Rubin për Thaçin: Fjalët që thoshte i kthente në veprime, i besoja dhe s’kam dyshuar në të
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, sot po vazhdon dëshminë e mbrojtjes pro ish presidentit Hashim Thaçi, i cili me të tjerët po gjykohen në Hagë.
Deklaratat e tij të djeshme po konsiderohen se i ‘çmontuan’ argumentet e Prokurorisë atje.
Rubin ishte i prerë të hënën kur tha se Thaçi s’kishte as aftësi e as kompetenca për të marrë vendime brenda UÇK-së.
Ai është thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit dhe po merret në pyetje nga Prokuroria.
Klankosova.tv edhe sot sjellë të gjitha zhvillimet nga kjo seancë.
Seanca do të vazhdojë në orën 14:30.
Rubin: Thaçi donte demokraci – fjalët që thoshte i kthente në veprime
Ish-diplomati amerikan, James Rubin është pyetur nga gjykatësi nëse i ka besuar ish-presidentit, Hashim Thaçi kur i tha se donte demokraci dhe bashkëjetesë krahas serbëve në Kosovë.
Rubin tha se Thaçi thoshte atë që amerikanët donin të dëgjonin, dhe sipas tij, ish-kryeministri, fjalët i kthente në veprime gjatë viteve.
“Ai donte një marrëveshje dhe donte demokraci, edhe pse fliste me një gjuhë më komuniste në atë kohë, ishte përmes përkthimit pra pak e vështirë të bëhet vlerësim i saj. Sa i takon bashkëjetesës, shqiptarët e Kosovës kishin jetuar në një regjim shtypës për dekada të tëra, me mijëra ishin vrarë dhe e dija që ai po thoshte atë që ne donim të dëgjonim”.
“E besova këtë, të jem i sinqertë, i kam besuar gjithnjë e më shumë me kalimin e viteve sepse tregoi se fjalët që thoshte i kthente në veprime, nuk kam dyshuar në të. U binda gjithnjë e më shumë për sinqeritetin e deklaratave të tija me kalimin e kohës”, tha ai në gjykatë, njofton Klankosova.tv.
Ku fshihej Thaçi gjatë bombardimeve të NATO-s? – Rubin: Ishte në Kosovë, flisnim në telefon
Një pyetje tjetër që iu bë ish-diplomatit amerikan, James Rubin brenda sallës së gjyqit nga gjyqtari, ishte rreth qëndrimit të Hashim Thaçit, gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s.
Rubin tregoi se Thaçi i ka treguar se shpesh ishte në Kosovë, i fshehur për të mos u vrarë, dhe sipas tij, ndihmonte organizatën e tij dhe popullin e Kosovës.
“Më ka thënë që jo çdo herë, por ishte shpesh në Kosovë i fshehur, duke u ruajtur që të mos vritej, dhe duke ndihmuar organizatën e tij, popullin e Kosovës. Më ka thënë që nuk ka qenë gjithmonë aty, por pjesën më të madhe ka qenë brenda Kosovës”.
Rubin tregoi se Thaçi kishte telefon, por ai vetë nuk e kishte numrin e këtij të fundit.
“Ka pasur telefon satelitor dhe thërriste në qendrën operative të Departamentit të Shtetit, në mëngjes mendoj. Nuk e kisha numrin e tij të telefonit”.
“Unë merrja informacionin, nuk kërkoja informacion. Pra bisedat telefonike fillonin e pyesja atë se si ishte, a ishte mirë ai dhe familja e tij, pastaj përpiqesha të merrja informacione në lidhje me atë që po ndodhte në terren. Ndonjëherë edhe gabohej, merrte një raport që i thuhej nga dikush, dhe dilte që nuk ishte e vërtetë, por ne donim të merrnim informacionin”, tha më tej Rubin, njofton Klankosova.tv.
Rubin: Demaçi na tha “o pavarësi ose do të vdesim të gjithë”
Ish-ndihmëssekretari i ShBA-së James Rubin, në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Hagë foli edhe rreth figurës të veprimtarit të madh të kombit, Adem Demaçi.
Ai foli rreth një telefonate të “Mandelës së Ballkanit”, asokohe me sekretaren Madeleine Albright, ku kishte thënë se “ose do të bëhej pavarësia ose do të vdesnin të gjithë”.
