Kandidati për Asamble në Komunën e Vushtrrisë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Gezim Jetullahu, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga lista e kandidatëve dhe nga çdo përgjegjësi e tij e lidhur me këtë subjekt politik.
Jetullahu ka theksuar se ishte bashkuar me LDK-në me bindjen se zëri i secilit do të dëgjohej dhe se puna do të bëhej për të mirën e përbashkët të qytetit të Vushtrrisë.
Sipas tij, përvoja dhe angazhimi i tij mbetën vetëm si pjesë e listës, pa pasur hapësirë që mendimi i tij të merrej parasysh në takime, programe apo në vizionin e përbashkët të subjektit, transmeton Reporteri.
Ai ka vlerësuar se aktualisht LDK në Vushtrri është e ndarë në pesë grupe, të cilat punojnë me misione të ndryshme, ndërsa për këtë gjendje ka fajësuar kandidatin për kryetar, Xhafer Tahiri.
Sipas tij, Tahiri nuk ka arritur ta unifikojë subjektin para zgjedhjeve, duke e udhëhequr LDK-në si parti personale, gjë që ka sjellë pakënaqësi të shumta.
“Hyra në garë për të bërë ndryshimin, por rrugës e kuptova që ndryshimi është i pamundur me njerëz që kanë një fasadë të madhe para publikut, ndërsa realiteti është ndryshe”, ka theksuar Jetullahu.
Ai ka shtuar se Vushtrrisë i duhen njerëz të sinqertë dhe se modeli i udhëheqjes së deritanishme nuk e përfaqëson atë, duke falënderuar të gjithë mbështetësit dhe bashkëqytetarët për përkrahjen.
Discover more from Illyran Info
Subscribe to get the latest posts sent to your email.