Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari John Duncan tha se gjatë negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së demilitarizimit, Agim Çeku ishte krahu ushtarak ndërsa Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi ishin ai politik.
“Çeku ishte shefi i krahut ushtarak. Ndërsa, zoti Thaçi dhe zoti Krasniqi kryenin funksione politike”, tha Duncan, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Përveç kësaj, Duncan tha se gjatë negociatave, s’e ka parë asnjëherë Thaçin ose Krasniqin të përfshihen në diskutime ushtarake përveç atyre politike.
“Nga gjithë ajo që kam parë në negociatat për atë marrëveshje, zoti Thaçi dhe zoti Krasniqi asnjëherë nuk janë futur në çështje ushtarake. Në asnjë rast nuk kam parë as njërin as tjetrin të jenë futur në çështje ushtarake. Ata kanë folur vetëm për aspekte politike. Po ashtu, zoti Çeku ka folur vetëm për çështje ushtarake dhe nuk ka folur për çështje politike. Kështu që duhet bërë një dallim praktik lidhur me këtë bisedë dhe rolin që ata kanë pasur”, tha Duncan.
Përpara kësaj, dëshmitari Duncan bëri ndarjen e këtyre dy kaheve të UÇK-së sipas pikëpamjes së tij.
“Dy kahet kishin role të veçanta por nuk kam thënë në asnjë moment që këto dyja ishin organe tërësisht të veçanta. Ishte e vështirë që të bëhej dallimi midis atyre që kishin qenë aktiv në operacione në terren ose persona që kishin marrë pjesë në operacione-luftime në terren dhe atyre që kishin zgjedhur të kenë funksione politike. Domethënë s’i ta bësh dallimin e prerë me thikë. Sigurisht që nuk mund të kesh një dallim të prerë me thikë por këta janë persona që kryejnë funksione të ndryshme dhe kjo është mënyra më e mirë që unë mund të shprehem për të iu bërë juve të qartë se kishte një krah politik dhe një krah ushtarak”, tha ai.
Sipas tij, kishte persona që fillimisht kanë qenë të përfshirë në luftime e që më pastaj kanë marrë role politike.
“Domethënë organizata guerile ishte e zakontë që të bëhej një ndarje e tillë. Kishte persona që fillimisht më shumë ishin përfshirë në luftime dhe pastaj me kalimin e kohës kishin marrë role politike”, tha ai.
Discover more from Illyran Info
Subscribe to get the latest posts sent to your email.