Pa u bërë një javë pasi Ambasada e SHBA’së suspendoi fillimin e dialogut strategjik të planifikuar me Kosovën, për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë që “rritën tensionet dhe jostabilitetin”, Kurti ka bërë një lëvizje të re. Mbrëmë, nëpërmjet një videoadresimi në gjuhën serbe i është drejtuar komunitetit serb, por mesazhet nuk ishin vetëm për ta. Kurti u duk se po i fliste me shumë Perëndimit. Ai dha sinjale se është gati të nis integrimin e shëndetësisë dhe arsimit serb në sistemin e Kosovës bashkë me serbët dhe partnerët, përfshirë emisarin e dialogut. Kurti e evitoi, por ambasadori gjerman në largim Jorn Rohde, rikujtoi se për këto dy sfera Kurti ka bërë marrëveshje në Ohër dhe se ato bienë nën patronazhin e Asociacionit.
I gjetur në një situatë të raporteve tashmë të ftohura, dikush do të thoshte të ngrira me Perëndimin, Kurti mbrëmë ka bërë një ofertë të re nëpërmjet një videoadresimi në gjuhën serbe, diçka që e bën shpesh ai. Më shumë se serbëve aty u ka folur vendeve dhe entiteteve me të cilat ka pasur problemeve në një pjesë të madhe të mandatit të tij si shef qeverie.
Kurti ka bërë me dije se është gati të ulet me serbët, BE’në, emisarin e saj të dialogut, vendet e QUINT e KFOR’in për t’i integruar arsimin dhe shëndetësinë në kuadër të sistemit të Kosovës, pa e përmendur se për këtë Kosova ka bërë marrëveshje me Serbinë dhe BE’në, përfshirë një në Ohër mes tij dhe Vuçiq me ndërmjetësim të Brukselit.
Meqë të gjitha institucionet shëndetësore në zonat me shumicë serbe në Kosovë funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë, Kurti tha se kjo duhet të ndryshojë dhe se duhet të bëhet integrimi i tyre në një sistem të vetëm.
Ai tha se për këtë do të bashkëpunojë me kryetarët e rinj të komunave me shumicë serbe që do të dalin nga zgjedhjet e 12 tetorit.
Discover more from Illyran Info
Subscribe to get the latest posts sent to your email.