Një deklaratë e fortë ka ardhur nga gazetari Lirim Mehmetaj, i cili ka reaguar ashpër ndaj gjendjes aktuale në administratën shtetërore të Kosovës, duke e cilësuar si “fazë të avancuar të instalimit të autokracisë” nën qeverisjen e Albin Kurtit.
Sipas Mehmetajt, mbi 40 për qind e punëtorëve të administratës publike kanë deklaruar në një anketë të OSBE-së se ndihen të frikësuar dhe të pasigurt në vendet e tyre të punës. Ai thekson se kjo pasiguri vjen si pasojë e ndërhyrjeve politike dhe urdhrave që, sipas raportit të “International Crisis Group”, shpesh hartohen nga aktivistë partiakë dhe u dërgohen zyrtarëve vetëm për t’u zbatuar.
“Me t’u frikësu mbi 40 për qind e njerëzve që punojnë në administratë, kjo praktikisht është diktat”, ka shkruar Mehmetaj, duke paralajmëruar se vendi po shkon drejt një sistemi ku frika zëvendëson lirinë.
Gazetari e cilësoi këtë si “lajm të kobshëm” dhe “alarm të fundit për çdo mendje të shëndosh në Kosovë”. “Nuk e kemi fituar lirinë nga Serbia, për ta humbur sërish nga vegla e Serbisë”, ka thënë Mehmetaj.
”Raporti i International Crisis Group, sipas të cilit janë përfshirë raste të presioneve politike dhe mungesës së pavarësisë institucionale, ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik” ka thënë, Mehmetaj, duke kërkuar që kjo çështje të trajtohet me urgjencë nga shoqëria civile dhe institucionet demokratike të vendit.