Microsoft i ka ndërprerë ushtrisë izraelite aksesin në teknologjinë, që përdorte për të operuar një sistem të fuqishëm survejimi, i cili grumbullonte çdo ditë miliona thirrje telefonike civile palestineze në Gaza dhe Bregun Perëndimor, zbulon The Guardian.
Microsoft i tha zyrtarëve izraelitë në fundjavë se Njësia 8200, agjencia elitare e spiunazhit ushtarak, kishte shkelur kushtet e shërbimit, duke ruajtur një masë të madhe të të dhënave të survejimit në platformën e saj “Azure cloud”, thanë burime të njohura me situatën.
Vendimi për të ndërprerë mundësinë e Njësisë 8200 për të përdorur disa nga teknologjitë e Microsoft, vjen drejtpërdrejt si rezultat i një hetimi të botuar nga The Guardian muajin e kaluar. Ky hetim zbuloi sesi Azure përdorej për të ruajtur dhe përpunuar sasi të mëdha të komunikimeve palestineze në një program survejimi masiv. Në një investigim të përbashkët me median izraelito-palestineze “+972 Magazine” dhe median në gjuhën hebraike “Local Call”, The Guardian zbuloi se Microsoft dhe Njësia 8200 kishin bashkëpunuar në një plan për të zhvendosur sasi të mëdha të materialeve të ndjeshme të inteligjencës në Azure.
Projekti nisi pas një takimi në vitin 2021 mes drejtorit ekzekutiv të Microsoft, Satya Nadella, dhe komandantit atëherë të njësisë, Yossi Sariel.
Si përgjigje ndaj hetimit, Microsoft urdhëroi një hetim të jashtëm urgjent, për të rishikuar marrëdhënien me Njësinë 8200. Gjetjet fillestare çuan kompaninë në vendimin për të anuluar aksesin e njësisë, në disa nga shërbimet e saj të ruajtjes cloud dhe shërbimet e inteligjencës artificiale.
Duke shfrytëzuar kapacitetin thuajse të pakufizuar të ruajtjes dhe fuqinë përpunuese të Azure, Njësia 8200 kishte ndërtuar një sistem të pashqetësuar, që i mundësonte oficerëve të inteligjencës të grumbullonin, dëgjonin dhe analizonin përmbajtjen e thirrjeve celulare të një popullsie të tërë.
Projekti ishte aq i madh, sa brenda njësisë u krijua një moto që përshkruante shkallën dhe ambicien e tij. “Një milion thirrje në orë”.
Sipas disa burimeve, depozita e madhe e thirrjeve të përgjuara – që arrinte deri në 8,000 terabyte të dhëna – mbahej në një qendër të të dhënave të Microsoft në Holandë. Brenda pak ditësh nga publikimi i hetimit nga The Guardian, Njësia 8200 duket se i ka zhvendosur të dhënat jashtë këtij vendi.
Burime të njohura me transferimin e madh të të dhënave jashtë vendit të BE-së thanë se kjo ndodhi në fillim të gushtit. Burimet e inteligjencës thanë se Njësia 8200 planifikonte të transferonte të dhënat në platformën cloud të Amazon Web Services. As Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), as Amazon, nuk janë përgjigjur në kërkesën për koment.

Ky vendim i jashtëzakonshëm i Microsoft për të ndërprerë aksesin e njësisë në teknologjinë kyçe, u mor nën presionin e punonjësve dhe investitorëve për punën e saj me ushtrinë izraelite dhe rolin që teknologjia ka pasur në ofensivën prej pothuajse dy vjetësh në Gaza.
Një komision hetimor i Kombeve të Bashkuara ka arritur në përfundimin se Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza, një akuzë që Izraeli e mohon, por e mbështesin shumë ekspertë të së drejtës ndërkombëtare.
Hetimi i përbashkët i The Guardian nxiti protesta në selinë qendrore të Microsoft në SHBA dhe në një nga qendrat e të dhënave në Evropë, si dhe kërkesa nga një grup punonjësish, No Azure for Apartheid, për të ndërprerë të gjitha lidhjet me ushtrinë izraelite. Të enjten, zv/kryetari dhe presidenti i Microsoft, Brad Smith, njoftoi stafin për vendimin. Në një email që e pa The Guardian, ai tha se kompania kishte “ndalur dhe çaktivizuar një grup shërbimesh për një njësi brenda ministrisë izraelite të mbrojtjes”, duke përfshirë ruajtjen cloud dhe shërbimet e inteligjencës artificiale.
Smith shkroi se nuk ofrohet teknologji, për të lehtësuar survejimin masiv të civilëve. “Ne nuk ofrojmë teknologji për të lehtësuar survejimin masiv të civilëve. Këtë parim e kemi zbatuar në çdo vend të botës dhe tek ky parim kemi insistuar në mënyrë të përsëritur për më shumë se dy dekada”.
Ky vendim i jep fund papritur një periudhe trevjeçare, gjatë së cilës njësia kishte operuar programin e saj të survejimit, duke përdorur teknologjinë e Microsoft.
