Një antologji e vlerave të mëdha ideo-estetike

Illyrian
8 Min Read

Shkruan:   Xhemail Ali PECI

Reklama

Vështrim për Antologjinë e Veprave të Bedri Tahirit

Reklama

                        (Një fragment i shkurtër nga një punim i gjatë)

Reklama

Të bësh një përzgjedhje shkrimesh të autorit Bedri Tahiri, është sa krenari po aq edhe përgjegjësi, sepse opusi i tij i gjerë krijues përmban shkrime të fushave të ndryshme në të cilat gërshetohet aq bukur letërsia dhe historia, tradita dhe publicistika, legjenda dhe miti, gojëdhëna dhe e vërteta, njëlloj sikurse edhe zhanret krijuese e shtresimet e tyre të holla, të cilat të shtyjnë të mendosh thellë se cilën do zgjedhësh prej tyre, si një buqetë lulesh të bukura të cilat nuk mund t’i ndash dot prej njëra-tjetrës.

Megjithatë, duke pasur si parim të përzgjedhjes kriterin ideo-estetik të vlerave krijuese, në këtë Antologji janë përfshirë pjesë të krijimtarisë së larmishme të shkrimtarit, pjesë të cilat si nga përmbajtja, vlerat, stili, gjuha, frazeologjia, leksiku etj., shpalosin mesazhe të qarta dhe mjaft domethënëse tek brezat, por edhe ngjallin njëkohësisht kërshërinë e lexuesve të shumtë me temat që trajtojnë dhe me motivet që shtjellojnë.

Duhet shtuar gjithashtu, se në shumësinë e shtresëzimeve të tekstit letrar, historik e publicistik, Bedri Tahiri përdor citate të dijetarëve të shquar të kombit por edhe të dijetarëve botërorë, kombinon mjaft bukur vargjet e rapsodëve me biografinë e heronjve për të cilët shkruan dhe të cilët i përjetëson, si dhe referenca të shumta shkencore në mbështetje të argumenteve që shtron, së bashku me regjistrin e detajuar të emrave të heronjve e dëshmorëve të rënë për lirinë e atdheut. Ai me një memorie gjithmonë të freskët por edhe me një përkushtim që me të vërtetë është për admirim, ka një synim madhor: që të mos mbetet asgjë e pashkruar, që të mos mbetet asgjë e harruar, që të mos mbetet asnjë pa u kujtuar, sepse ky është detyrim sa moral po aq edhe intelektual, të cilin ai si edukator i brezave, si publicist, si shkrimtar, si profesor e ka përmbushur me një atdhetari përplot fisnikëri e shpirtmadhësi.

Në tërësinë e shkrimeve të tij, në poliseminë e tekstit të tij ku thuren zhanre të ndryshme të krijimtarisë letrare-historike e publicistike, në opusin e veprave e kryeveprave të tij, është e qartë se ai mbron parimin e të drejtës së gjakut të derdhur lumë ndër shekuj, e drejtë kjo e cila na është nëpërkëmbur aq shpesh e fatkeqësisht po na nëpërkëmbet edhe sot.

Bedri Tahiri shkruan për heronjtë dhe dëshmorët e të gjitha kohëve, e të gjithë brezave dhe e të gjithë hapësirës shqiptare, kah bukës i thonë bukë e kah ujit i thonë ujë.

Ai shkruan me dhunti, me dashuri, me pasion, me përkushtim, me përzgjedhje fjalësh e stil të hollë, me përshkrime të bukura poetike e tepër origjinale, shpalos kronika lufte e faqe atdhedashurie dhe kryelavdie.

Nuk ka dyshim se epiqendra e frymëzimeve të tij është Galica. Drenica është fusha ku shtrihet përmasa kryesore e heronjve dhe e protagonistëve të librave të tij, kurse shqiptaria është hapësira ku ai lartëson emrat e gdhendur në mermerin e përjetësisë.

