
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot pritet të vazhdojë me numërimin e votave të kandidatëve për deputetë.
E pas tyre, radha do të jetë e votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe diasporës.
Këto të fundit pritet të kenë ndikim të madh në mënyrën se si do të sistemohen ulëset e partive në Kuvendin e Kosovës.
Aktualisht, sipas Eugen Cakollit, VV-ja ka 47 deputetë, PDK-ja 25, LDK-ja 20 dhe AAK-ja 8 deputetë.
Sipas Cakollit, nëse Vetëvendosje fiton rreth 60% të votave jashtë vendit, mund të shkojë deri në 49 deputetë.
Nëse fiton mbi 75%, mund të arrijë në 51 deputetë. Kurse, nëse mbetet nën 50% të diasporës, atëherë merr 46 deputet.
“Nëse LVV fiton rreth 60% të votave jashtë vendit, mund të marrë deri në dy mandate shtesë, duke arritur në gjithsej 49 deputetë. Në variantin më pozitiv për LVV, kur fiton mbi 75% të votave jashtë vendit, mund të arrijë deri në 51 deputetë. Ndërsa, në variantin negativ për LVV-në, kur merr më pak se 50% të votave jashtë vendit, mund të bjerë në 46 mandate. Përndryshe, votat/përqindja e partive që nuk e kalojnë pragun as nuk shpërndahen e as nuk i shtohen ndonjë partie tjetër – ato thjesht nuk llogariten gjatë ndarjes së mandateve”, thuhet në postimin e Eugen Cakollit.
Kurse, njohësi i statistikave, Shenoll Muharremi, ka parashikuar se Vetëvendosje nuk shkon mbi 42% të votave, duke theksuar se mund të ketë 46 deri në 47 ulëse.
“Këtu e kemi përafërsisht SIMULIMIN e ulëseve në Kuvend sipas rezultateve preliminare: KQZ 99% të numëruara; Supozim që 80k vota të vlefshmë në diasporë. Janë të shpërndara 50% LVV, LDK 25% dhe PDK 25%. Në përgjithësi, LVV nuk duket se e kalon 42% dhe ka mes 46 dhe 47 ulëseve në kuvend”, ka shkruar Muharremi.

Votat e kandidatëve do të fillojnë të numërohen sot, kur edhe do të bëhet verifikimi i rezultateve të partive.
“Pas përfundimit të këtyre procedurave, numërimit të votave jashtë Kosovës, votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe aspekteve tjera që parashihen me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ do shpall rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë”, kanë sqaruar nga KQZ.