Jetmir Tofaj, një ish-përfitues i bursës 2 vjeçare për studime master në Evropë, përmes programit të BE-së “Young Cell”, nuk po i përmbahet zotimit të nënshkruar me donatorin evropian dhe Qeverinë e Kosovës për të kontribuar për 3 vjet në Administratën Publike. Pas kthimit të tij këtë vit në vendlindje, Tofaj po synon të marrë post politik, pasi përfitoi financiarisht shkollimin në Gjermani përmes një programi që qëllimin kryesor ka ta ndihmojë Kosovën të gjenerojë një administratë publike të depolitizuar. Madje, këtë po synon ta arrijë pikërisht përmes Lëvizjes Vetëvendosje, që drejtohet nga shefi në detyrë i ekzekutivit, Albin Kurti, që e ka kandiduar inxhinierin e ri për kryetar të Junikut. Pasojat e mospërmbushjes së obligimeve post-bursiste, kandidati i LVV-së për kryetar të Junikut mund t’i bartë sipas Ligjit Grek, i zbatueshëm për bursistët përfitues të grantit të BE-së.
Kur Jetmir Tofaj, në janar të vitit 2023, bashkë me 44 studentë të tjerë kosovarë që u përzgjodhën si gjenerata e XIII-të për të fituar bursa nga skema “Young Cell”, para se të udhëtonin për të kryer studimet master në universitetet më prestigjioze evropiane, nënshkruan të paktën dy marrëveshje në të cilat zotoheshin se me t’u kthyer në Kosovë do të përmbushin obligimin për angazhimin të pandërprerë tre vjeçar në Administratën Publike të Kosovë, përfshirë punësimin për komuna dhe qeveri lokale.
Dy vite më vonë, me t’u kthyer “me master” në Kosovë në fillim të vitit 2025, inxhinieri i ri nga Juniku “që pati fatin të jetë bursisti i Bashkimit Evropian dhe të përfundojë studimet master në njërën nga universitetet më prestigjioze në botë”, vetëm pak muaj pas përfundimit të bursës, e shkeli marrëveshjen e obligueshme si përfitues i bursës “Young Cell”, e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian si krijuese e programit dhe Qeveria e Kosovës si përfituese, që implementimet nga Konsorciumi: Universiteti Aristotel i Selanikut në Greqi dhe Instituti Kombëtar për Shërbime Publike në Francë.
Tofaj më 28 korrik 2025 paraqiti kandidaturën e tij për Kryetar të Junikut, për një post politik, ndërkohë që në dy marrëveshje që i kishte nënshkruar vetë në vitin 2023 – njërën me Universitetin Aristotel të Selanikut, të ndërmjetuar nga Bashkimi Evropian; dhe tjetrën me Qeverinë e Kosovës – e obligojnë ish-bursistin e programit të BE-së për bursa post-diplomike që me t’u kthyer në Kosovë të kontribuojë në shërbimin civil dhe Administratën Publike.
Vetë qëllimi i bursave “Young Cell” prezantohet se në përputhje me standardet më të mira të BE-së, programi “ndihmon Kosovën të gjenerojë një administratë publike të depolitizuar, profesionale, gjithëpërfshirëse dhe efektive, të aftë për të zbatuar legjislacionin e BE-së”. Ndonëse, aktivitetet publike të Jetmir Totajt tregojnë se edhe në vitin 2023 kur po përgatitej për t’i vazhduar studimet me bursën e BE-se – dhe para saj – zhvillonte aktivitet politik, si aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.

Sikur të mos mjaftonte shkelja e marrëveshjes njëanshëm nga Tofaj, në këtë situatë “përfitimi financiar përmes mashtrimit” përfshihet edhe vetë Qeveria e Kosovës, e cila sipas marrëveshjes me BE-në obligohej ta sistemonte junikasin në Administratën Publike të Kosovës, menjëherë pas kthimit të tij në vendlindje. Kjo pasi Jetmir Tofaj u kandidua për post politik – në kundërshtim me kontratën për mbështetjen financiare të përfituar për studime master – pikërisht si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për Kryetar të Junikut, parti që drejtohet nga Kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Madje, ishte vetë shefi në detyrë i Qeverisë së Kosovës që më 28 korrik 2025 e prezantoi Tofajn si drejtues të qendrës së LVV-së në Junik dhe kandidat i partisë së tij në këtë komunë, për të cilin tha se “do të na udhëheqë drejt fitores”.
Në ueb sajtin zyrtar të “Young Cell Scheme”, tregohet se përfituesit përfituesi dhe partneri kryesor i projektit është Zyra e Kryeministrit të Kosovës, dhe se “partneri dytësor i projektit është Ministria e Punëve të Brendshme“. Po ashtu, aty theksohet se “përfituesi kryesor i projektit është Qeveria e Kosovës, në veçanti shërbimi civil i Kosovës“.
