Qindra protestues antiqeveritarë u përleshën me mbështetësit e presidentit serb Aleksandar Vuçiç vonë të dielën, afër përvjetorit të shembjes vdekjeprurëse të çatisë që shkaktoi një lëvizje të udhëhequr nga të rinjtë kundër korrupsionit dhe keqmenaxhimit të dyshuar.
Të dyja palët hodhën fishekzjarrë në kulmin e një fundjave tubimesh në kryeqytet dhe qytetin e dytë më të madh të Serbisë, Novi Sad, ku ndodhi katastrofa, pas muajsh demonstratash të nxitura nga zemërimi për dështimin për të ndjekur penalisht askënd.
Konfrontimet kanë tronditur qeverinë dhe protestuesit kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme.
Të dielën, protestuesit ishin mbledhur pranë parlamentit në Beograd në mbështetje të një greve urie të nisur nga Dijana Hrka, djali i së cilës ishte midis 16 të vrarëve kur u shemb çatia e një stacioni hekurudhor të rinovuar.
Hrka dhe mbështetësit e saj u mbajtën jashtë një gardhi që ndante një zonë me tenda ku ndodheshin mbështetësit e Vuçiçit, të cilët kanë bllokuar bulevardin përpara ndërtesës së parlamentit që nga marsi.
Policia ndërhyri dhe ndau turmën pasi u hodhën fishekzjarrë në të dyja anët, tregoi një video e Reuters. Mbështetësit e Vuçiç luajtën gjithashtu muzikë me altoparlantë, duke i zemëruar protestuesit.
Të paktën 37 persona u arrestuan, tha ministria e brendshme të hënën. Akuzat përfshinin “shkelje të rendit dhe qetësisë publike dhe shkaktim incidentesh gjatë një tubimi publik të paparalajmëruar”, tha policia.