Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar se çdo përpjekje e Izraelit për të aneksuar pjesë të Bregut Perëndimor do të përbënte “vija e kuqe” për SHBA-në dhe do të shënonte fundin e normalizimit diplomatik arabo-izraelit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Macron shtoi se këtë garanci e mori gjatë takimit me presidentin amerikan, Donald Trump.
Ai zbuloi gjithashtu se i kishte paraqitur Trumpit një plan trefaqësh mbi të ardhmen e Palestinës, bazuar në Deklaratën e Nju Jorkut – dokument i miratuar nga më shumë se 143 shtete, që propozon përjashtimin e Hamasit nga sundimi i ardhshëm në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Macron theksoi se qëllimi i takimit me Trump ishte që Amerika, Evropa dhe shtetet arabe të qëndronin në të njëjtën linjë. Ai shtoi se njohja franceze e shtetit të Palestinës synon hapjen e një procesi paqeje, të cilin e quajti rruga më e mirë për izolimin e Hamasit, ndërsa vuri në dukje se disa zyrtarë izraelitë janë të vendosur të prishnin çdo zgjidhje politike.
“Objektivi i disave nuk është të luftojnë Hamasin, por më tepër të minojnë mundësinë e një rruge drejt paqes. Nuk ka Hamas në Bregun Perëndimor”, tha Macron.
Ai kritikoi gjithashtu strategjinë e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për luftë totale, duke e quajtur një dështim, pasi sipas tij vetëm rrezikonte pengjet dhe nuk ka arritur të zvogëlojë madhësinë e Hamasit.
“Ka po aq luftëtarë të Hamasit sa më parë. Lufta totale nga një këndvështrim praktik nuk po funksionon. Kjo luftë është një dështim”, tha Macron.
Discover more from Illyran Info
Subscribe to get the latest posts sent to your email.