Dy artiste shqiptare koncert në Mozarthaus, në qendër të Vjenës

11 Views
2 Min Read
Advertisements

Në Mozarthaus në Vjenë, për herë të parë do të realizohet një koncert ku interpretojnë si duo dy shqiptare.

Koncerti do të zhvillohet nesër në mbrëmje. Artistet shqiptare Ina Kosturi dhe Rejsi Prosi do të interpretojnë pjesë nga Alberto Ginastera, Ina Kosturi dhe Aaron Copland.

Mozarthaus Vienna është një muze, kushtuar jetës dhe veprës së Wolfgang Amadeus Mozart. Ai përmban një sallë koncertesh, Bösendorfer-Saal, e cila pret koncerte të muzikës së dhomës dhe ngjarje të tjera për shkak të akustikës së saj të shkëlqyer.

Artistet shqiptare Ina Kosturi dhe Resji Prosi, do të interpretojnë aty, përkatësisht në violinë dhe piano. Tre vepra: “Sonata për violinë e piano”, “Improvisation for violin solo” dhe “Greetings from Vienna” janë kompozime të botuara nga shtëpia e famshme vieneze Universal Edition.

Ina Kosturi është violiniste, interpretuese-kompozitore, publiciste dhe profesoreshë e asociuar e violinës në Universitetin e Arteve në Tiranë. Që kur u diplomua për violinë në institucionet shqiptare dhe italiane iu përkushtua interpretimit dhe mësimdhënies, duke debutuar si soliste dhe më pas duke u evoluar në interpretuese-kompozitore.

Gjatë viteve pas diplomimit, ajo ka ndërtuar një karrierë të suksesshme koncertesh dhe recitale. Ajo ka performuar si soliste në skenën shqiptare, ka marrë shumë çmime dhe ka bashkëpunuar me artistë të njohur italianë. Repertori i saj shtrihet nga muzika e hershme e barokut deri tek muzika bashkëkohore, duke përfshirë pjesë standarde dhe më pak të njohura.

Ndërsa Rejsi Prosi është një pianiste koncertesh dhe aktualisht po ndjek studimet master në Universitetin e Muzikës dhe Arteve të Bukura në Graz të Austrisë, nën drejtimin e profesorëve Libor Novacek dhe Eike Straub. Që nga nëntori 2024, ajo ka qenë fituese e bursës prestigjioze “Live Music Now Steiermark” e themeluar nga Yehudi Menuhin. Ajo ka fituar çmime të para në garat ndërkombëtare në Itali, Francë, SHBA, Slloveni dhe Republikën Çeke, duke përfshirë një performancë solo në Carnegie Hall në mars 2023.


Discover more from Illyran Info

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Advertisements