Atij iu prezantua edhe një dokument, ku tregohej se ishte i Albrightit lidhur me bisedat që ajo i ka pasur me Adem Demaçin, ndaj të cilit ishte kërkuar që t’a mbështeste Thaçin.
“Ai (Demaçi) tha se nuk më intereson se sa njerëz vdesin. Ka qenë biseda më e egër që kam dëgjuar ndonjëherë“, tha ai për bisedën e Demaçit me Albright, njofton Klankosova.tv.
Rubin deklaroi se ishte i pranishëm kur ndodhi kjo telefonatë.
“Më kujtohet shumë mirë por na u duk se ishte një person që kishte autoritet jo fizik apo vertikal, por ideologjik. Hashim Thaçi mendonte se kishte nevojë për një person si Adem Demaçi që ta shtynim pak çështjen e pavarësisë. Ai nuk ka thënë që nuk duam pavarësi, por jo tani në këto momente dhe ai donte të tregonte se çështjen e pavarësisë mund ta diskojmë pak më vonë. Demaçi thoshte o pavarësi o le të vdesim”, tha ish zyrtari i lartë amerikan.
Sipas Rubinit, kjo ishte shenjë që Thaçi kishte nevojë për Demaçin.
“Sipas meje kjo ishte një shenjë që Thaçi kishte nevojë që Demaçi të thoshte që ta shtyjmë pak më vonë çështjen e pavarësisë. Prandaj, zoti Demaçi ishte eprori i tij nga vendimmarrja në këtë grup. Ai kishte nevojë për mbështetje ideologjike nga themeluesi apo personi kryesor ideologjik”, theksoi Rubin.
A e di për çfarë u themelua Gjykata Speciale? – Kështu përgjigjet James Rubin
Në sallën ku po dëshmohet pro-Thaçit dhe të tjerëve, u lëshua një video e James Rubin e shumë viteve më parë, në një tryezë të rrumbullakët ku flitej për akuzat ndaj UÇK-së.
Aty përmendej edhe raporti i Dick Marti për trafikim organesh, brenda të cilit përfshihej edhe emri i Hashim Thaçit.
Lidhur me këtë, Rubin para trupit gjykues tha se nuk kishte asnjë zhvillim të këtyre akuzave, pra atyre të Martit.
Ish-zyrtari i lartë amerikan poashtu u pyet nëse e di se për çfarë është themeluar Gjykata Speciale, dhe përgjigja e tij ishte: “Jo. Por mendoj se kjo gjykatë është themeluar me kërkesë të liderëve evropianë dhe amerikanë, për qeverinë e Kosovës”, njofton Klankosova.tv.
Akuzat e Marty-it për trafikim organesh, Rubin: “Kurrë nuk doli diçka prej tyre”
Dëshmitari James Rubin, ish ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, i cili është thirru nga mbrojtja e Hashim Thaçit në Hagë, aktualisht është duke u përgjigjur në pyetjet e gjykatësve.
Ai u mor në pyetje edhe nga Prokuroria, si dhe nga avokati i ish presidentit, Lluka Misetiq, me ç’rast u përmend edhe raporti i Dick Marty-t, transmeton Klankosova.tv
Në gjykatore u lëshua një video e Rubin e shumë viteve më parë, në një tryezë të rrumbullakët ku flitej për akuzat ndaj UÇK-së dhe përmendje ky raport.
Ishte prokuroria ai që kundërshtoi relevancën e referimit të akuzave të Marty-it, ku akuzohej UÇK-ja për trafikim organesh, por mbrojtja e Thaçit insistoi.
Misetiq tha se Gjykata Speciale është ngritur saktësisht për ato akuza.
Pasi e pyeti Rubin se a e dini çka ndodhi në fund të fundit me akuzat e Martyt, ai u përgjigj kështu:
“Kurrë s’doli asgjë nga ajo.”/Klankosova.tv
“Thaçi kërcënohej nga forcat ushtarake serbe”, thotë Rubin
Ish-diplomati amerikan, James Rubin ka treguar se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ishte i kërcënuar nga forcat ushtarake serbe.
Ndonëse ai tha se Thaçi nuk ia kishte thënë këtë, e kuptoi vetë nga atmosfera.
