Ngrohja globale e shkaktuar nga aktiviteti njerëzor ka qenë përgjegjëse për dy në çdo tre vdekje nga nxehtësia gjatë verës së sivjetme në Evropë, sipas një analize të re të publikuar nga studiuesit në Imperial College London.
Ekspertët zbuluan se nxehtësia e shtuar e ka bërë klimën mesatarisht 2.2°C më të nxehtë në qytetet evropiane gjatë verës, duke rritur ndjeshëm vdekshmërinë.
“Zinxhiri shkakësor nga djegia e lëndëve djegëse fosile deri te rritja e nxehtësisë dhe vdekshmëria është i pamohueshëm”, tha Friederike Otto, shkencëtare e klimës dhe bashkautore e studimit.
Nga analiza rezultoi se 68% e vdekjeve nga nxehtësia mund t’i atribuohen ngrohjes globale të shkaktuar nga njeriu.
Grupet më të prekura janë të moshuarit dhe punëtorët
Shumë vdekje ndodhën në shtëpi ose në spitale, ku njerëzit me probleme shëndetësore ekzistuese nuk mund të përballojnë temperaturat ekstreme.
“Nxehtësia shpesh nuk përmendet fare në certifikatat e vdekjes”, tha Garyfallos Konstantinoudis, epidemiolog dhe bashkautor i studimit.
Qytetet nuk janë gati për të ardhmen
Edhe pse Evropa ka bërë përparim që prej valës së madhe të të nxehtit në 2003, strukturat e shëndetit publik ende nuk janë të përgatitura plotësisht për përballimin e temperaturave gjithnjë e më ekstreme dhe të një popullsie në plakje.
Mjekët dhe shkencëtarët po bëjnë thirrje për:
• Plane veprimi lokale për valët e të nxehtit,
• Hapësira të gjelbra në qytete,
• Kondicionerë për grupet vulnerabël, si banorët e shtëpive të të moshuarve.
Discover more from Illyran Info
Subscribe to get the latest posts sent to your email.