Grabitje spektakolare në Kaliforni, 25 persona vjedhin bizhuteri me vlerë 1 milion dollarësh

7 Views
3 Min Read
Advertisements

Një argjendari në San Ramon, Kaliforni, u bë skenë e një grabitjeje të organizuar dhe të dhunshme nga një grup prej afro 25 personash, të cilët sulmuan dyqanin dhe rrëmbyen bizhuteri me vlerë rreth 1 milion dollarë në më pak se dy minuta.

Sipas Departamentit të Policisë së San Ramon, grabitja ndodhi të hënën në mëngjes dhe përfshiu një numër të madh personash të maskuar, të veshur me të zeza, të cilët u kapën nga kamerat e sigurisë teksa vraponin drejt argjendarisë “Heller”, që ndodhet rreth 55 kilometra në lindje të San Franciskos.

Të paktën tre nga grabitësit ishin të armatosur me armë zjarri, ndërsa të tjerët përdorën leva hekuri, kazma dhe sëpata për të thyer vitrinat dhe për të grabitur bizhuteritë që ndodheshin në ekspozim.

Sapo arritën të futeshin brenda, grabitësit “pushtuan” dyqanin dhe filluan të rrëmbenin gjithçka që mundnin.

“Grabitësit ishin jashtëzakonisht të shpejtë dhe të organizuar. Ata morën gjithçka që ishte në dispozicion brenda pak sekondash,” tha toger Mike Pistello nga Policia e San Ramonit për ABC 7 News.

Ai shtoi se një derë sigurie e instaluar së fundmi — pas një grabitjeje të ngjashme në vitin 2023 — tentoi të mbyllej automatikisht për t’i bllokuar brenda, por grabitësit arritën të iknin.

Policia ka arrestuar deri tani shtatë persona në lidhje me ngjarjen, përfshirë gjashtë të rritur dhe një të mitur. Të gjithë të dyshuarit janë nga Oakland dhe janë të moshës nga 17 deri në 31 vjeç. Autoritetet besojnë se ky grup mund të jetë i përfshirë edhe në bastisje të tjera të ngjashme në rajonin e Gjirit të San Franciskos.

Gjatë hetimeve, janë gjetur dy armë zjarri dhe disa nga bizhuteritë e vjedhura, të cilat mendohet se janë hedhur gjatë arratisjes. Gjithashtu, disa nga automjetet e përdorura nga grabitësit rezultojnë të kenë qenë të vjedhura.

“Ky nuk është një rast i izoluar për këtë grup,” theksoi Pistello. “Megjithëse ngjarje të tilla janë të rralla në San Ramon, po punojmë intensivisht për të hetuar çdo pistë të mundshme dhe për të ndaluar këtë seri grabitjesh.”

I njëjti dyqan u grabit edhe në mars të vitit 2023, kur shtatë persona të armatosur vodhën mbi 1.1 milion dollarë në ora dhe bizhuteri luksoze. Atëherë, një orë Rolex e pajisur me pajisje gjurmimi ndihmoi në lokalizimin e autorëve, dhe katër persona u dënuan më vonë me burg federal.

Ende nuk është konfirmuar nëse grupi i përfshirë në grabitjen e fundit është i njëjtë me atë të ngjarjes së një viti më parë, por hetimet janë në vazhdim dhe autoritetet kanë premtuar zbardhjen e plotë të rastit.


Discover more from Illyran Info

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Advertisements