Njësia 8200 përdorte kapacitetet e saj të gjera të survejimit për të përgjuar dhe mbledhur thirrjet. Pastaj përdorte një zonë të veçantë dhe të ndarë brenda platformës Azure, duke mundësuar ruajtjen e të dhënave për periudha të zgjatura dhe analizimin e tyre me metoda të drejtuara nga inteligjenca artificiale.
Megjithëse, fokus fillestar i sistemit të survejimit ishte Bregu Perëndimor, ku jetojnë rreth 3 milionë palestinezë nën okupimin ushtarak izraelit, burime të inteligjencës thanë se platforma cloud ishte përdorur në ofensivë në Gaza, për të lehtësuar përgatitjen e sulmeve ajrore vdekjeprurëse.
Zbulimet theksuan sesi Izraeli ka mbështetur sulmet e tij në Gaza mbi shërbimet dhe infrastrukturën e kompanive të mëdha amerikane të teknologjisë, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 65,000 palestinezëve, kryesisht civilë, dhe krijuar një krizë të thellë humanitare dhe urie. Sipas një dokumenti që The Guardian e ka vërejtur, një drejtor i lartë i Microsoft i tha ministrisë izraelite të mbrojtjes në fundjavë se kanë provuar se një pjesë e mirë e fakteve që ka raportuar The Guardian, janë të vërteta. “Ndërsa rishikimi ynë është duke vazhduar, në këtë fazë kemi identifikuar prova që mbështesin pjesë të raportimit të Guardian”.
Drejtori i tha zyrtarëve izraelitë se Microsoft “nuk është në biznesin e lehtësimit të survejimit masiv të civilëve” dhe i njoftoi se do të “çaktivizojë” aksesin në shërbimet që mbështesnin projektin e survejimit të Njësisë 8200 e do të pezullojë përdorimin e disa produkteve të inteligjencës artificiale.
Ndërprerja është rasti i parë i njohur, ku një kompani amerikane e teknologjisë ndalon shërbimet e saj për ushtrinë izraelite, që nga fillimi i luftës së saj në Gaza.
Vendimi nuk ka ndikuar marrëdhëniet më të gjera tregtare të Microsoft me IDF-në, që gjithsesi, është një klient dhe do të vazhdojë të ketë akses në shërbimet e tjera. Ndërprerja do të ngrejë pyetje brenda Izraelit për politikën e mbajtjes së të dhënave ushtarake të ndjeshme në cloud të një pale të tretë jashtë vendit. Zbulimet e muajit të kaluar mbi përdorimin e teknologjisë Microsoft nga Njësia 8200 pasuan një hetim më të gjerë nga The Guardian dhe partnerët për marrëdhëniet midis kompanisë dhe ushtrisë izraelite.
Artikulli, i botuar në janar dhe i bazuar në dokumente, tregoi se varësia e IDF-së nga Azure dhe sistemet e saj të inteligjencës artificiale ishte rritur në fazën më intensive të fushatës në Gaza. Pas këtij raporti, Microsoft nisi rishikimin e parë për mënyrën se si IDF përdor shërbimet e saj. Në maj, kompania tha se nuk kishte gjetur “dëshmi deri më tani” që ushtria kishte shkelur kushtet e shërbimit, ose përdorur Azure dhe teknologjinë e inteligjencës artificiale për të goditur apo dëmtuar njerëz në Gaza.
Megjithatë, hetimi i dytë i The Guardian, i publikuar në gusht, që zbuloi se platforma cloud ishte përdorur për të kërkuar dhe identifikuar objektivat e bombardimeve në Gaza, detyroi kompaninë të rishikonte përfundimet e saj. Zbulimet shkaktuan alarm tek ekzekutivët e lartë të Microsoft, duke ngritur dyshime se disa nga punonjësit e saj në Izrael, nuk ishin plotësisht transparentë për njohuritë e tyre, mbi mënyrën se si Njësia 8200 përdorte Azure gjatë pyetjeve të bëra në kuadër të rishikimit.
Kompania tha se drejtuesit e saj, përfshirë Nadella-n, nuk ishin të vetëdijshëm për planet e Njësisë 8200 për të përdorur, apo për përdorimin përfundimtar të Azure, për të ruajtur përmbajtjen e thirrjeve të përgjuara palestineze.
Microsoft nisi më pas një rishikim të dytë, më të thelluar, i mbikëqyrur nga avokatët e firmës amerikane Covington & Burling. Në një shënim për stafin, Smith tha se hetimi nuk kishte akses në të dhënat e klientit, por gjetjet bazoheshin në një shqyrtim të dokumenteve të brendshme të Microsoft, email-eve dhe mesazheve midis stafit.
“Dua të shpreh mirënjohjen tonë për raportimin e Guardian”, shkroi Smith, duke vënë në dukje se ky raportim kishte nxjerrë në pah “informacione që ne nuk mund t’i kishim aksesuar, për shkak të angazhimeve tona për privatësinë e klientëve”. Ai shtoi se rishikimi i tyre vijon.
Discover more from Illyran Info
Subscribe to get the latest posts sent to your email.
You must be logged in to post a comment.