Gazeta online Reporteri.net, të martën, e ka pyetur për detaje dhe komente Zyrën e Kurtit në Qeveri të Kosovës dhe Ministrinë e Brendshme të Kosovës, brenda së cilës funksionon edhe Administrata Publike, rreth implikimit të ekzekutivit në shkeljen e marrëveshjes për bursën e BE-së për Tofajn, por deri në momentin e publikimit të artikullit, mediumi nuk ka marrë përgjigje.
“Përdorimi i “blind copy” nuk është mënyrë e rregullt komunikimi, prandaj nuk e kemi të qartë se kujt konkretisht i është drejtuar kërkesa juaj”, ka thënë të mërkurën Qëndrim Bytyqi, Drejtor i Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik që funksionon brenda MPB-së, por që nuk është lajmëruar më as pasi i është precizuar adresimi.
Në të njëjtin komunikim me e-mail, Bytyqi ka sugjeruar dhe është lutur që pyetjet të dërgohen në Divizionin për Komunikim me Publikun në MPB, “ose në institucionin tjetër përkatës, varësisht se kujt i keni drejtuar”.
Komente e sqarime tjera në lidhje me këtë rast nuk kanë paraqitur as Zyra në Prishtinë e Bashkimit Evropian dhe projekti i tyre “Young Cell”. Nga Zyra e BE-së në Prishtinë vetëm kanë konfirmuar të premten se “Jetmir Tofaj iu dha një bursë dyvjeçare në Raundin e XIII-të të Skemës Young Cell (YCS) që filloi në vitin akademik 2023-2024, për sektorët e Energjisë, Mjedisit dhe Ndryshimeve Klimatike, si dhe Transportit“.
Në mesin e pyetjeve për BE-në, Qeverinë e Kosovës dhe skemën e bursës, gazeta online Reporteri.net është interesuar tek palët edhe në lidhje me masat që parashihen me kontratë të ndërmerren ndaj përfituesve që “mashtrojnë” dhe nuk iu përmbahen obligimeve pas përfundimit të studimeve të financuara nga programi. Dhe, po ashtu, nëse kontratat parashohin ndjekje penale ndaj personave që shkelin kushtet e marrëveshjes, por për këtë pjesë as nga BE-ja nuk janë përgjigjur, megjithëse dhanë një sugjerim.
“Ju lutemi vini re se Rregullat e Procedurave për Raundin XIII të YCS përcaktojnë të drejtat dhe detyrimet e përfituesve të grantit/bursës“, tha me e-mail Nikola Gaon, shef i zyrës për komunikim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Sipas modelit të një kontrate që gazeta online Reporteri.net e ka siguruar, aty parashihet se në rast se përfituesi i bursës nuk i përmbush të gjitha detyrimet e tij të përcaktuara me kontratë, Komiteti Drejtues i Projektit (i përbërë nga përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Zyra e Kryeministrit, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit) do të vendosë për të gjitha pasojat disiplinore të nënkuptuara në secilin rast.
Pasojat disiplinore mund të përfshijnë tërheqjen e bursës në raste serioze ose detyrimin financiar për kthimin e shumës së plotë të bursës, “veçanërisht në rastet kur Përfituesi i Grantit refuzon të shërbejë ose të kthehet për të shërbyer në Administratën Publike të Kosovës në fund të programit të tij/saj Master, ose në rast se ai/ajo nuk i përfundon studimet e tij/saj jashtë vendit pa një justifikim të duhur/forcë madhore) ose pagesën vetëm të një përqindjeje të bursës që korrespondon me detyrimet e përmbushura”.
Ligji Grek është ligji i zbatueshëm për këtë Kontratë, thuhet në dokument. Çdo mosmarrëveshje midis palëve kontraktuese në lidhje me interpretimin ose ekzekutimin e kësaj Kontrate dhe pretendimet që rrjedhin prej saj do të zgjidhet nga gjykatat kompetente të Selanikut, thuhet në kontratën e nënshkruar mes përfituesve të skemës “Young Sell” dhe konsorciumit: Universiteti Aristotel i Selanikut dhe Institutit Kombëtar të Shërbimit Publik (AUTH dhe INSP), që implementojnë grantin monetar të BE-së për bursa studimi për studentet master nga Kosova për studime në Universitetet më të vlerësuara në Bashkimin Evropian.
“Çdo shumë e paguar padrejtësisht për Përfituesin e Grantit duhet të kthehet menjëherë nga Përfituesi i Grantit” tek konserciumi.
