Ministri izraelit Smotrich thotë se po bisedon me ShBA-në për ndarjen e Gazës

54 Views
3 Min Read
Advertisements

Ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, i cili ka qëndrime politike të së djathtës ekstreme, tha të mërkurën se është në bisedime me Shtetet e Bashkuara për atë se si të ndahet Rripi i Gazës pas luftës, duke e bërë të qartë edhe një herë dëshirën e tij që enklavën bregdetare palestineze ta bëjë territor izraelit.

Duke folur në një konferencë të patundshmërive në Tel-Aviv, ministri izraelit tha se kjo mundësi “e paguan veten” dhe se ai “tashmë i ka nisur bisedimet me amerikanët”, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

“Ne kemi paguar shumë të holla për këtë luftë. Duhet të shohim se si do ta ndajmë tokën në përqindje” – tha ai, duke shtuar se “demolimin, fazë e parë e përtërirjes së qytetit, ne tashmë e kemi bërë. Tani duhet të ndërtojmë.”

Më tej, Smotrich tha: “Ekziston një plan biznesi, i hartuar nga njerëzit më profesionistë këtu, ai është në tavolinën e presidentit Trump.”

Zyrtarët në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.

Në një intervistë me mediumin e partisë së tij muajin e kaluar, ministri i Financave tha se ishte duke punuar për rivendosjen e ish-vendbanimeve izraelite, Ganim dhe Kadim, në pjesën veriore të Bregut Perëndimor. Këto vendbanime ishin evakuuar dhe çmontuar gjatë marrëveshjes së vitit 2005 për tërheqjen e Izraelit nga Gaza.

Në korrik, Smotrich foli në një konferencë të Kuvendit të Izraelit, e quajtur “Riviera e Gazës – nga vizioni në realitet”, në të cilën pjesëmarrësit paraqitën plane për rindërtimin e vendbanimeve izraelite në Rripin e Gazës. Në konferencë, ministri tha se Gaza do të bëhej “pjesë e pandashme e Shtetit të Izraelit”.

Në maj, ai tha se popullsia e Gazës do të mbyllej në një hapësirë të ngushtë toke, ndërsa pjesa tjetër e enklavës do të “shkatërrohej plotësisht”.

Smotrich pretendoi në korrik se vizioni i tij për Gazën e gëzon mbështetjen e presidentit Donald Trump të Shteteve të Bashkuara, i cili në shkurt tha se vendi i tij do ta merrte Gazën nën kontroll, do t’i zhvendoste banorët e saj dhe do ta kthente enklavën në “rivierën e Lindjes së Mesme”.

Sidoqoftë, planet e kreut të Shtëpisë së Bardhë janë kundërshtuar nga palestinezët, bota arabe dhe pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar, përfshirë edhe zyrtarë brenda dy partive në ShBA. Edhe vetë presidenti amerikan u ka dhënë më pak fokus këtyre planeve pas komenteve fillestare./Nacionale


Discover more from Illyran Info

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Advertisements