Rama prezanton `Shqipëria 2030`: AI, shtyll e mandatit të katërt

43 Views
4 Min Read
Advertisements

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka prezantuar në seancën e sotme plenare programin qeverisës “Shqipëria 2030”, që sikurse nënvizoi ai, do të jetë kryefjalë e mandatit të katërt.

Inovacioni dhe inteligjenca artificiale janë dy prej shtyllave kryesore ku fokusohet programi i qeverisë dhe që do të ndihmojnë në procesin e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“‘Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian’ është kryefjala e këtij mandati. Shqipëria europiane është busulla orientuese e çdo faqe të programit tonë dhe metronomi i ritmit të çdo reforme që ndërmarrim.

Shteti i së drejtës është themeli i anëtarësimit në familjen e bashkuar europiane. Udha është pa kthim. Konsolidimi i pavarësisë së gjyqësorit është thelbësor. Kodi i Ri Penal dhe Kodi i Ri i Procedurës Penale dhe Kodi i Ri Civil janë në proces si bazat e reja të një legjislacioni modern me standardet më të larta europiane. Nga ana tjetër revolucioni digjital do të shtrihet më tej edhe në fushën e drejtësisë dhe të ligjzbatimit në tërësi për të ndihmuar nga njëra anë eficiencën, transparencën, llogaridhënien e institucioneve demokratike, dhe nga ana tjetër forcimin e lirive dhe të drejtave të individit. Shqipëria është i vetmi vend në rajon që përdor me shumë sukses Inteligjencën Artificiale për të përshpejtuar përafrimin e legjislacionit me Bashkimin Europian. Futja e Inteligjencës Artificiale në shërbim të mirëqeverisjes, antikorrupsionit dhe progresit të përshpejtuar social-ekonomik do jetë një prioritet i pandarë i të gjitha ministrive dhe agjencive të vendit,” deklaroi Rama.

Kryeministri sqaroi se Ministrja më e re e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, “Diella”, do të mbështetet nga “Akseleratori AI 4” me një rol të ri për adoptimin e Inteligjencës Artificiale për ligjzbatimin në tërësi.

Diella, Ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, do të ushtrojë një ndikim vendimtar për përshpejtimin e këtij procesi. Ajo do mbështetet nga Akseleratori me emrin ‘AI 4’, ‘Albanian Innovation 4’, i cili do ketë lirinë e plotë të operojë me një rol të ri brenda administratës, me plotfuqi në veprim, shembje të pengesave burokratike, adoptim me detyrim-përcaktim të Inteligjencës Artificiale në çdo hap e në çdo fushë.

Akseleratori AI 4 do të bashkojë talentet më të mira shqiptare brenda vendit, duke tërhequr njëkohësisht shqiptarë në diasporë dhe të huaj që kanë dëshirë të hyjnë në konstelacionin e Diellës. Do të përqendrojë një masë kritike talentesh e problemet më të vështira të Shqipërisë, sfida që zakonisht nuk i frymëzojnë startup-et, por që janë kyç për përparimin kombëtar. Do të ndërtojë kompani që mund të krijojnë vlerë të konsiderueshme për Shqipërinë dhe për shtetin si aksioner dhe të motivojë më shumë shqiptarë që të nisin sipërmarrjet e tyre duke krijuar një cikël autogjenerues inovacioni.

Diella me Akseleratorin e saj AI 4 do ta pozicionojë bukur Shqipërinë si një vend me ambicie të madhe në fushën e qeverisjes, përmes digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale, si dhe do të kombinojë peshën e shtetit me zhdërvjelltësinë e startup-eve duke bashkuar në korsinë e përparimit shërbimin publik me sipërmarrjen inovative, dhe duke i kthyer institucionet në platforma zhvillimore të Inteligjencës Artificiale,” u shpreh Rama.


Discover more from Illyran Info

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Advertisements