Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj ka filluar mbajtjen e ligjëratave sensibilizuese nëpër shkollat fillore të rajonit, në kuadër të aneks planit operativ “Fillimi i Vitit Shkollor, Siguria në Shkolla 2025/26” dhe Strategjisë së Integruar të Policimit të Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi.
Sot, një nga këto ligjërata u realizua në shkollën fillore “Dëshmorët e Koshares” në Koshare, ku morën pjesë rreth 90 nxënës të klasave I–V. Ligjëratat u mbajtën nga pjesëtarë të çertifikuar të Njësisë së Komunikacionit Rrugor të Ferizajt, të cilët trajtuan tema të rëndësishme për sigurinë rrugore si: Roli i pjesëmarrësve në komunikacion; Lëvizja e sigurt e këmbësorëve; Vendkalimet dhe mënyrat e sigurta të kalimit të rrugës; dhe Çfarë duhet të kenë parasysh këmbësorët gjatë kalimit të rrugës.
Me këtë rast, nxënësve iu shpërndanë materiale sensibilizuese, përfshirë varëse reflektuese, shirita dore reflektues dhe vizore shkollore.
Policia Rajonale e Ferizajt bën të ditur se aktivitete të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në të gjitha shkollat e rajonit, me qëllim rritjen e sigurisë dhe ndërgjegjësimit të fëmijëve për pjesëmarrje të kujdesshme në komunikacion.
Discover more from Illyran Info
Subscribe to get the latest posts sent to your email.