“Sokoli”: Dëshmia se ëndrrat e Kosovës fluturojnë më lart se çdo zhurmë!”

Illyrian Info
570 Views
3 Min Read
Reklama

Në rrugëtimin tonë të përditshëm, shpesh jemi të rrethuar nga zhurma. Nga lajmet që ta thyejnë shpirtin, nga debatet politike që nuk na çojnë askund, nga ata zëra në rrjetet sociale që përhapin vetëm zi e terr. Dhe nganjëherë, kjo zhurmë na bën të ndjehemi të ngulfatur sikur shpresa është luks, sikur fati ynë është në dorën e dikujt tjetër. MOS E BESONI ATË GËNJESHTËR!

Nëse ka diçka që Kosova ka treguar vazhdimisht, është se jemi një popull i ndërtuar mbi shpresën, mbi guximin, mbi atë zjarrin e brendshëm që nuk shuhet kurrë. Dhe sot, më shumë se kurrë, ky zjarr po digjet fuqishëm në zemër të Gjilanit.

A keni dëgjuar për “Sokolin”? Po, për dronin Made in Kosova, që po ndërtohet nga një grup të rinjsh me vizion. Kjo nuk është vetëm teknologji është krenari, është një deklaratë: “Ne mundemi!” Këta të rinj nuk janë ulur të presin; ata janë qu dhe po krijojnë. Ata nuk e kanë humbur kohën në komente politike, por po sfidojnë botën me dije dhe ide.

Ky projekt është më shumë se një dron. Është një shpresë, një thirrje për zgjim kolektiv.

Dhe po ju flas edhe si Armend Xani sepse edhe unë jam duke punu në heshtje për diçka që shumë shpejt do të bëjë zhurmë në botën e shkencës dhe teknologjisë. Një projekt që synon të krijojë një valë të re mendimi, inovacioni dhe ndërtimi. Por ky nuk është vetëm rrugëtim individual është një ftesë për bashkëpunim, për solidaritet. Edhe unë po i afrohem këtyre djemve nga Gjilani, sepse në vend që t’i admirojmë nga larg, duhet t’u qëndrojmë pranë dhe t’i ndihmojmë.

Sepse Kosova nuk ndërtohet me duar në xhepa. Ndërtohet me zemër, me dije, me vepra.

Ndoshta po mendoni: “Unë nuk jam inxhinier, çfarë mund të bëj?” Por nuk ke nevojë të jesh ekspert për të qenë pjesë. Mbështet, shpërndaj, frymëzo dikë tjetër, sill ide, ofro ndihmën tënde sado e vogël. Sepse çdo gur që vendosim së bashku, është një themel për një të ardhme më të mirë për vendin tonë.

Harrojini lajmet që ju thonë se nuk ka rrugëdalje. Shkëputuni nga ata që duan t’ju mbajnë të demoralizuar. Mos prisni nga politikanët sepse fuqia e vërtetë është TEK TI.

Bëhu “Sokoli” i jetës tënde. Mos e prit ndryshimin, krijoje vetë.

Le ta shndërrojmë këtë flakë që nisi në Gjilan, në një zjarr kombëtar që ngroh dhe ndriçon gjithë vendin tonë. Le ta bëjmë Kosovën një vend ku shpresa nuk është iluzion, por një realitet i ndërtuar me duart tona.

Me respekt, guxim dhe shumë besim në të ardhmen,
Armend Xani


Zbuloni më tepër nga Illyran Info

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Reklama
TAGGED: