Sipas raportit të organizatës amerikane Gallup “Siguria Globale 2025”, Kosova renditet e para në Evropë dhe e treta në botë në Indeksin për Ligj dhe Rend, me gjithsej 94/100 pikë, përcjell Epiqendra.
Kështu ka bërë të ditur avokati Arbër Jashari, i cili rezultatet e këtij hulumtimi i ka quajtur inkurajuese dhe mbresëlënëse, pasi kjo tregon që qytetarët e Kosovës ndihen të sigurt në shtetin e tyre dhe ruajnë besim të palëkundur në organet e sigurisë.
“Rezultatet e fundit të Gallup World Poll lidhur me sundimin e rendit dhe ligjit janë inkurajuese dhe mbresëlënese për Republikën e Kosovës. Sipas publikimit të fundit, Kosova renditet e treta në botë dhe e para në Evropë për perceptimin e sigurisë. Në rangun botëror, vetëm qytetarët e Taxhikistanit dhe Singaporit ndihen më të sigurt se kosovarët, ndërsa në Evropë jemi të parët, duke lënë pas shtete të zhvilluara si Austria, Zvicra e Norvegjia. Law and Order Index është një instrument që mat se sa të sigurta ndihen njerëzit në vendin ku jetojnë – pra, perceptimin e sigurisë personale dhe besimin ndaj institucioneve si policia. Indeksi bazohet në sondazhe globale që Gallup zhvillon në mbi 140 vende të botës. Publikimi dëshmon se, pavarësisht sfidave dhe lajmeve të zymta që dëgjojmë çdo ditë, qytetarët e Kosovës ndihen të sigurt në shtetin e tyre dhe ruajnë besim të palëkundur në organet e sigurisë”, ka shkruar Arbër Jashari./EPIQENDRA.COM/ILLYRIANINFO/

Discover more from Illyran Info
Subscribe to get the latest posts sent to your email.
You must be logged in to post a comment.