Nga Xhezair Dashi
Një grupit të brendshëm në “WhatsApp”, Faton Peci, ua kishte dërguar një paralele të vetes me “Bariun e Mirë”, Krishtin Jezus. Tashmë politikanit pushteti i kishte depërtuar, dhe krijuar një shtresë të re, thellë nën lëkurë. Apoteoza ose vetëngritja në status të krahasueshëm me hyjnoren, ishte kompletuar. Atë fotografi ia nxorën bashkëpartiakët. Ishte një karikaturë e çuditshme dhe bizarre. Dora e Jezuit që ruan qengjin me nje shtrirje që komunikon rehatim dhe dashuri dhe qengji që i vendos kokën në gjoks i sigurt dhe i ruajtur nuk ishte rasti te Peci. Qengji i Pecit ishte veç i kapur për marrëdhënie me publikun. Peci i kishte sytë te kamera. Kamera, aparat i pasinqeritetit. Pa intimtet, pa afërsi, pa ndjeshmeri. Ky imazh i Pecit mjaftoi për të përkthyer çka bluhet thellë në mendjen e tij: hubris politik dhe megallomani. Krejt kjo, megjithatë, ndihmohej me votë popullore – sigurisht, në krah të popullaritetit të Albin Kurtit. Dhe, Peci ecte: si te porosia e ungjjillit të Gjonit: si “Rehatuesi i Madh”. Por, në Mitrovicë, kur popullariteti në kurriz të Kurtit iu kthye në detyrim të garojë në kurriz të Kurtit, Pecit me ngadalë nisi t’i shembej vetëimazhi. Përzgjedhja e Pecit me dekret to autoritetit të Albin Kurtit për të garuar për udhëheqjen e Mitrovicës, a priori, pa u menduar dy herë, i komunikoi shumëkujt një fitore të lehtë, gati të padebatueshme. Peci, pas 12 tetorit “Kryetar i Mitrovicës”, fat dhe fakt i kryer. Dhe kështu, deri në debatin e parë, në qosh të mendjes edhe të vetë Pecit. Thënë biblikisht: krenaria erdhi pëprara shkatërrimit, dhe shpirti arrogant përpara rrëzimit.
Debati i parë…
Gjëja që nënvlerësohet, ajo kundrejt të cilës pritjet kalibrohen për të kollajshme – din të të befasojë thuajse çdo herë. Rasti Arian Tahiri. Pothuajse ‘incognito’ e djalë i ri ai doli nemesis i përsosur për Pecin. Në debatin e parë në ATV, Peci paraqitjen e nisi në shpërfillje të plotë të tij, dhe veten e mbajti arrogantshëm që prej fjalës së parë. Një moment gjatë debatit e përthëkoi krejt arrogancën e vet marramendëse. “Po unë jam figurë qendrore e politikës”, tha Peci, dhe përdrodhi qëndrimin trupor si shëmbëlltyrë dhe imazh të mendjelartësisë. Dhe kjo, teksa kandidati Arian Tahiri, po ia mbushte zbrazëtirat e llahtarshme të njohurive për Mitrovicën, që Faton Peci, në nëntekst e brendarreshtash, i komunikonte për të parëndësishme, për një figurë si ai: “…e politikës qendrore” dhe “eh more çun”.
Peshorja në opinionin publik, teksa ai debat po vijonte fundin, ndërroi masën e asaj se a ishte e mirëqenë fitorja e padebatuesheme e Pecit. Ky i fundit, i gërvishur në egon e tij, iu kthye formës së shantazhit: “Kam screenshota, t’i qes, s’del më në televizor hiç”. As një mijë e një profilet e Vetëvendosjes dhe Guxo-s, që punojnë me orar të plotë propagande në rrjete sociale, s’prenë klipe të ndonjë momenti triumfal të Pecit dhe t’i shpërndanin si parathënie të ‘fitores’. Ata të PDK-së, po. Kishin çka. Debatet që pasuan tashmë Pecin do ta bënin t’i përvjelë mëngët dhe të merret me punë të atypëratyshme, të menjëhershme, lokale: por, PR-i i tij ende me formulën “është njeriu më i votuar në Republikën e Kosovës, pas Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës” me përkthimin: votojeni edhe ju. As të dytin e tretin, Peci s’u mbivendos e as s’e ktheu valën e opinionit publik në favor të tij.
Debati i fundit, pa Pecin
Arian Tahiri i PDK-së, katër vjet nën tutelë të Bedri Hamzës si nënkryetar komune, doli të ketë absorbuar qeverisje lokale mjaftueshëm për ta mposhtur diskursivisht Pecin me kredencialet e “më të votuarit pas Albin Kurtit e Glauk Konjufcës në Republikën e Kosovës” dhe lavdin e investuar në të nga Albin Kurti në nivel qendror të qeverisë. Debatit të mbrëmshëm në “Klan Kosova” kandidati guxoist i tha ‘Jo’, dhe, me ç’duket, edhe ballafaqimit në person, ku e vërteta prodhohet nga fërkimi. Komunikimin me mitrovicasin Faton Peci e ktheu në komunikim të drejtpëdrejtë, të pakontrolluar, të pakonfrontuar, e pa ndërmjetësues.
Nëse Faton Peci fiton (çka s’duket) në Mitrovicë, ai megjithatë do të jetë kryetar që ka humbur para Arian Tahirit në sy të Kosovës. Mitologjia e Bariut të Mirë. të vetëshpallur, u zbeh shpejt kur u përplas me realitetin lokal.
Discover more from Illyran Info
Subscribe to get the latest posts sent to your email.