TIFF në edicionin e tij të 23-të, me 245 prurje të reja

44 Views
4 Min Read
Advertisements

Tiranës, këtë fundjavë, i shtohet një tjetër ngjarje kulturore me rëndësi në fushën e kinematografisë: Festivali Ndërkombëtar i Filmit, TIFF.

Ky është edicioni i 23-të i këtij festivali, që prej më shumë se dy dekadash i sjell kryeqytetit me qindra prodhime të reja kinematografike, shumë prej të cilave të vlerësuara ndërkombëtarisht.

Edhe në këtë edicion të 23-të të TIFF-it, Agjencia Telegrafike Shqiptare është partner zyrtar i festivalit.

Për t’u bërë pjesë e TIFF-it të këtij viti, aplikuan 3245 filma dhe 59 skenare nga 115 vende të botës. Agron Domi, drejtori dhe bashkëthemeluesi i këtij festivali, tha në konferencën për mediet se, është dashur një punë disamujore për përzgjedhjen e filmave garues, numri i të cilëve arriti në 192, si dhe 10 skenarë të cilët do të garojnë në ContesTIFF. Përveç tyre është dhe një program jogarues, me 53 filma, gjë që e çon në 245 numrin e filmave që do të shfaqen gjithsej në TIFF dhe që vijnë nga 70 vende të ndryshme.

Nga gjithë kjo mori filmash, dy prej tyre do të përzgjidhen për t’u kualifikuar, njëri për të garuar në Çmimet Oscars dhe tjetri për në European Film Awards. Por, siç thekson Domi, qershia mbi tortë do të jetë premiera evropiane e filmit “Father Mother Sister Brother”, një prodhim i këtij viti, me skenar e regji të Jim Jarmusch.

Pak ditë pasi fitoi “Luanin e artë” të Venecias, filmi do të shfaqet në Tiranë, pas ceremonisë hapëse të TIFF-it.

Programi “Focus” i këtij edicioni, i bën homazh regjisorit islandez Runar Runarsson, një nga regjisorët më të vlerësuar ndërkombëtarisht.

“Zgjodhëm Runar Runarsson-in jo vetëm për arsyen se ka marrë çmime dhe vlerësime, por e sollëm si modelin e një regjisori që vjen nga një vend i vogël si Islanda, si shembull për të gjithë kineastët, për të treguar se si arriti të eksploronte atë natyrë të veçantë njerëzore dhe gjeografike dhe si arriti suksesin”, u shpreh Agron Domi.

Drejtori i TIFF-it vuri theksin tek një risi e këtij edicioni, siç është shfaqja e filmave për fëmijë tek Piramida. Filmat në këtë vendndodhje do të ndahen në dy grupe: ai për fëmijë deri 10 vjeç dhe filmat për adoleshentë.

Në seksionin RetrospekTIFF, për herë të parë, TIFF i kushton një hapësirë ​​të veçantë kategorisë Video Art, duke përfshirë dy programe, i cili konsiston në “Obsession”, videot që artisti Fani Zguro ka realizuar në periudhën 2006-2025 .

Duke vënë theksin tek fakti se ky festival është i llojit “independent”, Domi tha se në garë janë edhe një film nga Izraeli dhe dy filma nga Palestina, madje me tema aktuale. Njëri prej tyre titullohet “Gaza Bride”.

“Ne promovojmë filmin dhe artistët. Duam që të mos kemi asnjë barrierë, asnjë llogore, asnjë barrikade në art dhe kulturë, sepse është mënyra më e mirë për t’i bërë njerëzit bashkë dhe për të pasur paqe në këtë botë”, tha Domi.

Ndërkohë sa i përket prodhimeve kinematografike shqiptare, Agron Domi tha se, ato janë të pakta në numër, pasi prodhimi dhe kualiteti mbeten të ulët. Në garë janë 5 filma shqiptarë, të metrazhit të shkurtër, në programin “In Albanian”.


Discover more from Illyran Info

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Advertisements