Presidenca jep detaje rreth takimit në të cilin, ndër të tjerë, ishin presidentja Osmani, Grenell e Gjuriq

Illyrian Info
23 Views
3 Min Read
Advertisements

Një foto ka qarkulluar në rrjetet sociale dhe në të shihet një takim që është mbajtur në SHBA. Në mesin e personave të ulur në tavolinë janë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, e emisari presidencial i SHBA-së për misione speciale, Richard Grenell.

“Nuk ka pasur diskutime politike”- tha Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani për KALLXO.com i pyetur se pse është mbajtur ky takim dhe nuk është bërë publik nga Presidenca e Kosovës njëlloj si të tjerat takime.

Kupina tha se ftesa ka qenë për “US-Western Balkans Roundtable”, nga tre përfaqësues të administratës amerikane: Richard Grenell, i dërguar presidencial për misione speciale, Scot Bessent, Sekretar i shtetit për Thesarin si dhe John Jovanovich, president i Bankës EXIM.

Ai tha se të ftuara kanë qenë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, si dhe Kroacia dhe se të gjitha shtetet e ftuara kanë marrë pjesë.

Në tavolinë mes përfaqësuesve të shteteve të Ballkanit Perëndimit janë të ulur edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj e ministrja e Jashtme shqiptare, Elisa Spiropali.

“Presidentja ka arritur aty në pjesën e dytë të takimit për shkak të takimeve të tjera bilaterale”- tha Kupina për Kallxo.com.

Ai tha se në takim secili shtet ka prezantuar potencialin e vet ekonomik si mundësi për bashkëpunim me Administratën Trump.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po vazhdon aktivitetet në New York në margjinat e Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Java e Nivelit të Lartë e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara 2025 zhvillohet ka nisur më 23.09.2025 e do të zgjasë deri më 29.09.2025.

Nga Kosova të pranishëm janë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Kosova nuk është anëtare e OKB-së.

Në mënyrë që Kosova të anëtarësohet në OKB nevojitet rekomandim nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Asnjëri prej pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit nuk duhet ta përdorë veton, dhe rekomandimi duhet t’i marrë votat e një shumice prej dy të tretave në Asamblenë e Përgjithshme.

Mirëpo, pjesë e kësaj pesëshe janë Kina dhe Rusia, shtete të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës./Kallxo.com


Discover more from Illyran Info

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Advertisements