“Nuk kam pasur asnjëherë prova personale apo një burim të veçantë që ai ishte i kërcënuar. Dikush në ekipin tim tha që ai ishte kërcënuar, bisedoja me të a ishte e vërtetë apo jo, nuk më ka thënë kurrë se ishte, por ishte i tensionuar”, tha ai.
Rubin po ashtu zbuloi si Thaçi duhet të hynte dhe të dilte nga Kosova, përmes maleve, kjo për shkak të mbrojtjes.
“Më kujtohet që më ka thënë sa e vështirë ishte që të hynte dhe të dilte nga Kosova, duke kaluar përmes maleve për mbrojtje. Kërcënimet ishin përgjithësisht nga forcat serbe, dhe e kishin kërcënuar me vdekje nga udhëheqja serbe. Ai ishte njeri me dinjitet, nuk donte të më thoshte se ishte i kërcënuar, por atmosfera ishte se ai ishte i kërcënuar nga forcat ushtarake serbe”, deklaroi Rubin, njofton Klankosova.tv.
Rubin: Po, kam thënë se Thaçin e futën në burg në momentin që po bënte marrëveshje paqeje me Serbinë
Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, gjatë dëshmisë së tij në Hagë e ka pranuar se në një intervistë në korrik të këtij viti, kishte thënë se ish-presidentin Hashim Thaçi e kanë akuzuar në momentin që po e bënte marrëveshjen me Serbinë.
Po ashtu, ai kishte deklaruar se Gjykata Speciale është shembulli i drejtësisë ndërkombëtare që ka dalë jashtë kontrollit.
“Po tani tribunali i Kosovës është shembulli i drejtësisë ndërkombëtare që ka dalë jashtë kontrolli. Krijuan një çështje të pabazë për drejtuesin e çështjeve të Kosovës dhe e kanë akuzuar në momentin që po krijonte marrëveshje paqeje me Serbinë, e futën në burg. Ka qenë në burg për katër vite e më shumë por nuk janë në gjendje as t’i mbledhin të gjitha provat bashkë që tri vite e gjysmë sepse po shpikin ligjin”, tha ai në dëshminë e tij njofton Klankosova.tv.
Ish-zyrtari i lartë i ShBA-së theksoi se i kujtohet që i ka thënë këto deklarata dhe si rrjedhojë pjesë të videos u pranuan në prova materiale.
A e quajti Rubin Prokurorinë si ”turp”?
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan, James Rubin, është pyetur nga Prokuroria në Hagë lidhur me një deklaratë të tij të mëhershme, ku kishte përmendur fjalën “turp” për këtë institucion.
“Në korrik keni përshkruar prokurorinë si turp, apo jo?”, u pyet Rubin.
“Mund ta kem përdorur këtë fjalë, mbase s’ka qenë e matur por ndonjëherë kur je në televizion përdor edhe fjalë që s’do të mund të jenë përdorur. Mund edhe ta tërheq këtë fjalë”, deklaroi ai para trupit gjykues, transmeton Klankosova.tv.
Prokuroria e pyeti gjithashtu për një tjetër qëndrim të tij publik.
“Ju thatë se s’keni lexuar dosjen gjyqësore e as nuk keni ndjekur dëshmitë e dëshmitarëve, por në korrik 2025 thatë se Thaçi po ndiqet penalisht për arsye krejt absurde?”.
“Po besoj se këtë kam thënë”, shtoi Rubin.
Në të njëjten intervistë, ish-diplomati amerikan kishte deklaruar se është turp që Thaçi po mbahet në burg përderisa Qeveria e Kosovës e krijoi vetë këtë Gjykatë Speciale.
Rubin: Thaçin e konsideronim udhëheqës, e caktuan shqiptarët vetë
Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin në ditën e dytë të dëshmisë së tij, ka folur edhe njëherë rreth përshtypjeve të tij për Hashim Thaçin gjatë periudhës në Konferencën e Rambujesë.
Sipas tij, Thaçi ishte personi kyç me të cilin ai duhej të punonte, në mënyrë që Marrëveshja të pranohej nga UÇK-ja.
“Ne mendonim se LDK-ja, Veton Surroi, ishin dakord për këtë, dhe ajo [sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright] më tha që duhej të punoja me të (Thaçin], sepse ishte personi i rëndësishëm, ishte personi kryesor që e kishin caktuar shqiptarët e Kosovës”, tha Rubin.
“Nëse doni e quajmë udhëheqës, nëse doni person të kontaktit”, theksoi ish-zyrtari i lartë i ShBA-së.
Ai e përshkroi rolin e ish-presidentit në atë kohë si të një kryediplomati të Kosovës.
“Pra, unë atë e kam parë si ministër të Jashtëm, që pasqyronte pikëpamjet e ushtrisë së vet, të qeverisë së vet, që nënshkruante, pra ashtu si një ministër i Punëve të Jashtme”, shtoi Rubin
James Rubin i prerë para trupit gjykues: Kjo nuk është drejtësi
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan i shtetit, James Rubin, në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale, pati kritika për trajtimin e të akuzuarve, Thaçit dhe të tjerëve, që po mbahen në paraburgim.
Para trupit gjykues, Rubin ishte i prerë kur tha se kjo nuk është drejtësi dhe këtë opinion të tij e shpreh me zë të lartë, transmeton Klankosova.tv
“Më është dukur si fajësim kolektiv për shkak të faktit se i akuzuari ka qenë udhëheqës i UÇK-së. Duke qenë se i kam parë nga afër liderët e UÇK-së. Duke pasur një ide të mirë të funksionimit të UÇK-së unë për tre ditë e kam pa se si janë sjellë ata, se kush ishin përgjegjës, kush ishte komandanti, kush zëvëndësi. Duke pasur këtë lloj njohurie, unë mendoj kjo ka qenë e gabuar, kjo nuk është drejtësi. Unë nuk jam jurist me profesion, por kam të drejtë të shpreh me zë të lartë opinionin tim”, tha James Rubin.
“Nuk e kuptoja nëse ishte normale apo jo”, Rubin: E konsideroja të pazakontë këtë gjykim
Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin në ditën e dytë të dëshmisë së tij, ka treguar sa kohë shpenzoi për t’u përgatitur në mënyrë që të jetë i disponueshëm në gjykatë.
Brenda sallës ku prezent janë edhe çlirimtarët, Rubin tha se nuk e kuptonte këtë gjykim, dhe se nuk ishte i sigurt nëse “ishte normale apo jo”.
“Jam përpjekur të shqyrtoj me aq sa di unë, artikuj me shkrim ose dokumente të cilat janë paraqitur në ekran, e të cilat lehtësisht shfaqen këtu. Rilexova shumë nga materialet, jam takuar edhe me ekipin e Mbrojtjes në Uashington, një ditë të plotë 1 herë ose dy ditë të plota. Kam menduar, kam kaluar pesë vite duke u përgatitur me të. Mendoja nga viti në vit se do hapet gjykimi sot, vitet kalonin dhe asgjë nuk ndodhte. Kam vrarë mendjen sepse u deshën 5 vite për të krijuar një çështje të tillë, ndërkohë aktakuza u ngrit 5 vite përpara”.
“Nuk e kuptoja gjithë këtë, në qoftë se një gjë e tillë ishte normale apo jo, kam folur me juristë e avokatë që më kanë thënë se kjo është një mënyrë e pazakontë për një burrështetas që është dorëzuar vullnetarisht”.
Tutje, Rubin tha se ka menduar për orë të tëra për këtë gjykatë.
“E mbajta mendjen të mbushur dhe kam menduar për orë të tëra për këtë gjykatë. Kam punuar në pjesën ekzekutive të ShBA-së, kam qenë shumë i zënë në profesionin tim, në një periudhë kam qenë këshilltar i Blinkenit. Më duhet të them që për dëshirën time për të qenë i disponueshëm në gjykatë, kam shpenzuar shumë orë, për të siguruar që Departamenti i Shtetit të më lejonte të jepja dëshmi, ishte një barrë për mua”.
Po ashtu, ish-diplomati tregoi se Pierre Prosper ishte i pari që e kontaktoi.
