Më shumë se 100 fishekë janë gjetur në vendin e ngjarjes ku ndodhi përleshja në Pejë, e ku mbetën të plagosur dy persona.
Policia e Kosovës nëpërmjet raportit ditor ka treguar se i dyshuari, tashmë i arrestuar me armë automatike kishte shtënë në drejtim të një veture në të cilën ishin katër persona.
“Rr. Miftar Zeqa, Pejë 17.10.2025 – 16:15. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se me armë automatike kishte shtënë në drejtim të veturës me targa vendore në të cilën kanë qenë katër persona meshkuj kosovarë. Si pasojë e të shtënave janë plagosur dy persona në veturë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore dhe janë duke e hetuar rastin. Nga i dyshuari janë konfiskuar katër armë zjarri si: dy pushkë automatike AK-47 me nga 18 dhe 15 copë fishekë, dy pistoleta njëra me 5 copë fishek dhe 75 copë fishekë tjerë të armës automatike. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Betimi për Drejtësi një ditë më parë raportoi se njëri prej familjarëve (vëllai) të të vrarit në Volljakë të Klinës, F.H., po dyshohet se për hakmarrje ka plagosur dy persona pasi Gjykata Themelore në Pejë shqiptoi 44 vite burgim për pesë të akuzuarit për vrasjen që kishte ndodhur më 2022.
Në shkrim thuhet edhe se i dyshuari, pasi ishte shpallur aktgjykimi, i kishte pritur viktimat në parking dhe kishte shtënë në drejtim të dy personave. Policia e ka arrestuar menjëherë në vendin e ngjarjes derisa dy të plagosur janë në gjendje të rëndë ku njëri është transferuar në QKUK.
I dyshuari ka zgjedhur të mbrohet në heshtje gjatë marrjes në pyetje pas arrestimit.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar incizimin e seancës së shpalljes së aktgjykimit, ku Nderim Gashi është dënuar me 28 vite burgim, ndërsa Basri, Agron, Ardit dhe Bahri Gashi janë dënuar me nga 4 vite secili për vrasjen e F.H., që kishte ndodhur në Volljakë të Klinës. Në total, në rigjykim janë shqiptuar 44 vite burgim, përderisa në gjykimin e parë ishin shqiptuar 84 vite burgim.
Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Nderim Gashi i është vazhduar masa e paraburgimit, por jo më gjatë sesa dënimi i shqiptuar. Ndërsa, katër të tjerëve iu është ndërpre masa.
Në aktgjykimin e shpallur, kryetari i trupit gjykues, Shaqë Curri, tha se Basri, Ardit, Arben dhe Bahri Gashi janë liruar nga akuza për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, duke u bazuar në nenin 363 të Kodit të Procedurës Penale.
Sipas Currit, Nderim Gashi është shpallur fajtor për vrasje të rëndë, vrasje të mbetur në tentativë dhe mbajtje armësh pa autorizim. Për këtë, gjykata i shqiptoi dënim unik prej 28 viteve burgim, duke përfshirë edhe kohën e kaluar në paraburgim.
Duke lexuar aktgjykimin, Curri tha se Basri Gashi shpallet fajtor për ndihmë në kryerjen e veprës penale dhe lëndim të lehtë trupor, ndërsa Ardit, Agron dhe Bahri Gashi u shpallën fajtorë për lëndim të lehtë trupor të kryer në bashkëkryerje. Për secilin nga katër të fundit është caktuar dënim me burg prej 4 vitesh, gjithashtu duke përfshirë kohën e kaluar në paraburgim.
Ai shtoi se të akuzuarit janë të detyruar të paguajnë shpenzimet e procedurës, paushall gjyqësor dhe kompensim për viktimat, brenda 15 ditëve nga kur aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë, e përmirësuar më 3 shkurt 2023, ngarkonte gjashtë të akuzuarit: Nderim Gashi, Basri Gashi, Agron Gashi, Ardit Gashi, Bahri Gashi dhe Ylli Gashi, për “Vrasje të rëndë”, “Vrasje të rëndë në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit Nderim, Basri, Agron, Ardit dhe Bahri, më 28 prill 2022, rreth orës 20:30, në fshatin Volljakë, Komuna e Klinës, në parkingun e restorantit “Villa Park”, të përgatitur paraprakisht dhe duke vepruar në bashkëkryerje, e me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt, privojnë nga jeta viktimën F.H., duke vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë. Kurse, Ylli Gashi akuzohej se ndihmoi në kryerjen e vrasjes, duke siguruar armën për të pandehurin Nderim.