësishme që të ketë “një formë të Asociacionit”, sepse kjo do t’u ofronte serbëve një garanci fillestare se integrimi nuk do t’i lërë pa punë dhe siguri.

Një grup studentësh nga Mitrovica e Veriut, disa përfaqësues politikë serbë dhe organizata të ndryshme kanë kërkuar nga Beogradi që të dalë me një qëndrim dhe të informojë publikun për planet e tij, duke sqaruar saktësisht se si synon ta “zgjidhë problemin e ri të krijuar”.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka lëshuar deklarata duke kritikuar autoritetet e Kosovës, por nuk ka shpjeguar qartë nëse është planifikuar që dy sektorët të integrohen ose jo.

Ministri serb i Shëndetësisë, Zllatibor Llonçar, ka thënë më 19 shtator se sistemi i kujdesit shëndetësor në mjediset me shumicë serbe në Kosovë vepron brenda sistemit të Serbisë, në përputhje me marrëveshjet e Brukselit të viteve 2013 dhe 2015 mes Kosovës dhe Serbisë, dhe se nuk ka asnjë bazë që autoritetet e Kosovës “t’i marrin përsipër institucionet tona të kujdesit shëndetësor”.

Ministria serbe e Arsimit nuk ka komentuar ende.


Discover more from Illyran Info

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Advertisements