“Pierre Prosper më kontaktoi së pari, ish-prokurori i krimeve të luftës në Amerikë. Ndërkohë që kisha edhe angazhime të tjera, kam menduar edhe për këtë gjykatë, jam përpjekur të bëj të pamundurën për të qenë i disponueshëm. U pajtova që të isha një dëshmitar, kam qenë në kontakt me Prosper për 5 vjet. Jam kontaktuar kur kam qenë në Paris, mendoj që jam kontaktuar rreth 4 vite më përpara. Jam njoftuar lidhur me këtë, sa i takon gjykimit. Ka qenë diku nga tetori i vitit 2020 dhe vjeshta e 2021”.
Rubin kujton takimin e fundit me Thaçin: Biseduam për një marrëveshje paqeje me Serbinë
Ish-diplomati amerikan, James Rubin ka folur për takimin e tij të fundit me ish-presidentin, Hashim Thaçi.
Ai tha se ky takim ndodhi gjatë vitit 2020.
Gjatë atij takimi, Rubin tregoi se me Thaçin diskutoi mbi një paqe të përhershme me Serbinë.
“Hera e fundit që kam qenë me Thaçin ishte në periudhën 2020, në kërkim të një marrëveshje paqeje me Serbinë, përpara aktakuzës kam punuar me të. Kam biseduar me të, me Thaçin apo ndonjë prej përfaqësuesve të tij formal”.
“Nuk më kujtohet çdo gjë që kemi biseduar, kishte të bënte me paqen e përhershme me Serbinë, kjo ka qenë pika, diçka tjetër mund të ketë qenë anësore”, u shpreh Rubin para trupit gjykues, njofton Klankosova.tv.
Rubin: Nuk kam konfirmim për trafik droge nga UÇK-ja
Ish-sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, ka deklaruar në dëshminë e tij para Prokurorisë Speciale se nuk ekzistojnë prova apo informacione që mbështesin pretendimet se lidershipi i UÇK-së ka qenë i përfshirë në urdhëra për vrasje apo krime të organizuara.
Sipas Rubin, akuzat e tilla janë të pabazuara dhe nuk qëndrojnë pa fakte konkrete.
“Nuk ka asnjë informacion apo provë që të mbështesë pretendimet se udhëheqësit e UÇK-së kanë dhënë urdhra për vrasje apo janë përfshirë në krime të organizuara. Këto janë akuza të paprovuara. UÇK-ja vepronte në kushte represioni nga forcat serbe dhe nuk kishte një strukturë të mirëfilltë ushtarake”, tha ai, para trupit gjykues., raporton Klankosova.tv.
Rubin shtoi se qëllimi i bashkësisë ndërkombëtare ka qenë të ndihmojë këtë forcë që të transformohet në një organizatë demokratike, proces i cili, sipas tij, është duke ndodhur tashmë me ndihmën e NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara.
Në lidhje me akuzat për trafikim të drogës, Rubin theksoi se nuk informacione të pavarura.
“Nuk kam asnjë konfirmim të pavarur për përfshirje të UÇK-së në trafikim droge, pavarësisht pyetjeve të vazhdueshme mbi këtë çështje”.
Rubin kishte refuzuar t’i përgjigjet ZPS-së, “kjo nuk është mënyra si trajtohet një burrështetas!”
Dëshmitari i parë i ftuar nga mbrojtja e Hashim Thaçit, ish zëdhënësi i DASh ka deklaruar se Gjykata Speciale i ka mbajtur padrejtesisht kaq gjatë krerët e UÇK-së në paraburgim, duke ditur faktin se ata i janë dorëzuar vetë Speciales dhe kanë bashkëpunuar me Dhomat e Specializuara.
Rubin ka deklaruar se gjatë përgatitjes për dëshminë e tij ka biseduar me juristë dhe ekspertë tjerë nga të cilët ka fituar përshtypjen se kjo nuk është mënyra si trajtohet një burrështetas, njofton Klankosova.tv.
Është zbuluar se Rubin fillimisht ka refuzuar t’i përgjigjet Prokurorisë, me arsyetimin se dëshmia e tij nuk i përshtatet pikëpamjes së ZPS-së.
Rubin: U përgatita mbi 100 orë për dëshminë time në Hagë
Dëshmitari i parë i Mbrojtjes, James Rubin, ka deklaruar se gjatë 5 viteve të fundit ka kaluar mbi 100 orë duke u përgatitur për dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara duke mësuar se si funkisiononte gjykata dhe duke folur me persona të ndryshëm.
