Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se vendi i tij njeh zyrtarisht shtetin palestinez. Udhëheqësi francez tha se me këtë vendim ai po vepron në interes të paqes, mes kritikave nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.
“Në përputhje me zotimin historik të shtetit tim ndaj Lindjes së Mesme, paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve, sot njoftoj se Franca njeh shtetin e Palestinës”, tha Macron gjatë fjalimit në Kombet e Bashkuara, teksa delegacioni palestinez mirëpriti vendimin.
Macron e bëri publik lajmi në nisje të samitit për palestinezët, takim që po mbahet në OKB. Por, as ky takim, e as njoftimet për njohjen e shtetit palestinez nuk pritet të kenë ndonjë ndikim real në terren, ku Izraeli po kryen një ofensivë të madhe në Rripin e Gazës dhe po zgjeron vendbanimet në Bregun e pushtuar perëndimor.
Në samitin në OKB, presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, do të adresohet përmes video-lidhjes, pasi atij dhe dhjetëra zyrtarëve të lartë palestinezë iu refuzuan vizat nga Shtetet e Bashkuara, duke ua pamundësuar pjesëmarrjen në konferencë.
Një ditë më parë, Britania, Kanadaja dhe Australia njohën zyrtarisht shtetin palestinez, duke iu bashkuar shteteve të tjera në një lëvizje që synon ringjalljen e përpjekjes për zgjidhjen me dy shtete. Palestinezët presin që në total dhjetë shtete të marrin këtë vendim në ditët në vijim.
Rreth tre e katërta e 193 anëtarëve të OKB-së e njohin shtetin palestinez, por shumica e shteteve perëndimore deri më tani kanë refuzuar ta njohin, duke thënë se deri te ky vendim do të vijnë pasi të kenë zhvilluar negociata me Izraelin.
Discover more from Illyran Info
Subscribe to get the latest posts sent to your email.