Objekt misterioz rreth Tokës: Ka 60 vjet që lëviz pa u vënë re

24 Views
2 Min Read
Advertisements

Shkencëtarët kanë zbuluar një “gjysmë Hënë” të re, e cila prej dekadash ka udhëtuar fshehurazi rreth Tokës, transmeton KosovaNews.

Sipas një studimi të publikuar në Research Notes of the American Astronomical Society, objekti i vogël kozmik i quajtur 2025 PN7, gjatë rrotullimit rreth Diellit ndjek përkohësisht edhe një orbitë afër Tokës.

Asteroidi, që vlerësohet të ketë një diametër mes 19 dhe 30 metrash, mban titullin e “gjysmë Hënës” më të vogël të njohur deri më sot.

“Sistemi Diellor vazhdon të na surprizojë. 2025 PN7 tregon se nuk ka një kufi të poshtëm për madhësinë e këtyre kuazi-satelitëve,” ka deklaruar astronomi Carlos de la Fuente Marcos, udhëheqësi i kërkimit.

Objekti mund t’i afrohet Tokës deri në 300 mijë kilometra – pak më shumë se gjysma e distancës së orbitës së Hënës. Për shkak të përmasave të vogla dhe distancës, ai ka mbetur i padukshëm për 60 vjet, duke u vërejtur vetëm në momentet kur i afrohet shumë planetit tonë.

Sipas studiuesve, 2025 PN7 me gjasë është shkëputur nga Brezi i Asteroideve dhe i përket familjes së Arjuna-s, e njohur për orbitat e saj të ngjashme me Tokën.

Ekspertët parashikojnë se objekti do të mbetet rreth Tokës edhe për rreth 60 vjet të tjera, përpara se të kalojë në një orbitë shumë më të gjerë rreth Diellit, të njohur si orbitë “patkoi”.

“Asteroidet e tillë ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme për të testuar teknologjitë e eksplorimit me misione të pamanura,” tha Marcos, duke theksuar rëndësinë e studimit të këtyre trupave të vegjël për kërkimet e ardhshme hapësinore./KosovaNews/


Discover more from Illyran Info

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Advertisements