Megjithatë, kur është pyetur nga Prokurori James Pace, Rubin deklaroi se nuk e ka parë asnjë seancë, as nuk i ka lexuar fjalët hyrëse të palëve e as dosjet paraprake qoftë të Prokurorisë apo të Mbrojtjes, njofton Klankosova.tv.
“Mendoj që jam munduar pafund që të jem i disponueshëm për këtë gjykatë, kam shpenzuar qindra orë për përgatitje”, tha Rubin, njofton Klankosova.tv.
“Mendoj që ka qenë e gabuar, kjo nuk është drejtësi, kam të drejtë të them me zë të lart opinionin tim”.
ZPS tenton të nxjerrë informacione për bashkëpunëtorët e Thaçit, Rubin: S’e njoh Behramin
Në përpjekje për të zbuluar se me cilët bashkëpunëtorë të Thaçit është takuar ndër vite, ZPS ia ka shfaqur James Rubin një fotografi të kohëve të fundit me ish këshilltarin e Thaçit, tashmë deputet Artan Behrami.
Rubin deklaroi se nuk e njeh Behramin dhe se bën shpesh foto me shqiptarët me të cilët përpiqet të jetë i sjellshëm.
“Megjithatë më pëlqen fotoja”, u shpreh Rubin duke qeshur.
Raporti i OKB-së, Rubin: Kam qenë skeptik, s’e përshkruanin mirë situatën
Një raport i vitit 1998 i OKB-së, nuk e përshkroi mirë situatën në Kosovë.
Kështu tha para trupit gjykues, ish-diplomati amerikan James Rubin. Për të njëjtin, ai tha se ka qenë skeptik, pasi sipas tij, nuk ka qenë edhe aq i besueshëm.
“Kam lexuar një raport të OKB-së për Kosovën, por kam qenë shumë skeptik për atë raport, sepse organet e OKB-së nuk e kanë përshkruar shumë mirë situatën shumë shpesh. Jo domosdoshmërisht ka qenë i besueshëm”, tha Rubin, njofton Klankosova.tv.
Në atë raport, siç u citua në sallë, pretendohej se njerëz – pjesë e UÇK-së, rrëmbyen 249 civilë dhe policë serbë.
Rubin: Nuk arritëm të vërtetonim akuzat për UÇK-në
Rubin tutje është pyetur nga Prokuroria rreth pretendimeve se UÇK-ja ishte përfshirë në veprimtari kriminale dhe vrasje.
Ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara i kishin trajtuar këto akuza, por nuk kishin arritur t’i vërtetonin.
“Ka patur pretendime dhe akuza për një vit, ne shikuam ato nuk arritëm t’i vërtetonim. Mendoj që po ata ishin një forcë qe duhej të merreshin parasysh dhe në konsideratë në terren dhe ne donim të krijonim një Kosovë më afatgjate, të kishim shkëmbime dhe të punonim me z. Thaçi”, tha ai njofton Klankosova.tv.
Ish-ndihmësi i sekretari Amerikan u pyet po ashtu edhe nga Prokurori i çështjes nëse është e saktë që në vitet 1998 dhe 1999 mediat ndërkombëtare dhe organizatat tjera kishin publikuar raporte me pretendime të besueshme për krimet e kryera nga pjesëtarë të UÇK-së.
Ai u përgjigj shkurt: “Po.”
Tutje, prokurori iu referua një dokumentari të transmetuar nga BBC, duke e pyetur Rubin nëse aty ai kishte pranuar që anëtarë të UÇK-së kishin vrarë civilë serbë me gjakftohtësi.
Në përgjigje, Rubin deklaroi:
“Më kujtohet se i dënuam veprimtaritë e UÇK-së në fazën fillestare, pasi po vriteshin civilë dhe jo ushtarë, prandaj dhe ne i dënuam këto veprimtari terroriste të UÇK-së, por me kalimin e viteve njohëm më mirë organizatën”, u shpreh Rubin.
“Fillimisht dënuam veprimtaritë e UÇK-së”, Rubin: Me kalimin e viteve e njohëm më mirë…
Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin ka shpjeguar një deklaratë të tij të para shumë vitesh, ku thoshte: “po vriteshin me gjakftohtësi civilë serbë, këto janë akte terroriste dhe ne besojmë që janë të gabuara, kjo është pikërisht ajo që po bënte UÇK-ja asokohe”.
