Instituti i Historisë “Ali Hadri” organizoi konferencë shkencore mbi zhvillimin e qendrave urbane në trevat shqiptar

7 Views
4 Min Read
Advertisements

Instituti i Historisë “Ali Hadri” mbajti sot një konferencë shkencore me temën “Transformimet dhe zhvillimi i qendrave urbane në trevat shqiptare gjatë antikitetit të vonë dhe mesjetës”, raporton Ekonomia Online.

Drejtoresha e Institutit të Historisë “Ali Hadri” Teuta Shala-Peli theksoi se kjo periudhë përfaqëson një etapë dinamike ndryshimesh, ku qytetet u përballën me kriza politike, ushtarake, shoqërore e fetare, por edhe me mundësi zhvillimi e përshtatjeje.

Ajo u shpreh se Instituti është i përkushtuar në mbështetjen e studimeve shkencore dhe bashkëpunimeve ndërdisiplinore.

“Kjo periudhë përfaqëson një nga etapat më dinamike të ndryshimit: qytetet e kohës u përballën me sfida të mëdha – nga krizat politike e ushtarake, te transformimet shoqërore dhe fetare – por edhe me mundësi të reja për rindërtim, zhvillim dhe përshtatje ndaj rrethanave.

Instituti i Historisë, si një institucion me traditë në fushën kërkimore-shkencore, është i përkushtuar në mbështetjen e studimeve të thelluara dhe të dokumentuara mbi këto periudha, duke krijuar hapësira për bashkëpunime të reja shkencore e ndërdisiplinore. Jemi të bindur se kumtesat dhe diskutimet e kësaj konference do të sjellin rezultate të reja për historinë e qendrave tona urbane dhe do të kontribuojnë në rritjen e ndërgjegjësimit për vlerën e trashëgimisë sonë historike e kulturore. Kjo konferencë është një mundësi për të shkëmbyer ide, për të prezantuar zbulime dhe analiza të reja, si dhe për të nxitur një diskutim të thelluar ndërdisiplinor mes historianëve, arkeologëve, gjuhëtarëve dhe studiuesve të trashëgimisë kulturore.

Programi i kësaj konference është konceptuar në mënyrë që të pasqyrojë sa më mirë diversitetin tematik dhe qasjet shkencore mbi qendrat urbane në trevat shqiptare gjatë Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës”, shtoi ajo.

Dekani i Fakultetit të Filozofikut, Bekim Baliqi theksoi rëndësinë e kësaj teme në kuadër të zhvillimeve aktuale.

“Tema sot që trajtohet është e rëndësishme edhe për gjendjen dhe zhvillimet aktuale. Po e shihni që urbanizimi është çështje që na preokupon secilin. Për ta kuptuar gjendjen tani duhet ta kujtojmë mesjetën e mëhershme. Studimet e juaja do të sjellin përvojat për të shërbyer edhe sot”, ka theksuar ai.

Shef i Departamentit të Historisë, Fakulteti Filozofik, Mentor Hasani nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së brezit të ri akademik në hulumtime të tilla.

“Jemi dëshmitarë të një pune aktive në shërbim të vënies në pah të këtyre tematikave. Unë e di që secili nga ju jeni të fokusuar se çka do të flitet pas kësaj dhe do të mësoni shumë dhe të nxiteni të hulumtoni me këto tematika. Shpresoj që do të jetë një fazë e re kur do të flasim për kisha, manastire dhe tema të tjera”, shtoi Hasani.

Në këtë konferencë foli edhe studiuesi i njohur Jahja Drançolli, i cili prezantoi kumtesën mbi zhvillimin e jetës konsullore në qytetet e Kosovës në periudhën 1332–1455.

“Tema të tilla kanë qenë të ndaluara në Kosovë dhe pjesët tjera shqiptare komuniste. Politizimi kishte përfshirë diskutimin e çështjes së vazhdimësisë iliro-shqiptare. Kjo qasje në një mënyrë na ka ndarë neve prej të tjerëve, për këto arsye kemi qenë të ndaluar. Kemi një varg të studiuesve shumë seriozë që janë marrë me këtë çështje, po flasim për trevat e Kosovës. Isha i vetmi që merresha me studimin e mesjetës, tani kemi mundësi të ecim përpara. Nuk jemi popull që vetëm marrim, por i kemi dhënë Evropës. Këto studime shqyrtojnë në mënyrë objektive faktin e kontinuitetit të Kosovës, ka përfshirë veprime dhe përplasje me popuj të ndryshëm.”


Discover more from Illyran Info

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Advertisements