Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se po vazhdon periudha e aplikimit online për akreditimin e vëzhguesve dhe përfaqësuesve të mediave për monitorimin e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale, që do të mbahen më 12 tetor 2025.
Afati për dorëzimin e kërkesave online për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare, i cili ka filluar më 1 korrik, do të përmbyllet më 7 tetor 2025.
Si bëhet aplikimi për akreditim?
Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar i medias duhet të plotësojë të dhënat e kërkuara në platformën online: https://apliko.kqz-ks.org
Hapi i dytë: Pas dorëzimit të kërkesës, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë atë dhe do të marrë vendim për miratimin ose refuzimin e saj. Në rast të miratimit, ZRCKFSP do të dërgojë përmes e-mailit kredencialet për qasjen në platformën online, të cilat i mundësojnë përfaqësuesit të autorizuar që të plotësojë edhe të dhënat për personat e medias që kërkohen të akreditohen.
Në platformën elektronike online https://apliko.kqz-ks.org është ngarkuar video që shpjegon të gjithë hapat e aplikimit.
Informacione shtesë:
• Për më shumë informacione dhe sqarime, mund të kontaktoni Zyrën përmes e-mailit në adresën: zyra.kqz@kqz-ks.org, apo përmes telefonit në numrin +383 38 200 81 010. Zyra është e qasshme nga ora 08:00 deri në orën 16:00.
• Vetëm vëzhguesit e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kenë të drejtë të vëzhgojnë Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale, si dhe aktivitetet tjera që do të zhvillohen në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Discover more from Illyran Info
Subscribe to get the latest posts sent to your email.