Në sallën e gjyqit, Rubin tha se i kujtohej arsyeja pse Amerika dënoi veprimtaritë e UÇK-së në fazën fillestare. Por, ish-diplomati amerikan tha se me kalimin e viteve, njohën më mirë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Më kujtohet arsyeja pse i dënuam veprimtaritë e UÇK-së në fazën fillestare, sepse po vriteshin civilë dhe jo ushtarë, prandaj dënuam veprimtaritë e UÇK-së, por me kalimin e viteve njohëm më mirë organizatën”.
Po ashtu, Rubin tha se më vonë, ShBA kuptoi se UÇK-ja u konsiderua se ishte në anën e engjëjve, pasi nënshkroi Marrëveshjen e Paqes, njofton Klankosova.tv.
Rubin: Fillimisht UÇK-në e përshkruam si organizatë që zhvillonte aktivitete terroriste – ky qëndrim ndryshoi pastaj
Ish-diplomati amerikan, James Rubin tregoi si në fillim Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e përshkruan si organizatë që zhvillonte aktivitete terroriste.
Megjithatë, ai tha se më pas ky qëndrim ndryshoi pasi UÇK-ja u pajtua me Rambujenë.
“Ne fillimisht i përshkruanim si persona që bënin aktivitete terroriste, pra ndoshta ne shkelëm dëshirën tonë që të ishim në anën e engjëjve gjithmonë. Sepse për një periudhë të caktuar, derisa e kuptuam mirë situatën ne fillimisht e përshkuam atë si organizatë që zhvillonte aktivitete terroriste dhe ne sigurisht, ne nuk donim që të lidheshim apo të mbështesnim njerëz që zhvillonin aktivitet terroriste. Ky qëndrim pastaj ndryshoi pasi UÇK-ja u pajtua me Rambujenë dhe konsideruam që ishin në anën e engjëjve pasi nënshkruan marrëveshjen e paqes”, tha Rubin para trupit gjykues, njofton Klankosova.tv.
“Nuk më kujtohet nëse Krasniqi e Veseli ishin pjesë e delegacionit në Rambuje”
James Rubin është pyetur sot nga Prokuroria lidhur me një dokument ku thuhej se Adem Demaçi e përshkruante Hashim Thaçin si zëdhënës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai u pyet edhe nëse është takuar me Jakup Krasniqin gjatë luftës, duke u përgjigjur se “nuk mendoj që jam takuar”.
Tutje, tha se nuk i kujtohet nëse Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli ishin pjesë e delegacionit shqiptar në Rambuje.
“Nuk më kujtohen të gjithë emrat, sepse kjo ka ndodhur para 25 vjetësh”.
A mori pjesë në mbledhjet e UÇK-së?
Po vazhdon edhe sot dëshmia e ish-diplomatit amerikan, James Rubin në Gjykatën Speciale.
Në fillim të dëshmisë së tij, Rubin ka treguar se nuk ka marrë pjesë çdo herë në takimet e udhëheqësve të UÇK-së, megjithatë tha se mund të ketë qenë pranë siç tha ai, sallës ku mbaheshin mbledhjet.
“Përgjithësisht kam pasur njohur për diskutimet lidhur me UÇK-në. Takime të gjata ka pasur, marrëveshje në mes të udhëheqësve të UÇK-s. Nuk jam i sigur nëse kam qenë në atë zonë, por nuk flisja shqip. Ata mund të kenë biseduar gjëra që nuk i kam kuptuar, por nuk më kanë ndaluar të isha në atë dhomë ku mbaheshin mbledhjet apo takime”.
“Ishte një sallë e madhe në ndërtesë dhe gjërat kanë ndodhur në forma të ndryshme, kam qenë në afërsi të dhomës ndërkohë që janë diskutuar gjëra”, tha ai, njofton Klankosova.tv.
“Nuk kanë qenë negociata formale në një dhomë formale, pra disa prej seancave disa bisedime, janë bërë edhe në një qoshe të dhomës. Kanë qenë diku afër 10 njerëz dhe mund të kem qenë aty afër”, tha më tej ish-diplomati.
Discover more from Illyran Info
Subscribe to get the latest posts sent to your email.