Nuk ka dyshim se nga kjo vepër e shumanshme dhe mjaft domethënëse, vërehet qartë se kryekapedani Azem Bejtë Galica e ka sfiduar dhe e ka paralajmëruar Serbinë se nuk ka për ta nënshtruar kurrë as Galicën e as Drenicën. As Arbërinë e Vogël e as Arbërinë e Madhe, as Shqipërinë e as ndjenjën atdhetare shqiptare.

Nuk ka dyshim se Azem Bejtë Galica e Qerime Shote Galica, me bashkëluftëtarët e tyre, kanë frymëzuar shqiptarët deri në luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hasan Prishtina e ka artikuluar politikisht dhe ka pri në diplomaci, që fjala të çojë më tej zërin e pushkës, sepse pushka ka pasur aq shumë nevojë për penën.

Filozofia politike e Hasan Prishtinës, Epopeja e Jasharëve, e kanë mishëruar thelbin e aspiratave shekullore të shqiptarëve.

Filozofia e odave shqiptare e ka sfiduar arrogancën dhe dinakërinë serbo-sllave. Mençuria ilire-dardane-shqiptare ka bërë thirrje për Një Vëllazëri Gjithëshqiptare.

Sëpata e Ahmet Delisë ia ka topitur radhët e ushtrisë së hordhisë barbare.

Xhemail Abrija e ka sfiduar dhe e ka mundur në betejën e tij mendore e ideore mjekërthinjurin Nikolla Pashiqin, kur ky i fundit e kishte pyetur se ku e kishte Kosova babën e saj?!

Bedri Tahiri, me librat e tij, me veprat e tij, me monografitë e tij si monumente të gjalla për kreshnikët e kombit, e ka sfiduar Serbinë dhe mizorinë e saj edhe në një rrafsh ku ajo ka dominuar ndër shekuj: luftën me argumente, me fakte, me të vërtetën historike.

Luftës me sëpatë dhe me pushkë, i është shtuar edhe një pjesë tjetër, një pjesë që na kanë lënë trashëgim ndër breza edhe mendjendriturit e kombit e të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, lufta me penë, lufta me dije, me shkrime, me kulturë, me mendje të ndritur, gjë që e shquan veprimtarinë mjaft të frytshme intelektuale dhe atdhetare të shkrimtarit, intelektualit, kronistit e publicistit Bedri Tahiri. 

Vepra e tij publicistike, letrare, historike e memoristike, është një thesar me vlera të shumta, prandaj botimi i plotë i kompletit të veprave të Bedri Tahirit në 70-të vjetorin e ditëlindjes së tij (mars 2026), nga institucionet e Kosovës, do të ishte jo vetëm një shprehje e mirënjohjes dhe e respektit të thellë ndaj shkrimtarit dhe kësaj vepre mjaft kuptimplote, por gjithashtu edhe një nder për vetë institucionet…

Galica e ka penën e saj të shquar.

Drenica e ka kronistin e betejave të saj më të përgjakshme.

Luftëtarët e saj, por edhe heronjtë dhe dëshmorët e të gjitha trojeve shqiptare, e kanë skalitësin e lapidarëve të përjetësisë, përmes fuqisë dhe bukurisë së fjalës shqipe.

Kosova dhe hapësira gjithëshqiptare e ka edhe një penë, e cila u bënë nder flakadanëve të lirisë e sogjetarëve të përjetësisë që ranë për këtë truall e për këtë komb të përvuajtur ndër shekuj.

Duke përzgjedhur fragmente nga veprat e tij të shumta, dhe duke i tubuar ato në këtë Antologji, kënaqësia dhe krenaria është e përbashkët me atë të lexuesit, kurse autorit i dëshirojmë shëndet, suksese të mëtejme, si dhe vepra e kryevepra të reja.

Londër, nëntor 2025

Lini një koment

Please Login to Comment.