
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, iu ka premtuar drenicakëve se nuk do ta përjetojnë më kurrë bojkotin dhe bllokadën nga pushteti qëndror.
Në tubimin madhështor që sot PDK-ja ka mbajtur në Skenderaj, ai ka kritikuar Qeverinë Kurti për injorim të Drenicës.
“Do të kthehen investimet në Drenicë”, ka thënë Hamza para mijëra simpatizantëve të PDK-së.
Hamza ka thënë se ngado që po shkon, po sheh shumë entuziazëm, shpresë e besim se Kosova mundet ma mirë.
“Këtë vullnet, këtë energji, po e shoh sonte edhe mes jush. Po shoh besim për të ardhmen që mund ta ndërtojmë së bashku. Ne e dimë çfarë i duhet Kosovës. E dimë drejtimin që duhet ta marrë vendi ynë. Kemi ditur gjithmonë si ta çojmë Kosovën përpara. Prandaj, sonte jam në vendin e duhur për të marrë energjinë e nevojshme për fitoren tonë. Në bastionin e Partisë Demokratike të Kosovës, kështu ka qenë, është dhe do të mbetet. Më 9 shkurt, të bëhemi bashkë në këtë rrugëtim për një Kosovë më të mirë”, ka thënë Hamza.
Ai ka kërkuar që të votohet PDK-ja, numri 131 dhe vizioni i së ardhmes së dinjitetshme dhe krenare.
“Të votojmë për jetë më të mirë, për të gjithë. Urime, suksese, fitore!”, ka thënë Hamza.
Ai ka falënderuar për mbështetje qytetarët e Skenderajt.
“Është nder të jem sonte këtu, në vendin e sakrificës dhe angazhimit të vazhdueshëm për Republikën e Kosovës. Në shtëpinë time, vendlindjen time. Jam në Drenicën e mendjes dhe pushkës, të Hasan Prishtinës e Ahmet Delisë, të Tahir Mehës, të Shaban, Hamëz dhe Adem Jasharit. Në vendlindjen e Hashim Thaçit, që ishte shtëpi e dytë edhe për Kadri Veselin. Drenica edhe sot, si gjithë, është ba shembull se ne mundemi ma mirë!”, ka thënë Hamza.
Ai ka shtuar se me këtë besim, Drenica ka jetuar, është përpjekur dhe me këtë besim i ka kontribuar vendit gjithmonë.
“Me besimin që me punën tonë, me angazhimin tonë, mund ta bëjmë më të mirë jetën e qytetarëve. Në këtë besim dhe mundësi buron edhe motoja e fushatës tonë, zotimi ynë kryesor, se mundemi më mirë. Se, ju, meritoni më mirë!”, ka thënë Hamza.
Në takimet nëpër krejt vendin, Hamza ka thënë se ka dëgjuar nga secili shqetësimet, ëndrrat, shpresat, ambiciet, pritjet dhe preokupimet se çka duhet të bëjë shteti për ju.
“Nga këto takime kam mësuar se çfarë duhet të ofrojë programi im, cilat janë zgjidhjet që kërkoni dhe si duhet të jetë Kosova. Por, mbi të gjitha, kam kuptuar që Kosova mund të bëhet shteti që e dëshironi ju, që Kosova mundet ma mirë”, ka thënë ai.
Në këtë takim ka folur edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Krasniqi tha se me të ardhë PDK në pushtet “punën që ka nisur Thaçi do ta vazhdojë me dinjitet Bedri Hamza” duke e quajtur këtë të fundit “kryeministri më i mirë që mund ta ketë vendi”.
“Dua t’ju them diçka: pas 24 ditëve ne do ta zgjedhim një kuvend të ri, e pas kuvendin do ta kemi një qeveri tjetër – sepse bashkë me qytetarët, e sidomos këtu në Skenderaj, besoj që Kosova mundet më mirë”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se PDK-ja do të rikthehet.
“Kur Skenderaj mobilizohet PDK rikthehet si forca kresore politike”, është shprehur ai.
Kurse, kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, ka bërë me dije se Drenica është boshti kurrizor i PDK-së.
Në tubimin e sotëm në Skenderaj, ku simpatizantët e PDK-së e kanë mbushur plotë palestrën e sporteve “Ilaz Kodra”, ai ka thënë se Drenica çdo herë i ka qëndruar besnike PDK-së.
“Drenica është boshti kurrizor për PDK-në. Që 25 vjet i keni qëndruar besnik PDK-së. Edhe atëherë kur nuk është parë dritë në tunel, edhe atëherë kur PDK-ja nuk ka pasur mundësi me shërbyer qytetarëve. Besnikëria e juaj e vazhdueshme na bën neve krenar dhe na jep zemër që të vazhdojmë me punën që jemi duke e ba çdo ditë. Prandaj, na duhet ndihma e juaj që ta rrezojmë një qeverie, e cila përpos mashtrimeve dhe rrenave deri me tani nuk ka realizua kurgjo. Me një kryemister që veç përralla tregon në fushatë”, ka thënë Lushataku.
Lushtaku ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti.
“Ai nuk ka bërë asnjë punë, përpos rrenave dhe mashtrimeve që qytetarët e Drenicës dhe të Kosovës e kanë kuptuar. Na duhet përkrahja e qytetarëve ta rrëzojmë ketë qeveri dhe qeverinë tjetër ta bëj Bedri Hamza”, ka thënë Lushtaku.