Një shpërthim i madh i shkaktuar nga rrjedhja e gazit ka tronditur mbrëmjen e djeshme një ndërtesë banimi në kryeqytetin rumun, Bukuresht, duke lënë pas tre të vdekur dhe 17 të plagosur. Autoritetet kanë evakuuar mbi 100 familje pasi ndërtesa rrezikon shembjen.
Sipas rezultateve paraprake të hetimeve, shpërthimi është shkaktuar nga një rrjedhje gazi, e cila ka shkatërruar plotësisht apartamentet në katin e pestë dhe të gjashtë të një ndërtese shumëkatëshe, duke krijuar një vrimë të madhe në strukturë.
Punonjësit e kompanisë së gazit kishin inspektuar tubacionet një ditë më parë, por nuk kishin gjetur ndonjë dëmtim. Tre persona kanë humbur jetën, ndërsa 17 të tjerë janë plagosur, përfshirë një vajzë 17-vjeçare që ndodhet në gjendje të rëndë.
Fuqia e shpërthimit ka dëmtuar edhe ndërtesat përreth dhe një gjimnaz afër vendit të ngjarjes, ku disa nxënës kanë mbetur të plagosur brenda klasave.
Autoritetet lokale kanë njoftuar se nxënësit e lënduar janë jashtë rrezikut, ndërsa rreth 800 gjimnazistë janë evakuuar në mënyrë të sigurt.
Banorët e zonës kanë deklaruar se aroma e gazit ishte ndier që një ditë më parë dhe disa prej tyre kishin njoftuar autoritetet, por pa asnjë reagim të menjëhershëm.