DREJT FUNDIT Në Speciale merren vendime të rëndësishme për rastin e krerëve të UÇK-së

Illyrian Info
616 Views
3 Min Read
Advertisements

Procesi në Hagë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit hyn në një fazë vendimtare, pasi Gjykata ka përcaktuar datat e dorëzimit të provave dhe kohën e mbylljes së fazës së mbrojtjes.

Trupi Gjykues në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Speciale ka marrë disa vendime të rëndësishme që shënojnë fazën përfundimtare të gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

I kryesuar nga gjyqtari Charles L. Smith III, paneli ka përcaktuar afate të reja për dorëzimin e dëshmive dhe dokumenteve, si dhe një datë të synuar për mbylljen e paraqitjes së provave nga mbrojtja.

Palët u informuan se para pushimeve gjyqësore të 22 dhjetorit 2025 do të duhet të dorëzojnë përmbledhjet përfundimtare të gjykimit, si dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara te viktimat pjesëmarrëse në proces.

DOKUMENT:

Sipas urdhrit, mbrojtja e Thaçit është e detyruar të dorëzojë përmbledhjet dhe deklaratat e dëshmitarëve të mbetur jo më vonë se tre javë para paraqitjes së tyre në gjykatë. Po ashtu, çdo kërkesë për masa mbrojtëse për dëshmitarë duhet të bëhet brenda të njëjtit afat. Paneli caktoi datën 10 shtator 2025 si afatin përfundimtar për paraqitjen e kërkesave që lidhen me dëshmitarë të veçantë sipas rregullave 153 dhe 155.

Gjykata gjithashtu urdhëroi që deri më 15 shtator 2025 mbrojtja të dorëzojë një kërkesë të konsoliduar për pranimin e dokumenteve që nuk kundërshtohen nga Prokuroria Speciale. Ndërkaq, çdo kërkesë e fundit për dokumente duhet të bëhet brenda një jave pas dëshmisë së fundit të mbrojtjes.

DOKUMENT:

Sa i përket kohëzgjatjes së procesit, paneli vendosi që faza e mbrojtjes të synojë të përfundojë më 14 nëntor 2025 ose një javë pas dëshmisë së fundit, në varësi të rrethanave. Gjykata ka paralajmëruar se mund të shtojë një javë shtesë seancash në tetor për të siguruar përfundimin e procesit brenda afateve.

Siç raportoi dje VOX Kosova, avokatja e Hashim Thaçit, Sophie Menegon tha se gjasat janë që paraqitja e përmbledhjeve përfundimtare të gjykimit dhe fjalëve përmbyllëse të caktohet në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm.

“Rasti i mbrojtjes së z. Thaçi në Rastin 06 është planifikuar të fillojë më 15 shtator 2025. Ai do t’i marrë shumicën, në mos të gjithë kohën, z. Thaçi. Pritet të zgjasë deri në mesin e nëntorit 2025. Pjesa e mbetur e provave të mbrojtjes në Rastin 06 pritet të dëgjohet gjatë muajit nëntor, ndërsa paraqitja e përmbledhjeve përfundimtare të gjykimit dhe fjalëve përmbyllëse ka gjasa të planifikohet në tremujorin e parë të vitit 2026”, tha avokatja Menegon e Thaçit.

Në seancë gjatë shtatorit pritet të jenë prezent edhe zyrtarë amerikanë.


Discover more from Illyran Info

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Advertisements
TAGGED: