Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka ndjekur një itinerar fluturimi të pazakontë në udhëtimin e tij drejt Shteteve të Bashkuara, duke shmangur hapësirat ajrore të disa vendeve europiane, për shkak të frikës se mund të arrestohej në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC).
Netanyahu u nis nga Tel Avivi mbrëmjen e së mërkurës për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ku pritet gjithashtu të zhvillojë një takim me Presidentin amerikan, Donald Trump.
Sipas të dhënave të publikuara nga platforma të monitorimit të fluturimeve, si FlightRadar24, avioni i kryeministrit izraelit zgjodhi një rrugë më të gjatë dhe të pazakontë, duke fluturuar përgjatë Detit Mesdhe dhe përmes Ngushticës së Gjibraltarit, duke shmangur tërësisht Francën dhe Spanjën dy shtete anëtare të Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
Fluturimi kaloi për një kohë të shkurtër mbi hapësirat ajrore të Greqisë dhe Italisë, ndërsa shmangia e vendeve të tjera europiane duket se lidhet me detyrimin ligjor të shteteve anëtare të ICC-së për të zbatuar urdhër-arrestet e lëshuara nga kjo gjykatë.
Zyra e Kryeministrit të Izraelit nuk ka dhënë një reagim zyrtar mbi këtë devijim, ndërsa burime diplomatike franceze kanë deklaruar për mediat se Franca kishte aprovuar kalimin e avionit në hapësirën e saj ajrore. “Në fund, ata vendosën të ndjekin një tjetër rrugë dhe nuk e dimë pse”, tha një diplomat francez.
Sipas Jerusalem Post, disa anëtarë të stafit dhe gazetarë nuk janë lejuar të udhëtojnë me Netanyahu për shkak të kufizimeve teknike dhe çështjeve të sigurisë.
Megjithatë, dyshohet se arsyeja e vërtetë ka qenë nevoja për të reduktuar peshën për të akomoduar sasinë shtesë të karburantit që kërkonte itinerari më i gjatë.
Në korrik, gjatë një udhëtimi të mëparshëm në SHBA, Netanyahu kishte fluturuar përmes Greqisë, Italisë dhe Francës, ndërsa këtë herë shmangia e këtyre vendeve vjen pas lëshimit të urdhër-arrestit nga ICC në nëntor të vitit të kaluar, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ndërkohë, as Izraeli dhe as Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtarë të Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
Discover more from Illyran Info
Subscribe to get the latest posts sent to your email.