Në të njëjtën marrëveshje të nënshkruar në vitin 2023, si i përzgjedhur për bursë “Young Cell” Tofaj u zotua “Të jetë në dispozicion për t’iu nënshtruar trajnimit/praktikës nga shkurti 2023 e tutje dhe për të lëvizur jashtë vendit nga gushti 2023 deri në përfundimin e përfundimit të parashikuar të studimeve; të Punojë për Administratën Publike të Kosovës si praktikant për së paku 4 muaj para nisjes (përveç shërbyesve civil të cilët veç janë të punësuar në Administratën Publike në Kosovë); të Ndjekë Programin e Trajnimit të gjuhës në kuadër të YCS (ku është e nevojshme); dhe të Ndjekë dhe kryej studimet e zgjedhura post-diplomike”. Të katër këto zotime të përmbushura, por jo edhe të 5-tin, që është qëllimi kryesor i bursës: Obligimin e punësimit apo ripunësimit (nëse janë shërbyes civil) të pandërprerë trevjeçar në Administratën Publike të Kosovës (përfshirë punësimin nëpër komuna dhe qeveri lokale), pas kthimit në Kosovë.
“Falë kësaj burse studimi, unë e kam pasur privilegjin të t’i ndjekë studimet e masterit në Universitetin Teknik të Mynhenit, një nga universitetet më të vlerësuara në Bashkimin Europain. Bursa jo vetëm që mbulon të gjitha shpenzimet e jetesës, por ofron edhe mundësinë për t’u shërbyer institucioneve të Kosovës si një ekstrakt pas përfundimit të studimeve. Imagjinoni ndikimin që mund të keni”, thotë vetë Tofaj në një video prezantim të tij si bursist, të publikuar më 24 prill 2024 nga faqja zyrtare në Facebook “Young Cell Scheme Scholarship Programme”.
Por, asnjë koment nuk e pati kandidati i LVV-së për Kryetar të Junikut, të enjten, kur u kontaktua nga gazeta online Reporteri.net në lidhje me mospërmbushjen e kontratës për bursën.
Tofaj, me t’iu shtruar pyetja në lidhje me shkeljen kontraktuale të obligimeve ndaj programit të BE-së, e ndërpreu telefonatën, duke qenë më tutje i paqasshëm për mediumin.
Bursat “Young Cell”, përveç shpenzimeve të aplikimit dhe të shkollimit në universitetet më të njohura në Bashkimin Evropian, mbulojnë edhe të gjitha shpenzimet e jetesës në vendin ku kryhen studimet; shpenzimet e vizës dhe sigurimin shëndetësor; biletën e udhëtimit kthyese; si dhe trajnimin përgatitor të gjuhës angleze bashkë me shpenzimet e testit të gjuhës angleze IELTS. Po ashtu, parashihet se në rast se studimet do të bëhen në një gjuhë tjetër të BE-së, testet e tjera të kërkuara të gjuhës gjithashtu mund të rimbursohen.
Jetmir Tofaj, si bursist i gjeneratës së XIII-të “Young Cell” ia ofrua mundësia të studiojë në Master dy vjeçare në Universitetin Teknik të Munihut.
Para se të udhëtojë për studime në nivelin master në Gjermani, Jetmir Tofaj, përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme, nënshkroi edhe një kontratë me Qeverinë e Kosovës, që edhe në atë kohë, sikurse sot drejtohet nga shefi i tij në parti, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje.
Në nenin 2 të Marrëveshjes së Bursave të Skemës “Young Cell”, e lidhur ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe çdo përfituesi të bursës, sikurse edhe Tofaj, rregullohen detyrat dhe obligimet e Qeverisë së Kosovës, ndaj bursistit, për sigurimin e një vendi të punës për të paktën 3 vite pas përfundimit të studimeve në vendet e BE-së.
“2.4. QK do të punësojë bursistin përmes kontratës së rregullt të punës si shërbyes civil pas njoftimit të tij/saj për përfundimin e programit master, sipas termave dhe kushteve të përcaktuara në nenin 36, paragrafi 2 i Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe akteve nënligjore në fuqi, të paktën për tri (3) vite kalendarike radhazi.
2.5. Nëse bursisti në momentin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje të bursës është tashmë shërbyes civil, pas përfundimit të programit Master ai/ajo do të ri-integrohet në pozitën e tij/saj të mëparshme. Ri-integrimi në pozitën e tij të mëparshme nënkupton të njëjtin nivel të pozitës, në përputhje me rregullat e klasifikimit të vendeve të punës në administratën publike”. /Reporteri.net
Discover more from Illyran Info
Subscribe to get the latest posts sent to your email.
You must be logged in to post a comment.